Shtojca për Kulturë

Një shfaqje mbi dhunën seksuale gjatë luftës dhe pasojat e saj

Shfaqja "Syte e Ujkut"

Skenë nga shfaqja “Sytë e ujkut” e dhënë premierë më 8 tetor në “Barabar Centre” në Prishtinë

Lidhur me premierën “Sytë e ujkut”, dramë e Doruntina Bashës, në regji të Kushtrim Koliqit, produksion i “Integras” dhe “Barabar Center”, Prishtinë

Shfaqja “Sytë e ujkut”, dramë e Doruntina Bashës, e inskenuar premierë në hapësirat e “Qendrës Barabar” të Prishtinës e në regji të Kushtrim Koliqit, është një tekst e shfaqje tjetër artistike, që trajton një dimension të luftës (1999) – dhunës seksuale dhe pasojat e saj. Vërtet, një nga shfaqjet e pakta, që tematizon tragjiken e luftës (edhe më shumë se një çerek shekulli ende nuk mund të thuhet se janë botuar e inskenuar më shumë se dhjetë shfaqje me ketë temë, temë kjo me mundësi aq të mëdha eksplorimi), që e trajton luftën e pasojat e saj nga një këndvështrim origjinal, si tekst dramatik, dhe që, edhe si inskenim, është strukturuar regjisorialisht nga një perspektivë unike. Në qendër të kësaj shfaqjeje është projektuar jeta e traumatizuar e një gruaje dhe e “familjes” së saj pas luftës, si rezultat i traumës së dhunimit gjatë luftës, jeta e saj e vetëmargjinalizuar në periferinë e jetës, aty ku syri i botës nuk mund ta shohë lehtë dramën e saj. 

E vërteta është se trauma e dhunimit seksual në kohë lufte dhe e shfaqjes së saj para shikuesit në kohë paqeje bëhet gradualisht, fillimisht me ngapak zvarritje, në një ambient kamertal, skajshmërisht të varfër si ambient jetësor, në të cilin e ka hedhur jeta kryeprotagonisten, gruan e dhunuar, nënën e saj, dhe të bijën e saj. Shpalosja e traumës së dhunimit dhe e pasojave të saj bëhen sipas një gradacioni të llojit të vet, ndonjëherë paksa me një dinamikë të ngadaltë, kryesisht përmes dialogut, dialogut midis një femre e nëne (të dhunuar) dhe nënës së saj të moshuar, (gjyshes), të lodhur e të ngopur nga jeta, dhe vajzës, përkatësisht mbesës, e cila, qartazi, është fëmijë i dhunës, i ngjizur dhunshëm në mitrën e nënës së saj, një fëmijë i traumatizuar rëndë nga ambienti dhe mënyra se si zhvillohet e “rritet” nga e ëma e saj skajshmërisht e frustruar. 

Botën e dhembshme, plotë vuajtje, që përshkon jetën e kësaj familjeje të margjinalizuar, e zbulojnë dialogët në një trekëndësh traumatik, brenda të cilit gjyshja, e vetmja, përpiqet të ruajë një drejtpeshim “brendafamiljar” në një situatë të skajshme ekzistenciale. Një vajzë një prag të pubertetit, Dila, fëmija e padëshiruar, fëmija i dhunës, është dëshmi tipike e asaj që quhet traumë post-gjeneracionale ose ndërbreznore, nga e cila është i goditur një segment i rëndësishëm i shoqërisë sonë që, edhe më shumë se një çerekshekulli, pjesa më e madhe, ndodhet i margjinalizuar, në kthetrat e ankthit, të turpit e të izolimit social. Ajo, Dila, me reaksionet e saj të zhdrejtëpeshuara, me papjekurinë e saj emocionale e mendore, me sjelljet e saj të çrregulluara, të cilave u mungon normaliteti dhe shëndeti, bëhet simbol i një lloji të veçantë të pasojave të dhunës seksuale e, fundja, politike e shoqërore, i pasojave në gjeneratën e parë të subjekteve të dhunës seksuale, që, në mungesë të qasjes e të trajtimit adekuat të shoqërisë sonë pas luftës, vetiu e rëndë e me pasoja, shumëfish është amplifikuar dhe e ka goditur dhe e godet zinxhirin fatkeq të dhunës në vazhdimësinë e saj, të dhunës, pasojat e së cilës trashëgohen edhe në nivel biologjik, epigjenetik. 

Subjekti kryesor i kësaj drame e shfaqjeje, Lumja, gruaja e dhunuar, e cila kultivon, për shkak të çrregullimit të stresit të saj post-traumatik (PTSD) një stil të vrazhdë të “prindërimit”, e cila ka një relacion pothuajse vetëm biologjik me të bijën e saj, të cilën, më parë se si vajzën e saj, e emërton vetëm me emër Dila, (sepse është mbjellë dhunshëm në te), është shtylla mbi të cilën ndërtohet, edhe në kuptim dramaturgjik, regjisorial e aktorial, drama “Sytë e ujkut”. 

