Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zhvendoset shtylla elektrike, drejt funksionalizimit objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë që u nis më 2013

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë

Universiteti i Prishtinës të mërkurën ka njoftuar se ka arritur të zgjidhë një prej problemeve më të mëdha infrastrukturore që kishte penguar funksionalizimin e objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV). Shtylla e tensionit të lartë, e vendosur pranë objektit të ri, është zhvendosur, duke hapur rrugën për shfrytëzimin e objektit pas më shumë se një dekade kur nisi ndërtimi i tij.

Sipas njoftimit të UP-së, zhvendosja është realizuar falë angazhimit të menaxhmentit të universitetit dhe drejtuesve të fakultetit, në koordinim ndërinstitucional.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

UP-ja ka bërë të ditur se largimi i shtyllës dhe telave të rrymës në afërsi të objektit garanton siguri më të madhe infrastrukturore dhe krijon kushtet për funksionalizimin e plotë të ndërtesës.

Objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë kishte mbetur jashtë përdorimit për më shumë se dhjetë vjet, për shkak se ishte ndërtuar pranë shtyllës së tensionit të lartë. Ndërtimi pati nisur në vitin 2013. Situata ishte komplikuar edhe nga depot e KEDS-it të vendosura në pronën e UP-së, të cilat pengonin zhvendosjen e infrastrukturës energjetike.

Në dhjetor të vitit 2025, personeli i universitetit kishte bllokuar hyrjen në këto depo, ndërsa rektori Arben Hajrullahu kishte mbajtur konferencë për media më 5 dhjetor, duke paralajmëruar rrezikun real që fakulteti të mos akreditohej për shkak të mungesës së hapësirave adekuate.

Edhe pse KEDS-i ndërkohë ka larguar depot nga hapësirat pranë objektit të ri, UP-ja thekson se vazhdon shfrytëzimi i paautorizuar i disa pronave të universitetit nga ndërmarrje afariste. Rektori ka apeluar tek organet kompetente që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për lirimin e këtyre hapësirave, duke theksuar se pa këtë hap nuk do të jetë i mundur funksionalizimi i plotë i objektit.

“Objekti i ri i FBV-së, i lënë për më shumë se një dekadë në mëshirë të kohës, kërkon tashmë investime shtesë për t’u bërë plotësisht funksionale, me synimin që të presë studentët e rinj dhe ekzistues në shtator të vitit akademik 2026/2027”, thuhet në njoftim.