EXPRESS

“Jam mirë…” në betejën e brendshme të Isa Boletinit më 1914

Skena e teatrit “Dodona” ka kthyer një kapitull të ngjarjes së shtatorit të vitit 1914. Monodrama “Jam mirë kur a mirë Shypnia” vjen si prezantim i jetës dhe veprimtarisë së Boletinit.

Narrativi pështjellohet me një lloj dëshpërimi të brendshëm që me raste theksohet goxha. Është rebelim ndaj tradhtarëve e tentativave për ta sjellë Perandorinë Osmane në krye të Shqipërisë, ndihmesës që ta pushtojë atë për favore personale. Është edhe lavdia për betejat e rezistencën shqiptare, përkundër mungesës së armatimit.

Në një natë teksa qëndron vetëm nis të qajë hallet me vetveten. Isa Boletini flet për pushtimin e krejt trojeve shqiptare në kohën e udhëheqjes së princ Vidit, por që ishte larguar nga froni. Veç Shkodra kishte mbetur e papushtuar. Duhej të vendoste në do të qëndronte a jo si gjeneral i ushtrisë në vendin ku kishin nisur hasmëritë midis shqiptarëve. “Jam mirë kur á mirë Shypnia” vjen si monodramë për këtë episod të historisë.

Autori i shfaqjes e aktori Adem Zhitopotoku ka thënë se shfaqja vjen si rrjedhojë e hulumtimit disavjeçar për historikun e Isa Boletinit. E ka përmendur edhe aspektin edukativ të monodramës, veçmas të përcjelljes së të dhënave historike te të rinjtë.

“Janë informata që është mirë t’i dijë secili, që asgjë nuk pengon nëse ne e dimë se Iliria ka pasur shtrirje prej rreth një deri tre milionë metra katrorë ndërsa sot jemi një Shqipëri dhe një Kosovë që kanë mbetur shumë pak. Ato plane që përmenden në monodramë vërtet kanë emra dhe autorë. Kanë qenë si rregullim i rendit botëror, por pjesë e atij rendi kanë qenë edhe ilirët dhe ne e kemi pësuar mandej. Prej krejt këtyre ilirëve, veç ne shqiptarët kemi mbërritur ta ruajmë gjuhën shqipe, një ilirishte e re”.

Regjisori i shfaqjes, Faik Gashi, ka theksuar vështirësitë në inskenimin e një shfaqjeje që i përket zhanrit të monodramës.

“Është një pasion i tij për të luajtur dhe për të shkruar tema historike. Sipas tij, ka disa vjet që merret me këtë tekst dhe në bisedë e sipër kemi ardhur në përfundim ta realizojmë një copëz të biografisë së Isa Boletinit. Ka qenë punë e mundimshme, pasi monodrama është zhanri më i vështirë, krejt barra bie mbi aktorin, është teatër i fjalës”.

Historiani Gazmend Boletini, që është stërnipi i Isa Boletinit, ka thënë se në shfaqje janë vuajtjet e personazhit në kohën kur ende të freskëta ishin planet për copëtim. Por, sipas tij, duhet të punohet ende me shfaqjen. Ka thënë se kjo ka qenë mesazh për historianët për të punuar më shumë në trajtimin e kësaj pjese të historisë. 

“Janë 35 vjet luftë për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo ishte një pjesë e jetës së tij. Autori e regjisori e kanë menduar një natë të jetës së Isa Boletinit, se si e ka kaluar atë. Në mendime për çështjen kombëtare. Kjo ishte kuptimplota e kësaj shfaqjeje”.

Repriza e parë e shfaqjes do të jepet në Kullën e Isa Boletinit muajin e ardhshëm, më 30 qershor, kur shënohet nëntëvjetori i rivarrimit të heroit kombëtar.