EXPRESS

Natyra në pëlhurë

Këto piktura të cilat paraqesin ngjyrat e natyrës, nuk janë rezultat i ndonjë kursi, trajnimi a studimeve për pikturë. Janë përkushtim i Valentina Kupinës e cila vullnetin për t’u avancuar në pikturë e ka gjetur kur të tjerët kanë filluar ta vërejnë talentin e saj në këtë fushë.  

Kupina tregon se për ta arritur këtë nivel i ka ndihmuar hulumtimi në internet dhe përjetimi më i thellë i krejt asaj që e rrethon.

“Me pikturu kam filluar më herët. Kanë qenë familjarët dhe shoqëria të cilët nuk kanë hezituar të më tregojnë se kam talent. Pastaj arsimtarë dhe profesorë të këtij profili. Aty kam filluar të fitoj pak vetëbesim dhe e fillova hulumtimin në internet me anë të videove, sidomos Kevin Hill dhe Wilson Bickford kanë qenë dy piktorë nga të cilët i kam mësuar shumicën e detajeve. Edhe këta të dy janë të fokusuar në peizazhe, njësoj edhe unë”. 

Ajo ka thënë se piktura i ofron një mundësi si asgjë tjetër për t’i paraqitur idetë e saj. Këmbalecin me pëlhurë të zbrazët e mban afër në mënyrë që në momentin që gjen inspirim, të pikturojë.

“Gjatë kësaj, kam pasur kohë me i përcjellë deri në detaje si me e realizuar një pikturë deri në përfundim. Nuk i kam ditë as teknikat ose si fillohet me pikturu. Por në momentin që kam dashtë me e fillu pikturën kam kontaktuar njerëz edhe kam pasur shumë interesim që të zhvillohem. Piktura për mua është një hapësirë ku unë i bashkoj idetë e mia. Zakonisht ku kam ndonjë ide pikturoj në atë moment, sepse nëse e lë për më vonë”.

Piktura, përveç që i sjell shumë kënaqësi ndonjëherë edhe përfitime financiare. Kur pikturat e saj i ekspozon në rrjetet sociale, shpesh pranon edhe porosi.
“Punoj edhe me porosi, por zakonisht puna me porosi është më e kufizuar për shkak se dikush po të tregon se çka me pikturu, kjo është një mangësi për mua se unë kam dëshirë të jem e lirë gjatë pikturimit”.

Me akrilik në pëlhurë janë të realizuara pikturat nga Valentina Kupina, e peizazhet mbesin të preferuarat e saj.