EXPRESS

“Off the record: Gjendja e hapësirave të braktisura”

Kontestet dhe mosdefinimi i pronarëve për më shumë se një dekadë ka shkaktuar kaos në menaxhimin e hapësirave të braktisura në Kosovë.

Problemet juridike kanë lënë peng statusin e pazgjidhur të këtyre objekteve, disa prej të cilave kanë përfunduar si asete të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Rëndësia e ruajtjes së hapësirave të braktisura, hapat që duhet të ndërmerren për mbrojtjen dhe funksionalizimin e tyre, si dhe roli i institucioneve e shoqërisë në këtë drejtim ishin temë e diskutimit publik të organizuar nga Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, raporton Express në KTV.

Zëvendësministri në Ministrinë e Kulturës, Engelbert Zefaj, tha se mungesa e një strategjie të përsosur në vazhdimësi po e sfidon qasjen ndaj objekteve të lëna në harresë.

Sali Shoshi nga Fondacioni CHwB theksoi se e gjithë trashëgimia kulturore e Kosovës është e braktisur.

I pranishëm në diskutim ishte edhe asamblisti i Komunës së Prishtinës, Adrian Berisha.

Në kuadër të debatit “Gjendja e hapësirave të braktisura” është diskutuar edhe për menaxhimin e arkivit dhe aseteve të ish-gjigandit medial “Rilindja”.

Debati për hapësirat e braktisura është organizuar pas intervenimit artistik të konceptuar nga artistja Nurhan Qehaj, e cila në fund të shtatorit në monumentin e trashëgimisë kulturore, që njihet si objekti i Kryqit të Kuq, kishte realizuar një instalacion si shenjë proteste ndaj shkatërrimit të objekteve të braktisura.