Organizata “Futja ngjyrë” në Mitrovicë është në finalizim të projektit, i cili nëpërmjet muraleve ka për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të qytetit. Prej muajit tetor, gjithandej nëpër Mitrovicë muret kishin nisur të marrin ngjyra nëpërmjet veprave me veçanti për qytetin
Arti në përgjithësi është një mënyrë për të frymëzuar dhe nxitur mendimet e masës ashtu siç mund ta bëjnë pak mjete të tjera. Kur arti bëhet pjesë e përditshmërisë dhe haset në rrugët që kalohen çdo ditë nga qindra njerëz, ndërveprimi i artistit me ta bëhet i fortë për të krijuar ndikim pozitiv dhe mbështetje për një qëllim të përbashkët.
Me qëllimin e vënies në pah të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të qytetit, në disa lokacione të Mitrovicës, muret e objekteve të ndryshme apo poshtë urave janë veshur me ngjyra e figura karakteristike për qytetin buzë Ibrit. Projekti titullohet “Promajë” dhe është organizata “Futja ngjyrë” që po e jetëson atë.
Bardhyl Dobroshi, udhëheqës i organizatës, ka thënë se e veçanta e projektit qëndron te fakti se pjesa më e madhe e atyre që punuan nuk janë nga Mitrovica dhe se nuk janë artistë që bëjnë murale, por këtë formë arti e kanë mësuar nga trajnimet.


“‘Promajë’ është projekt i zbatuar prej organizatës ‘Futja ngjyrë’. Si koncept dhe si projekt është duke u zhvilluar që nga viti 2016, por më 2022 kemi marrë financim nga UNDP në kuadër të programit ‘Reload 2’. Ideja ka qenë të marrim të rinj e të reja nga e tërë Kosova dhe t’i mësojmë si të bëjnë murale dhe editim të videove, me i bashku këto dy aftësi dhe në fund të dalin me një produkt. Tash jemi në fazën e përfundimit të muraleve. E tërë esenca e këtij projekti është vënia në pah e trashëgimisë kulturore të Mitrovicës”, ka thënë Dobroshi.
Tridhjetë artistë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë mbledhur në Mitrovicë, secili për ta kthyer në art vizionin e vet për qytetin.
Dobroshi ka thënë se interesimi i tyre për historinë e qytetit dhe përkushtimi gjatë procesit të punës e kanë çuar përpara projektin.
“Në total i kemi pasur 80 aplikime për murale, po ashtu edhe editim të videove. Kemi pasur mundësi t’i marrim vetëm 30 pjesëmarrës. Nuk është se të tjerët kanë qenë me pak të mirë, por duke marrë parasysh se shumë prej tyre nuk jetojnë në Mitrovicë dhe kanë obligime të tjera, është dashur të koordinohemi me oraret e tyre. Krejt është punë vullneti. Pjesëmarrësit kanë qenë të gjithë me vullnet të mirë. Të gjitha punët janë kryer për shkak të përkushtimit të tyre. Ne ia kemi dalë, po pjesëmarrësit ia kanë dalë më shumë sepse kanë qenë të interesuar për të mësuar diçka të re”, ka thënë Dobroshi.

Muza Erato është një prej artefakteve të rëndësishme që është gjetur në Mitrovicë. Ajo bashkë me peshkatarët edhe monumente të ndryshme janë të paraqitura në murale gjithandej Mitrovicës. Secili nga to shpalos një pjesë të historisë së këtij qyteti.
“Edhe artistët, edhe pse pjesa më e madhe e tyre nuk janë nga Mitrovica, janë munduar të gjejnë gjëra karakteristike të Mitrovicës. Në një nga muralet është e paraqitur muza Erato, që është e gjetur në Mitrovicë. Edhe pse skulptura është shumë e vogël dhe duket ndryshe, artistja e ka kthyer komplet në pjesë tjetër. Në një mural tjetër është i paraqitur një peshkatar. Edhe kjo tregon për një pjesë të trashëgimisë së Mitrovicës”, ka thënë Dobroshi.
Projekti “Promajë” do të përmbyllet me realizmin e një videoje, ku do të promovohen pjesë të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës, e shpalosur me anë të pamjeve nga pjesëmarrësit në projekt.
