Është një punë me ditë e orë të tëra deri te produkti final. Për nja dhjetë sekonda animacion, duhen qindra skica. Ideja, skenari, personazhet janë pjesa tjetër. E krejt ky proces, që nga projektimi i idesë fillestare e deri në realizimin e projektit, i shpaloset publikut me “Animated Worlds”.
Eksperimentimi në mediumin e tyre, ku shpesh skicat fillestare vijnë krejtësisht të transformuara në punën finale, është një prej elementeve të para të ekspozitës që bie në sy. Aty shpaloset ndërtimi i rrëfimit të filmit të animuar. Sipas autorëve të ekspozitës, për një sekuencë filmi që zgjat mes pesë deri në dhjetë sekonda, nevojiten mbi 200 skica figurash.
Tre vjet pune të animatorëve Flaka Kokolli, Ari Zharku dhe Fatlum Neziri shpalosen në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë. Ekspozita, pos kësaj, kurorëzon edhe dy vjet bashkëpunimi midis artistëve në kolektivin e specializuar në video dhe filma të animuar “Pink-i”. Ekspozita është e fundit ngjarje që e mban të bashkuar treshen.
Bashkautorja e ekspozitës e regjisorja e filmave të animuar, Flaka Kokolli, ka thënë se prej qëllimeve kryesore të shpalosjes së punës së tyre ka qenë t’i tregohet publikut krejt procesi i realizimit të një projekti animacioni.
“Punët që shihen në ekspozitë janë të nxjerra prej kësaj periudhe dyvjeçare që kemi punuar dhe shumica prej tyre janë pjesë të nxjerra prej animacioneve që nuk janë parë më herët, pra produkti final. Kemi nxjerrë pre-produksion, që i bie, skicat fillestare, konceptet derisa kemi ardhur te pjesa përfundimtare, ilustrime e background, gjithçka që ka qenë paraprakisht para rezultatit final”.
Dizajni fillestar i karaktereve, ngjyrat, skicat e para e deri tek ato finale, bashkangjitur me video-instalacionin ku vizualizohet prej puna, janë pjesë e ekspozitës së kuruar nga artistët Shkamb Jaka dhe Laureta Hajrullahu.
Përderisa Kokolli kishte studiuar animacionin në Hungari, Ari Zharku dhe Fatlum Neziri kishin përvetësuar njohuritë në akademinë “Anibar”. Për herë të parë kanë bashkuar artin e tyre në një ekspozitë të vetme. Pikërisht animacioni i kishte bërë bashkë dhe prej atëherë botën e eksplorojnë nëpërmjet tij.
Punimet e Nezirit përfshijnë kryesisht stripa, por qëllimi është animacioni në përgjithësi.
“Ideja jonë pak a shumë e ka të shfaqet procesi 5 a 10-sekondësh i animuar që duket shumë shkurt, por merr me javë, me muaj punë. Kemi bërë ndarje të atyre elementeve. Njerëzit që kanë ardhur kanë mundur të shohin skica, ‘cell paper’ ku kanë munduar të shohin ndarjen e prapavijës me karakterin që është tamam një pikturë, më në fund është dhënë edhe animacioni për të parë si përmbledh krejt këto gjëra në fund”.
Sekuenca të filmave “Shpija”, “Ninulla F”, videos muzikore “Small Intimacies” e të tjerave projekte komerciale e ndërtojnë klipin përmbledhës të krejt materialeve të ekspozitës.
Për Ari Zharkun, animacioni është medium tejet atraktiv me të cilin është lidhur që në fëmijëri.
“Industria e animacionit është shumë e zhvilluar, ka histori. Ndoshta në vitet 2000, pak më vonë ia kanë nisur kosovarët të bëjnë animacione, por nuk ka pasur diçka shumë serioze. Pasi ka shumë pak persona që merren me animacion, çdo person duhet t’i bëjë krejt. Sfondet, animacionet, regjinë, skriptën me raste, kështu që secili punon gjithçka”.
Ekspozita “Animated Worlds”, që vjen në kuadër të asaj që Shtëpia e Evropës ka quajtur si “Vala e re”, qëndron e hapur deri më 11 gusht.