Ka diçka të magjishme tek Elina Duni në skenë: performancat e saj përherë janë unike, koncertet janë gjithmonë premierë. Jazzi është bota e pakufishme dhe kantautorja e shquar shqiptare ka kohë që e ka gjetur formulën. Njësoj e veçantë ka qenë edhe mbrëmja me të në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Për Dunin, festë e dyfishtë. Të premten mbrëma ka kremtuar 15 vjet në muzikë.
Bendin e ka kompletuar kitara e Rob Luft dhe fizarmonika e Gent Rushit nga Tirana, Viktor Filipovski nga Shkupi është pozicionuar në bateri e shkupjani tjetër Kiril Tufekcievski në kontrabas. Grupi interpretues që do të ndizte atmosferën u kompletua kur në skenë është bashkuar edhe Elina Duni. U transmetua direkt, ekskluzivisht në Kohavision.
“Më bëri të ndihem shumë mirë. Unë jam gjithmonë e emocionuar kur vij në Prishtinë. Gjithashtu prej faktit se ka aq shumë të rinjë dhe të reja që vijnë dhe dëgjojnë muzikën dhe kënaqen më të e rigjejnë këngët e vjetra nëpërmjet meje. Gjithashtu kisha kohë pa bërë një koncert të madh në Prishtinë dhe jam shumë e lumtur që u bë me rastin e Pavarësisë”.
“Unë kam një repertorë shumë të madh me shumë këngë sepse kam 15 vjet që e këndoj këtë repertori. Po mundohesha të zgjidhja këngë që nuk I kam kënduar edhe aq shpesh këto kohët e fundit dhe këngë që publiku I njeh. Por edhe disa këngë më të reja. Kështu që ishte një lloj miks këngësh”.
Për Rob Luft koncertet para publikut kosovar po bëhen të zakonshme tashmë. Pos në “Peja Jazz”, bashkë me Dunin kishte interpretuar edhe në festivalin e filmave të animuar “Anibar”. Kitaristi e kompozitori ka thënë se muzikën shqipe e përbëjnë këngëtarë e kompozitorë të jashtëzakonshëm.
“Është gjithmonë ndjesi e mirë, më pëlqen të luaj këtë lloj të muzikës, ka këngëtarë e kompozitorë shumë të mirë, si Muharrem Qena, Nexhmije Pagarusha dhe është thjesht muzikë e mirë dhe shpresoj ta ndaj me shokët e mi në Angli dhe t’u tregoj për këtë muzikë të bukur folklorike nga ky regjion i Ballkanit”.
Edhe
Elina Duni me grup në gërmim thesaresh të muzikës shqipe
Organizatori i koncertit, Kushtrim Dushi, ka treguar se janë shitur 850 bileta, çmimi i të cilave ka qenë 10 euro. Për Dushin, bileta ka qenë e lirë për një artiste si Elina Duni, derisa interesimin e madh e ka vlerësuar rrjedhojë të interpretimit të saj e organizimit të mirë.
“Interesimi ishte shumë i madh, biletat janë shitur tri ditë para koncertit. Prej kur e kemi bërë njoftimin që biletat janë në shitje prej 4 janarit dhe jemi përgatitur thuaja një muaj e gjysmë para koncertit, e patë edhe rezultatin që kanë qenë shumë njerëz. Ka pasur shumë kërkesa dhe më vjen keq për ata që nuk kanë mundur t’i blejnë biletat”.
Pas koncertit të Elina Dunit, interpretimin me muzikë jazz e funk e ka vazhduar grupi “Soulmate Kasheme”.