EXPRESS

“Futja ngjyrë” nëpër muret e Mitrovicës

Në disa lokacione të qytetit të Mitrovicës muret e objekteve të ndryshme e urave janë veshur me ngjyra e figura karakteristike për këtë qytet. Projekti “Promajë” i zbatuar nga organizata “Futja Ngjyrë” erdhi si nismë me qëllimin e vënies në pah të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të qytetit. Bardhyl Dobroshi, udhëheqës i organizatës, ka thënë se e veçanta e projektit qëndron te fakti se pjesa më e madhe e atyre që punuan nuk janë nga Mitrovica dhe se nuk janë artistë që bëjnë murale, por këtë formë arti e kanë mësuar nga trajnimet.

“‘Promajë’ është projekt i zbatuar prej organizatës ‘Futja Ngjyrë’. Si koncept dhe si projekt është duke u zhvilluar që nga viti 2016, por në 2022-tën kemi marrë financim nga UNDP-ja në kuadër të programit ‘Reload 2’. Ideja ka qenë të marrim të rinj e të reja nga e tërë Kosova dhe t’i mësojmë si të bëjnë murale dhe editim të videove, me i bashkua këto dy aftësi dhe në fund të dalin me një produkt. Tash jemi në fazën e përfundimit të muraleve. E tërë esenca e këtij projekti është vënia në pah e trashëgimisë kulturore të Mitrovicës”.

Dobroshi thotë se projektin e kanë çuar përpara pikërisht përkushtimi i pjesëmarrësve dhe gatishmëria e tyre për të mësuar gjëra të reja për qytetin e Mitrovicës.

“Krejt është punë vullneti. Pjesëmarrësit kanë qenë të gjithë me vullnet të mirë. Të gjitha punët janë kryer për shkak të përkushtimit të tyre. Ne ia kemi dalë, po pjesëmarrësit ia kanë dalë më shumë se kanë qenë të interesuar me mësua diçka të re”.

Muza Erato, peshkatarët edhe monumente të ndryshme janë të paraqitura në murale gjithandej Mitrovicës. Secili nga to shpalos një pjesë të historisë së këtij qyteti.

“Te muralet janë munduar edhe artistët edhe pse pjesa më e madhe e tyre nuk janë nga Mitrovica, janë munduar të gjejnë gjëra karakteristike të Mitrovicës. Në një nga muralet është e paraqitur Muza Erato që është e gjetur në Mitrovicë. Edhe pse skulptura është shumë e vogël dhe duket ndryshe, artistja e ka kthyer komplet në pjesë tjetër. Në një mural tjetër është i paraqitur një peshkatar. Edhe kjo tregon për një pjesë të trashëgimisë së Mitrovicës”.

Projekti “Promajë” do të përmbyllet me realizmin e një videoje ku do të promovohen pjesë të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës.