EXPRESS

Elbenita Kajtazi me “Carmen” debuton në Paris

Opera “Carmen” e Georges Bizetit ishte dhënë premierë në vitin 1875 në “Opera Comique” në Paris. Pas gati një shekulli e gjysmë, po në këtë skenë rolin e Micaelas do ta interpretojë sopranoja Elbenita Kajtazi.

Kajtazi ka disa vjet që ka agjendë të ngjeshur nëpër sallat më të famshme operistike. Me një karrierë e cila përherë është në ngritje, Kajtazi ka performuar disa nga rolet më të rëndësishme të botës operistike, përfshirë Manon, në operën me të njëjtin titull të Jules Massenet, atë të Nannettas në “Falstaff” të Verdit e shumë të tjera. E me rolin e Micaelas ajo debuton në Paris.

“Provat janë duke shkuar jashtëzakonisht mirë. Jam shumë, po shumë e lumtur që do të jem pjesë e këtij produksioni të ri që përmban emra jashtëzakonisht të rëndësishëm të botës operistike. Regjisor i këtij produksioni është Andrea Homoki, i cili njëkohësisht është edhe drejtori kryesor i ‘Operës së Zürichit’. Pas paraqitjes sime që pata atje në rolin e Konteshës nga opera ‘Dasma e Figaros’ atij i kam lënë përshtypje shumë të mira”, deklaroi Kajtazi.

Por kalendari i Elbenita Kajtazit është i ngjeshur. Ajo do të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në Francë, ku më 9 maj do ta luajë Zhulietën nga opera e famshme “Romeo dhe Zhulieta”.

“Më pas do të kem debutimin e radhës në qytetin Rouen në Normandi, jo shumë larg Parisit. Një tjetër shtëpi operistike me një histori të mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme. Aty do të interpretoj rolin e Zhulietës nga opera ‘Romeo dhe Zhulieta’ e kompozuar nga Charles Gounod. Pra, prapë një shtëpi operistike në Francë, me një kompozitor francez, me një vepër prapë franceze”.

Premiera e operës “Carmen” do të jetë më 24 prill, për të vazhduar pastaj në datat 26, 28, 30 si dhe 2 dhe 4 maj. Do të transmetohet live në televizionin prestigjioz “Arte France”.