Në qendër të kësaj shfaqjeje është projektuar jeta e traumatizuar e një gruaje dhe e “familjes” së saj pas luftës, si rezultat i traumës së dhunimit gjatë luftës, jeta e saj e vetëmargjinalizuar në periferinë e jetës, aty ku syri i botës nuk mund ta shohë lehtë dramën e saj

E traumatizuar nga akti i dhunës seksuale në kohë lufte, që, midis të tjerash, e kuptojmë nga përjetimet e saj halucinante që sjellin imazhet psikologjike të luftës e që para shikuesit shfaqen si episode të “flesheve” psikologjike, ajo, e vetëmargjinalizuar, duke jetuar në rrethana të një varfërie të skajshme ekzistenciale, edhe materiale, si një skamnore, jeton me traumën e së djeshmes dhe me frustracionet e së sotmes. Lumja është femra, gruaja, nëna e frikuar, e cila jeton, aq sa jeton, në një gjendje kronike anksiotike, është viktima e dhunës seksuale e pushtuar nga dhembja vrastare për fatin e vet e, po ashtu, edhe për fatin e së bijës, atësia e të cilës është enigmë për “njerëzit” përreth që, për shkak të vetizolimit social e psikologjik, janë aq të paktë. Kryepersonazhi i kësaj drame në mënyrë kronike është i pushtuar nga një ndjenjë e frikës dhe e ankthit, që kufizon me përjetimin paranojak të botës jashtë mureve të “shtëpisë” së saj dhe ajo, edhe për shkak të traumës së turpit e të turpërimit, duke e gjakuar shkëputjen e komunikimit me botën përreth, e “fortifikon” ambientin e shtëpisë së saj, mbyll gjithçka, edhe dritaret madje, me dërrasa, me idenë që të mbrohet nga bota e jashtme e të mos zbulohet ekzistenca e saj, në kohën kur traumën e saj, që është realiteti i saj i brendshëm psikologjik, të shkaktuar në të kaluarën e saj, në kohë lufte, e ka armikun më të madh, me të cilin nuk mund të luftojë. Rrjedhimisht, ajo, e çrregulluar në perceptimin e vetvetes e të botës, në perceptimin traumatik e paranojak të situatës së saj të skajshme ekzistenciale, e goditur në thelbin e qenies së saj, ndjek, pashmangshëm, një urdhër të brendshëm psikologjik të izolimit e të vetizolimit si mekanizëm mbrojtës psikologjik e social dhe, edhe atë jetë, që, potencialisht mund të zhvillohej, e godet, e frenon, e vret psikologjikisht. Le të kujtomë këtu vetëm shqetësimin e trazimin e pazakonshëm të Lumes kur të bijës i shfaqet cikli i parë menstrual apo kur, në ditëlindjen e saj, mezi artikulon urimin, urimin aq të pritur e aq të nevojshëm nga e bija, e cila “rritet” e zhvillohet në atë ambient traumatizues, të cilin vetëm gjyshja e saj paksa e zbut me një urti e tolerancë të llojit të vet. Për botën e saj të traumatizuar, të Lumes, që zhvillohet brenda mureve e bllokadave psikologjike të vetizolimit, reaksioni i këtillë është “normal” dhe i kuptueshëm, por, shikuar nga ana artistike, nga nënteksti i dramës dhe artikulimi regjisorial, a nuk është kjo një akuzë, e drejtpërdrejt dhe e tërthortë, ndaj atyre që shkaktojnë plagë të këtilla psikologjike e shoqërore, në njërën anë, dhe ndaj atyre (shoqërisë) që një familje, si reprezentant të një segmenti shoqëror relevant të dhunuar, e lënë në margjinën sociale, të fundoset në dhembjen, në vuajtjen, në mjerimin dhe përbuzjen shoqërore, në anën tjetër?! Pastaj, a nuk është një akuzë situata e këtillë e skajshme ekzistenciale kur qenia njerëzore edhe njëherë dhunohet në mungesë kujdesi e përkushtimi nga mekanizmat e shoqërisë, një akuzë e viktimës, jo vetëm kundruall viktimizuesit, i cili në fund, fare në fund, hyn në skenën teatrore (kthehet në jetën e viktimës)?!... Në kontekstin e këtillë të shpalosjes së shtresave të nëntekstit dramatik, të cilat me diskrecion dramaturgjik i ka strukturuar Doruntina Basha, një formë tjetër e artikulimit të dhembjes e të vuajtjes të shkaktuar nga dhuna seksuale është artikulimi, nga ana e kryepersonazhit, i Lumes, artikulimi i një këngëtimi vajtues, fort origjinal e adekuat për situatën e statusin e saj, vajtim i cili në mënyrë ciklike përsëritet disa herë, në çastet e dhembjes e të vuajtjes kulmore, dhe shndërrohet në një lajtmotiv të shfaqjes “Sytë e ujkut”, që e përshkon fund e krye. Përmes këtij këngëtimi vajtues, të dhembshëm, plot vuajtje, kjo shfaqje intonon akorde tragjike, që artikulohen me shkathtësi artistike të veçantë nga Lumja (Edona Reshitaj) dhe asaj plagës së dhunimit e pasojave të saj i japin tone të veçanta psiko-afektive, duke i dhënë, rrjedhimisht, një ngjyrim autentik gjendjes, në të cilën e ka katandisur jeta dje e sot me kthetrat e saj! 

