EXPRESS

Filharmonia me tinguj drejt magjisë së Rexho Mulliqit

Ka një kontrast të thekshëm midis ambientit ku interpreton dhe asaj që sjell Filharmonia e Kosovës. Hapësira më e ngushtë në Atelien e Pallatit të Rinisë rrjedhimisht bëri që karriget të mos i përgjigjeshin as përgjysmë interesimit të publikut për të ndjekur koncertin e së premtes mbrëma. Shumë prej adhuruesve të muzikës shfrytëzuan korridorin e një kati më lart që përshkon dy anët e hapësirës. Në skenë filloi renditja e anëtarëve të Filharmonisë e atyre iu bashkua edhe dirigjenti Marguier.

“Koncerti për piano” i Ludwig van Beethoven ka qenë e para vepër me të cilën është prezantuar për të parën herë krahas Filharmonisë pianistja e re, Vesa Berisha, laureate e garës “Pianisti i Ri 2022”. Ka qenë si vals i lumtur e që dinamikën e merr prej kontrabasëve e tupanit.

Jo shpesh është parë një instrumentiste kaq e re të luajë krahas institucionit më të lartë të muzikës serioze, por koordinimi me Orkestrën e dirigjentin ka qenë dëshmi për paraqitjen dinjitoze të saj.

“Është hera e parë që interpretoj me një orkestër profesionale. Ka qenë emocion i papërshkrueshëm, nuk mund ta them me fjalë se si jam ndier dhe mendoj se kjo mundësi që më është dhënë si një studente e vitit të parë, jam shumë me fat që e kam përjetuar”, deklaroi Vesa Berisha.

Tre instrumentistë të kornos janë bashkuar në interpretim të “Koncertit për violinë nr. 1 në D-dur, Op 19” të Sergei Prokofievit, e luajtur prej violinistit Visar Kuçi, koncert-mjeshtër i Filharmonisë. Ka kohë që ai nuk ka dalë si solist në koncert me Filharmoninë dhe përgjatë kësaj kohe duket sikur mjeshtri i instrumentit me tela ka akumuluar energjinë për lojë.

Për Kuçin ka qenë hera e parë që ka luajtur këtë vepër e prania e madhe dhe entuziazmi i publikut pas interpretimit të tij e ka bërë madhështor rolin e Kuçit si solist.

“Publiku më priti shumë mirë, pati shumë duartrokitje dhe më përkrahën edhe në ato momentet e vështira. Për mua është gjithmonë më së vështiri të luaj në vendin tim në Prishtinë dhe sidomos para Orkestrës ku unë punoj, ku jam udhëheqës. Siç thonë, gjithmonë është më së vështiri njeriu të prezantohet në shtëpinë e tij, kështu që besoj se sonte ka shkuar shumë mirë”.

Filharmonia e ka shpallur 2023-n “Vit të Rexho Mulliqit” dhe koncerti me dy vepra të tij është vetëm fillimi. Ato do të dëgjohen edhe përtej kufijve të Kosovës, hiç më larg se javën që vjen dhe atë në Portugali.

“Simfonia nr. 1” dhe “Baresha”, aranzhuar për orkestër simfonik, kanë qenë kryefjalë e koncertit. Në lojë të veprave të Mulliqit në të njëjtin koncert me vepra të huaja, bëhet i qartë autenticiteti i dy veprave që mbeten “thellësisht shqiptare” me krejt përmbajtjen e tyre. Nëpër disa pjesë të interpretimi fuqizon anën emocionale, por shpesh e gjen ritmin e fuqinë e tingullit.

Me interpretimin origjinal të “Bareshës”, publiku u njoftua edhe më një pjesë tjetër të veprës, e cila ndër vite është modifikuar e përshtatur në versione të ndryshme. Motivi i veprës në një moment sikur ngrihet në një dialog dramatik bashkë me krejt Orkestrën.

Dirigjenti zvicerano-francez, Antoine Marguier, për herë të parë ka drejtuar formacionin e Filharmonisë në interpretimin e veprave të Mulliqit.

“Të jem i sinqertë nuk e kam njohur këtë kompozitor më parë dhe më duhej ta njihja rreth dy javë më parë nëpërmjet luajtjes së programit, kështu që kam pasur kohë të studioj dhe të zbuloj muzikën dhe shprehjen e tij, pasi kam lexuar për të. Sigurisht se asnjëherë nuk është lehtë të vish nga një kulturë e huaj dhe të vendosesh në një muzikë të panjohur më parë, kështu që i falënderoj muzikantët për mirëkuptimin e tyre, bashkëpunimin pasi më lejuan të bëj atë që do të doja të bëj me këtë muzikë në kuptimin e tempit, dinamikës dhe energjisë”.

Në tërësi veprat e Mulliqit janë si rrëfime të veçanta muzikore. Interpretimi i tyre ka qenë edhe si nderim i njërit prej kompozitorëve kryesorë që i vunë themele traditës popullore dhe muzikës artistike në Kosovë.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se me rastin e jubileut të 100-vjetorit të lindjes së Mulliqit, 2023-ta do të jetë “Viti i Rexho Mulliqit” dhe vazhdimisht do të interpretohen veprat e kompozitorit.

“Nuk është ditëlindje e thjeshtë, është 100-vjetori, është jubile dhe Filharmonia e Kosovës ka vendosur që nga ky moment, ne veçse realizuam koncertin në vigjilje të kësaj date, me një vit ta quajmë si vitin e Rexho Mulliqit, meqë kjo do të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim, pra gjatë gjithë vitit me veprat e tij të ndryshme. Sonte u prezantuan dy: ‘Simfonia nr. 1’, e para jo vetëm e tij, por e para kosovare”, përfundoi Jashari.

Destinacioni i radhës i Filharmonisë është Portugalia. Kësaj radhe në objekte e salla madhështore. Sonte në Lisbonë e të mërkurën në Braga, udhëhequr prej maestros Baki Jashari, veprat e Mulliqit do të dëgjohen edhe atje, sikurse edhe të Valton Beqirit dhe vepra “Njeriu i armatosur: Meshë për paqe” e kompozitorit uellsian Karl Jenkins të cilën ia dedikoi Kosovës dhe luftës së fundit.