Shtojca për Kulturë

“Hardh Fest” me shijen e verës në ritëm muzike

“Prek n’rrush, shijo n’venë” është slogani i edicionit të sivjetmë të “Hardh Festit” dhe një formulim i tillë mund të zbërthehet në forma të ndryshme. I bashkon energjia. Shija e verërave, promovimi i tyre e i rakisë janë konstante. Muzika e ngjarjet përcjellëse – energjia shtesë. Krejt bashkë, përbëjnë ngjarjen unike, e cila ka kohë që ka bërë emër jo vetëm në Rahovec a në Kosovë

Festivali tashmë tradicional, unik dhe që e identifikon qytetin, ka shtrirë jehonën në krejt Rahovecin dhe jo vetëm. Ka tërhequr edhe publikun e huaj. Pos programit qendror të “Hardh Fest” që i kushtohet vjeljes e përpunimit të rrushit, dita e parë e edicionit të 22-të është rrumbullakuar me koncertin madhështor me muzikë rock e pop. Festivali sivjet ka shënuar rekord sa u përket numrit të verarive që ekspozojnë derisa programi është zgjeruar me aktivitete të tjera.

Ka vite që tashmë dihet koha e lokacioni i “Hardh Festit”. Shenjat e ngjarjes vërehen nga larg, ani pse nis pa shumë paralajmërime. Drejtimi i rrugës së ngarkuar mund të merret si udhërrëfyes për vendndodhjen e ngjarjes, sikurse edhe atmosfera që nis qysh në mesditën e së premtes. Gjithçka ngjan e ndërlidhet me kultivimin e kulturës rahoveciane.

Ngjarja zë vend mu përballë fushave të gjera me vreshta. Shitësit veçse pozicionojnë produktet e tyre para hyrjes në hapësirën ku zhvillohen aktivitetet. Krejt kjo ka ngjarë në sloganin “Prek n’rrush, shijo n’venë” të Festivalit. Një pritje e ngrohtë e stafit organizues rrezaton në krejt publikun që zbret shkallëve në ambientin tejet atraktiv. E po aty ka pasur zgjedhje të larmishme të produkteve për ta shijuar verën.

Sa shkonte e bie muzgu, del në pah shkëlqimi i dritave dekoruese në korridoret e ngushta rreth shtandeve të verarive e kafeneve në anën tjetër. Është një lloj panairi i prezantuar denjësisht për të pranishmit. Aty bëhet edhe pjekja e rakisë në kazanë tradicionalë, si njëri prej aktiviteteve që e ndërton programin e “Hardh Festit”.

Image
“Offchestra” që ka sjellë interpretimin unik

Skena është tjetër pjesë që e bën madhështore ngjarjen dhe qysh në ditën e ka parë ka paralajmëruar herët se publikut do t’i ofrojë mbrëmje të paharruar muzikore. Madje edhe përgatitjet paraprake të zërimit kanë qenë koncert më vete. E kanë shoqëruar publikun derisa ka zënë vendet për ta shijuar koncertin.

E para që është shfaqur në skenë ka qenë “DJ Ddion” si ngrohje për argëtim që ka vazhduar deri pas mesnate. Ajo e ka elektrizuar krejt hapësirën me hite të njohura. Me të madje e ka ftuar publikun për një meditim të shkurtër që adresë kishin ndjesinë e tingujve të improvizimit të saj. Interpretimin e saj unik e ka bërë gërshetimi i këngës së huaj me perlat e muzikës klasike botërore.

Një praktikë e tillë është parë edhe prej bendit “Offchestra” që ka sjellë interpretimin unik me përzierjen e këngëve zbavitëse e tradicionale. Prej atyre të DJ të njohur ndërkombëtarisht, e deri në përzierjen e zhanreve të këngëve shqipe prej elektronikes e gjer në popullore. Shpesh tingulli identifikon tjetër interpretim, por “Offchestra” befason me një këngë që mendja e ka kohë që nuk ishte dëgjuar. Zhanrit të grupit, funk, etno e çka jo tjetër i shtohen ngjyra tradicionale me saksofon.

Lideri i bendit, Sezgin Curi, ka thënë se ajo çfarë ata e interpretojnë është çfarë buron prej brenda dhe çfarë u pëlqen njerëzve.

“Është diçka që na vjen prej zemre, prej shpirtit. E zgjedhim zhanrin që përshtatet me zhanrin tjetër dhe e bëjmë’, ka thënë Curi që me energjinë e tij në skenë ka ndezur publikun në Rahovec.

