Një protagoniste, e cila beson në jetën pas lindjes dhe tjetri që është skeptik për ekzistimin e një bote tjetër, frymojnë brenda barkut të nënës së tyre. X dhe Y janë qenie të padefinuara me emër, mirëpo jo edhe me mendime.
Brenda kopertinës së dramës “Rrënjë” të Ulpianë Malokut, ata bëhen dëshmitarë të shpresës për nënën e tyre dhe të dyluftimit ekzistencial.
“Janë tri personazhe, mirëpo, një personazh që është nëna, Nija, ajo vetëm dëgjohet si zë, nuk e shohim asnjëherë. Kurse dy binjakët X dhe Y gjenden në barkun e nënës së tyre dhe dëgjojnë gjithçka që iu transmetohet nga nëna e tyre, prej jashtë brenda. Këtu lind njëfarë konflikti mes këtyre dyve, X beson që gjithçka është reale në jetën pas lindjes, mirëpo Y nuk e beson. Kështu që, qëllimi i X është ta bind Y. Është një raport mes lindjes, vdekjes edhe jetës, që jam përpjekë ta paraqes në një formë sureale”, ka thënë Maloku.
Kjo dramë hyn artistikisht në shinat e një bote ndryshe nga ç’jemi mësuar ta dëgjojmë.
“Edhe në jetën tonë të përditshme e flasim jetën pas vdekjes, mirëpo unë e kam transferuar këtë në atë se çka nëse ndalemi dhe mendojmë për ata që janë duke u krijuar, dhe sa ata besojnë në jetën pas lindjes”, është shprehur ajo.
Një ndër motivet e dramës është edhe ai i gruas së fuqishme, e cila pavarësisht sfidave me të cilat përballet, sërish bart mbi supe kujdesin e një nëne.
“Nija përveç dramës që ne e shohim në tekst, ne e kuptojmë përmes zërit se ajo është duke e jetuar një dramë tjetër jashtë, të cilën mundohet të mos e transmetojë te krijesat e saj të vogla për shkak se gjithçka transmetohet. Ajo është mes luftës se si t’i ruajë krijesat e saj dhe t’i përballojë sfidat jashtë botës së këtyre dy krijesave”, ka shpjeguar më tej Maloku.
Dramaturgia Maloku nuk dëshiron të flasë për emërtimin e veprës në mënyrë që simbolika e saj të kuptohet nga çdo lexues në formën e vet. Ndërkaq, për dizajnin e kopertinës ajo thotë se ka paraqitur dy krijesa që vallëzojnë brenda barkut të nënës.
“Është një situatë dramatike se mungesa e ushqimit të Nijes ndikon drejtpërdrejt te personazhet brenda, ata me një situatë të skajshme se si sillen dhe çka janë në gjendje me bë, duke iu kundërvënë njëri-tjetrit. Fundin nuk dua ta tregoj veçse është një fund tragjik, është pak i dhimbshëm....” ka përfunduar ajo.
“Rrënjë” si një botim i përkrahur nga Komuna e Prishtinës pritet shumë shpejt të promovohet. X dhe Y, dy protagonistët kryesorë të dramës, do të dalin nën dritën e publikut përmes një leximi skenik.