Festivali tashmë tradicional, unik dhe që e identifikon qytetin, për tri ditë shtriu jehonën në krejt Rahovecin dhe jo vetëm në ditën e parë të tij. Pos programit qendror të “Hardh Fest”, që i kushtohet vjeljes e përpunimit të rrushit, dita e parë e edicionit të 22-të është rrumbullakuar me koncertin madhështor me muzikë rock e pop.
Festivali sivjet ka shënuar rekord sa u përket numrit të verarive që ekspozojnë derisa programi është zgjeruar me aktivitete të tjera. Ngjarja ka zënë vend mu përballë fushave të gjera me vreshta dhe krejt kjo ka ngjarë në sloganin e sivjetmë “Prek n’rrush, shijo n’venë”.
Krahas krejt aktiviteteve brenda hapësirës ku është zhvilluar ngjarja ka qenë një lloj panairi i prezantuar denjësisht për të pranishmit në shtandet e verarive. Aty është bërë edhe pjekja e rakisë në kazanë tradicionalë, si njëri prej aktiviteteve që ka ndërtuar programin e “Hardh Festit”.
Programi i secilës ditë është përthekuar me koncertet e mbrëmjes. Në ditën e parë ka interpretuar e para “DJ Ddion” që me muzikë e ka elektrizuar krejt hapësirën me hite të njohura. Interpretimin e saj unik e ka bërë gërshetimi i këngës së huaj me perlat e muzikës klasike botërore.
Një praktikë e tillë është parë edhe prej bendit “Offchestra” që ka sjellë interpretimin unik me përzierjen e këngëve zbavitëse e tradicionale. Zhanrit të grupit, funk, etno e çka jo tjetër i shtohen ngjyra tradicionale me saksofon.
Lideri i bendit, Sezgin Curi, ka thënë se ka qenë po e njëjta energji e festivalit me atë të para gjashtë vjetëve.
“Në ‘Hardh Fest’ kemi qenë edhe para gjashtë vjetësh. Ka qenë njëjtë si kjo atmosferë e mirë. Mezi kemi pritur të vijmë, është një festival serioz. I përgëzoj organizatorët dhe e falënderoj publikun që e kanë përcjellë energjinë që ne kemi pasur qejf t’ua përcjellin prej skenës”.
Bendi i “EDS & Friends” ka sjellë në version rock instrumentalin e këngës “Destan Begu”, që mes rreshtash përmendet “konaku” i Rahovecit.
Bashkë me bendin, këngëtarët Arlind Kadiri dhe Era Kastrati kanë interpretuar hite të njohura botërore.
“Asgjë sikur dielli” e ka nisur kapitullin e vet në “HardhFest” me “Unë të dua ty”, si këngë e përshtatur për ta rrezatuar te publiku shprehjen e dashurisë. Lideri i bendit, Alban Nimani, shpesh e ka ftuar publikun në këngë.
Interpretimi i këngës “Mendoja çdo gjë merr fund pa ty” e grupit “Gjurmët” dhe i këngës ikonike “A thua ma lehtë pa dhimbje” të Muharrem Qenës ia kanë vënë kapakun interpretimit të “Asgjë sikur dielli”.
Lideri e vokalisti i bendit, Alban Nimani, ka thënë se i kanë rikthyer këto këngë për t’i ngjalluar ato në kujtesën e publikut, por edhe si falënderim për artistët.
“Për mua muzika dhe skena është një telepati, njëfarë ndjenje hyjnore kur lidhesh me diçka që s’mund ta refuzosh, diçka madhore për mua. Skena është si një hipnotizim, si transport në një planet tjetër”.
Kulmi i koncertit ka qenë edhe interpretimi njëorësh i bendit “Jericho” që zgjati deri pas mesnate. Bendi me lider Petrit Çarkaxhiun ka sjellë rrëfimet unike të këngëve “Kanga jonë”, “Kanga e ashikëve”, “Kur do t’pushojë kjo kangë” e “Zgjohu”. Tematikën e këngës “Shkaba” ua ka dedikuar disa prej ish-luftëtarëve që kanë qenë të pranishëm në rreshtat e parë të publikut. Me ngjyrat e rockut e energjinë në skenë, bendi u ka dhënë shpirt edhe këngëve “Albanian Rhapsody” e “Ali Pasha i Janinës”, këngës së fundit në repertorin e bendit.
Sivjet një aktivitet i ri që është përfshirë ka qenë edhe gara e vrapimit me gotat e mbushura me verë derisa në ditën e parë është zhvilluar edhe biseda me temë “Etnoturizmi dhe arkitektura” në kuadër të programit “Hardh Talk”.
Drejtori i festivalit, Agron Sokoli, Festivalin unik e ka veçuar edhe si promovues të produktit vendor.
“Festivali është origjinal, është i lehtë të organizohet, nuk është si të tjerët. Pastaj nuk është festival komercial, produktin e ka brenda. Vreshtat janë tonat, verërat janë nga vendi ynë, nuk ka nevojë të sjellim nga jashtë për të bërë festival. Baza e festivalit është vreshtaria, prej ku promovojmë verën, rakinë dhe muzikën, që të gjitha shkojnë bashkë”.
“HardhFest” e ka bërë traditë që listës së artistëve të njohur vendorë t’u shtojë edhe ata të skenës botërore ku të shtunën kanë interpretuar “Maarvel” dhe bendi “DSL Dire Straits Legacy”.
Vitin e kaluar “HardhFesti” ishte organizuar nën sloganin “Ca kokrra rrushi”, në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar të lindur në Rahovec, Xhevdet Bajraj, i cili vdiq në qershor të vitit të kaluar. Mes aktiviteteve, një orë poetike i është kushtuar pikërisht atij të dielën, në ditën e fundit të edicionit të 22-të të “HardhFest”.