Sipas tij, është po e njëjta energji prej koncertit të tyre të fundit në Festival. “Në ‘Hardh Fest’ kemi qenë edhe para gjashtë vjetësh. Ka qenë njëjtë si kjo atmosferë e mirë. Mezi kemi pritur të vijmë, është një festival serioz. I përgëzoj organizatorët dhe e falënderoj publikun që e kanë përcjellë energjinë që ne kemi pasur qejf t’ua përcjellin prej skenës”, ka thënë Curi.

Image
“Asgjë sikur dielli” e ka nisur kapitullin e vet në “HardhFest” me “Unë të dua ty”, si këngë e përshtatur për ta rrezatuar te publiku shprehjen e dashurisë

Atmosfera e festivalit “Hardh Fest”, ngjan se po bëhet çdoherë më intensive. Krejt kohën hyrja kryesore ka qenë e vërshuar me njerëz. Turma është bërë më e dendur e krejt bashkë kanë qenë një me meloditë e muzikës. Bendi i “EDS & Friends” kanë sjellë në version rock, instrumentalin e këngës “Destan Begu” që mes rreshtash përmendet “konaku” i Rahovecit.

Bashkë me bendin, këngëtari Arlind Kadiri ka interpretuar hitet botërore “Locked Out Of Heaven” të Bruno Mars, “Beggin” të bendit italian “Maneskin” dhe “Sex on fire” të “Kings of Leon”.

Kadiri që jeton në Kanada, dhe atje po zhvillon karrierë në muzikë, është shprehur i lumtur me pritjen e publikut në Rahovec. Aty kishte interpretuar edhe në edicionin e “Hardh Fest” në vitin 2019.

“Jam kënaqur shumë, kam pasur shumë energji që e kam marrë prej njerëzve në Rahovec. I kam dëgjuar shumë shpesh këto këngë dhe me bend ne mundemi t’i këndojmë ato shumë mirë”, ka thënë Kadiri.

Pas tij, bendit i është bashkuar artistja e re, Era Kastrati. Ka interpretuar këngë nga repertori i ikonës së ‘R&B’, ‘reggae’ dhe jazz - Amy Winehouse. Gjithashtu ka interpretuar edhe këngën “Tavolina e mërzisë” të Elvana Gjatës.

“Më pëlqen t’i përshtatem Festivalit, pasi ka më shumë muzikë rock dhe në bazë të ngjarjes i kam përzgjedhur disa prej këngëve që më kanë pëlqyer”, ka thënë ajo. Për Kastratin ka qenë hera e parë që ka interpretuar para publikut në Rahovec.

“Asgjë sikur dielli” e ka nisur kapitullin e vet në “HardhFest” me “Unë të dua ty” si këngë e përshtatur për ta rrezatuar te publiku shprehjen e dashurisë. Lideri i bendit, Alban Nimani, shpesh e ka ftuar publikun në këngë. Me paraqitjen në skenë, që pos këndimit përcillet edhe me performancë unike, ka sjellë shumë energji. Ka rikthyer kujtesën e publikut edhe me këngët “Adresa” dhe “Shqiptar”.

Interpretimi i “Mendoja çdo gjë merr fund pa ty” e grupit “Gjurmët” dhe i këngës ikonike “A thua ma lehtë pa dhimbje” të Muharrem Qenës i kanë vënë kapakun interpretimit të “Asgjë sikur dielli”.

Lideri e vokalisti i bendit, Alban Nimani, ka thënë se i kanë rikthyer këto këngë për t’i ngjalluar ato në kujtesën e publikut, por edhe si falënderim për artistët.

“Për mua muzika dhe skena është një telepati, njëfarë ndjenje hyjnore kur lidhesh me diçka që s’mund ta refuzosh, diçka madhore për mua. Skena është si një hipnotizim, si transport në një planet tjetër”, ka thënë Nimani derisa ka treguar se hera e fundit kur kanë interpretuar në “Hardh Fest” ka qenë nja tetë vjet më parë.

“Ka shumë vjet, më duket se në vitin 2015 kam qenë për herë të fundit. Ka qenë një festival që sapo kishte nisur, një festival i vogël dhe kur erdha u habita për të mirë. ‘HardhFesti’ është rritur, është shumë ndjenjë e mirë të shohim se diçka e mirë po zhvillohet në Kosovë në formën e një festivali ndërkombëtar, jo vetëm lokal’, ka thënë artisti Nimani.

