Pas më shumë se shtatë muajve, Orkestra e Filarmonisë së Kosovës është kthyer para publikut. Kur institucionet e kulturës mbyllen dyert e veta për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, instrumentistët u thelluan në punë. Duke mos e pasur të qartë se kur do të kthehen, siguruan që kurdo që kjo të ndodhte, interpretimi të ishte në nivel.
Por të enjten mbrëma, përballja me publikun nuk qe lehtë. S’e kishin menduar që Salla e Kuqe do të ishte aq e zbraztë për shkak të numrit të limituar të publikut. Hapësira që stërmbushet kurdoherë që Filarmonia del në skenë, nuk pati më shumë se 40 veta. Publiku ishte shpërndarë, njëlloj si anëtarët e Orkestrës. Distanca në mes tyre ishte diçka e re me të cilën u duhej të mësoheshin. Komunikimi në një mënyrë të tillë, e duke mbajtur maska (ku përjashtim bënin frymorët) nuk qe i lehtë. Dëshira për të komunikuar përsëri me publikun ishte ajo që i shtyu të punonin fort gjatë këtyre muajve. Për herë të parë të dirigjuar nga Gridi Kraja nga Tirana, sollën një program që pati frymë shqipe.
Shenja e parë që koncerti nuk ishte i zakonshëm ishin maskat në hyrje të sallës dhe dezinfektuesi i vendosur e po ashtu një listë me emra, të cilët mund të ndiqnin koncertin pasi që paraprakisht, online, ishin rezervuar ulëset. Në disproporcion ka qenë interesimi me numrin e lejuar.
Pasi që publiku zuri vend, anëtarët e Orkestrës filluan që të dalin në skenë, shoqëruar me duartrokitje. Krahas hapësirës, ato nuk kishin fuqinë e zakonshme kur duartrokasin rreth 500 veta. Jo rrallë, në koncertet e Filarmonisë ka të tillë që koncertet i ndjekin në këmbë.
Ndjenja të përziera i ka ngjallur krejt kjo situatë, violinistit Visar Kuçi.
“Kam pasur momente që donin me më dalë lot prej gëzimit dhe prej mërzisë në të njëjtën kohë sepse shumë e dhimbshme me e pa sallën me aq pak publik, e ne me gjithë atë angazhim dhe përgatitje dhe në fund disi, kur duartrokitja ishte shumë i zbehtë për shkak se nuk kishte shumë njerëz”, ka thënë ai fill pas koncertit. Ka shtuar se janë mësuar që salla të jetë plot.
“Njëkohësisht edhe kjo vendosja në komplet sallën e ku shumë më larg jemi prej njëri-tjetrit ka qenë e vështirë që ne të adaptohemi. Kemi bërë dy ditë prova pasi që në fillim nuk mund të dëgjonim njëri-tjetrin pasi që jemi mësuar që të jemi më afër”, ka thënë ai. Por pavarësisht kësaj, koncerti ka qenë i nivelit me të cilin Filarmonia tashmë shquhet. Njëra prej pikave kulmore të koncertit, ka qenë edhe interpretimi i Kuçit.
I shoqëruar nga orkestra ai solli këngën “Baresha” të aranzhuar nga Gerti Druga. Duartrokitjet me të mëdha i takuan pikërisht këtij interpretimi. Kënga u luajt për të kujtuar dhe nderuar Nexhmije Pagarushën. Perëndesha e këngës shqipe vdiq më 7 shkurt të këtij viti. Me vdekjen e saj muzika shqiptare humbi zonjën e skenës, ambasadoren e këngës shqipe që kishte marrë epitetin “Bilbili i Kosovës”. Ajo ishte 86-vjeçare.