Ndërsa e përcillja shfaqjen “Sytë e ujkut”, ndërsa e shihja të shpalosej drama në atë ambient të “Qendrës Barabar”, pashmangshëm më krijohej e më rikrijohej një si imazh lidhur me atë se si mund të zhvillohej kjo shfaqje në skenën e Teatrit Kombëtar apo në një hapësirë tjetër teatrore me mundësi më të mëdha të inskenimit – sa shumë mund të amplifikohej, në çfarë përmasash mund fuqizohej shpalosja e shtresave tekstore e nëntekstore të dramës nga leximi i shkathtë regjisorial i Kushtrim Koliqit! Pyetja e këtillë, që më trokiste në mendjen time pashmangshëm ndërsa e shikoja shfaqjen dhe edhe pas saj, binte e vazhdon të bjerë për këtë dhe për shfaqje të tjera të realizuara e serioze si një kambanë e dhembjes dhe e pakënaqësisë në veshët e mi në kohën kur Teatri Kombëtar i Kosovës ndodhet pothuajse tash e pesë vjet në një “rindërtim e renovim”, jo vetëm skandaloz, por edhe maratonik deri në absurd, në kohën kur do të duhej të binte e të tingëllonte zhurmshëm në veshët e në ndërgjegjen e njerëzve përgjegjës të jetës teatrore në Kosovë (Ministrisë së Kulturës!!!...).

Megjithëse pyetja që shtrova lidhur me mundësinë e amplifikimit, fuqizimit të potencialit artistik të shfaqjes, në fund të fundit është hipotetike, dua të theksoj se edhe në një ambient fizik, i cili shndërrohet në hapësirë teatrore falë dorës regjisoriale, regjisori Kushtrim Koliqi ia ka dalë të artikulojë dramën e traumës së dhunës seksuale e të margjinalizimit të subjektit të dhunuar, dramën e ankthit e të frustracioneve ekzistenciale të një gruaje e të një familjeje të gjymtuar, të pashtegdalje jetësore, me jetën e tyre të dhunuar dje dhe sot. E projektuar në një ambient “kamertal”, me fare pak rekuizita teatrore, në një ambient minimalist skene, shfaqja “Sytë e ujkut” shpalos, nën drejtimin e dorës së sigurt regjisoriale, dramën e qenieve të traumatizuara dhe të margjinalizuara, përmes lojës së shkathtë e të disiplinuar aktoriale të Edona Reshitajt, e cila, me identifikimin dhe transformimet e saja të përpunuara psiko-afektive të kryepersonazhit të shfaqjes deri në detaje, dëshmon për një potencë artistike teatrore. Kësaj shpalosjeje i ndihmon edhe loja e aktores Irena Aliu, e cila, një personazh e rol kompleks, atë të Gjyshes, me gjithë një ton herë pas herë stereotipik, artikulon vazhdimësinë e tragjikes së një familjeje në tri gjenerata dhe e ruan drejtpeshimin e shfaqjes, në përpjekjet e saj për të mbijetuar dhembjen e saj jetësore, të së bijës e të mbesës së saj. Një befasi të llojit të vet përbën loja aktoriale e aktores së re, Albina Krasniqi, e cila një personazh të traumatizuar, të frustruar e me kufizime të shumëfishta psikologjike e emocionale e sjell në skenë natyrshëm dhe bindshëm.

Megjithëse në rol episodik, në episodin final të shfaqjes, Armend Smajli, prezanton bindshëm dhunuesin, kthimi i të cilit te viktima përjetohet si një transmetim i ankthit difuz te viktima e tij, ankth ky i cili e ngrit drejt kulmit përjetimin anksiotik të kryepersonazhit. Krahas kostumit realist, deri në natyralizëm, i cili funksionon brenda shfaqjes (Njomëza Luci), nuk mund të mos e theksoj dimensionin vizual të shfaqjes, lojën e shkathtë me dritat (Skender Latifi), që prodhon, me projeksionet e saj, efekte të fuqishme psikologjike, qoftë, për shembull, në paraqitjen e retrospektivave halucinante të situatave të luftës, qoftë gjatë këngëtimit vajtues të kryepersonazhit, kur e fokuson dhe e fuqizon teatralisht figurën e saj, për çka aktorja Edona Reshitaj meriton edhe njëherë të vihet në spikamë.