Kulmi i koncertit ka qenë edhe interpretimi njëorësh i bendit “Jericho” që zgjati deri pas mesnate. Entuziazmi i publikut ka shpërthyer. Me lider Petrit Çarkaxhiun - vokalist, Visar Rexhën në bateri, Leonard Canhasin në kitarë dhe Edi Gjinollin në bas, bendi ka elektrizuar krejt hapësirën me repertorin që përfshin mbi dy dekada krijimtari.

“Kanga jonë”, “Kanga e ashikëve”, “Kur do t’pushojë kjo kangë” e “Zgjohu” kanë qenë disa prej krijimeve të bendit që kanë sjellë rrëfime të veçanta. Tematikën e këngës “Shkaba” ua ka dedikuar disa prej ish-luftëtarëve që kanë qenë të pranishëm në rreshtat e parë të publikut. Me ngjyrat e rockut e energjinë në skenë, bendi u ka dhënë shpirt edhe këngëve “Albanian Rhapsody” e “Ali Pasha i Janinës”, këngës së fundit në repertorin e bendit.

Image
Kulmi i koncertit ka qenë edhe interpretimi njëorësh i bendit “Jericho”

Drejtori i festivalit, Agron Sokoli, ka thënë se organizimi i ka tejkaluar pritjet e stafit për nga pjesëmarrja e publikut.

“Njerëzit kanë filluar të vijnë nga gjithë viset, kemi mysafirë edhe nga jashtë, nga Spanja, Meksika, Turqia”, ka thënë ai. Gjeografia e mysafirëve për netët pasuese shtrihet edhe në Greqi, Bullgari e Maqedoni. Sokoli ka treguar se sivjet numri i verarive të ekspozuara ka arritur në 26 sosh, numër rekord i Festivalit. Këtë edicion për herë të parë janë përfshirë edhe pesë ndërmarrje nga Shqipëria.

Sivjet një aktivitet i ri që është përfshirë ka qenë edhe gara e vrapimit me gotat e mbushura me verë derisa në ditën e parë është zhvilluar edhe biseda me temë “Etnoturizmi dhe arkitektura” në kuadër të “Hardh Talk”.

“‘HardhTalk’ është njëlloj konference që mbahet në ‘HardhFest’ ku gjithmonë zgjidhen temat e turizmit rural. Sivjet është diskutuar një temë shumë interesante për etnoturizmin dhe arkitekturën. Koncertet janë prej aktiviteteve që e finalizojnë një ditë të suksesshme. Sot ka qenë edhe një garë shumë interesante, një risi në ‘Hardh Fest’ të cilën e kanë bërë qytetarët. Kanë bartur gota me verë duke vrapuar dhe ai të cilit nuk i është derdhur gota e ka fituar garën”, ka thënë Sokoli.

Festivalin unik e ka veçuar edhe si promovues të produktit vendor. “Festivali është origjinal, është i lehtë të organizohet, nuk është si të tjerët. Pastaj nuk është festival komercial, produktin e ka brenda. Vreshtat janë tonat, verërat janë nga vendi ynë, nuk ka nevojë të sjellim nga jashtë për të bërë festival. Baza e festivalit është vreshtaria, prej ku promovojmë verën, rakinë dhe muzikën, që të gjitha shkojnë bashkë”, ka thënë Sokoli.

Programi i larmishëm me vjeljen dhe përpunimin e pijeve prej rrushit, muzikë e të tjera ngjarje ka vijuar edhe të shtunën, ku kanë interpretuar emra të skenës botërore të muzikës si “Maarvel” dhe bendi “DSL Dire Straits Legacy” derisa përmbyllet sot (e diel).

“HardhFest” e ka bërë traditë që listës së artistëve të njohur vendorë t’u shtojë edhe ata të skenës botërore. Edicionin e kaluar kishte interpretuar një prej emrave me nam të rokut, Kip Winger që kishte qenë pjesë e rock grupit të famshëm “Alice Cooper”.

Vitin e kaluar, “HardhFesti” ishte organizuar nën sloganin “Ca kokrra rrushi”, në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar të lindur në Rahovec, Xhevdet Bajraj, i cili vdiq në qershor të vitit të kaluar. Ky slogan kishte për bazë librin poetik të Bajrajt, “Ca kokrra rrushi Rahoveci”. Mes aktiviteteve, në ditën e fundit të Festivalit një orë poetike i kushtohet pikërisht atij, ndërsa koncerti në mbrëmje shënon mbylljen e edicionit të 22-të.