Kulturë

Sfidat e animatorëve për pesë sekonda animacion, pesë muaj punë

Ekspozita që shpalos prapaskenat e punës së tyre i ka bashkuar sërish Flaka Kokollin, Ari Zharkun e Fatlum Nezirin. Kësaj radhe jo për të shpjeguar ato që sjell ekspozita “Animated Worlds”, por për të rrëfyer sfidat me të cilat përballen. Se duhen pesë muaj punë për nja pesë sekonda, tregon goxha

Ekspozitën “Animated Worlds”, animatorët Flaka Kokolli, Ari Zharku dhe Fatlum Neziri e kanë përmbushur me shpjegimet për sfondin e krejt punës. Në hapësirën ku janë rrethuar me disa prej punimeve ku është zbërthyer procesi i punës së tyre, detajet për animacionin janë bërë edhe më të thjeshta. Të paktën në të kuptuarit e pjesës teknike dhe fazave që duhen ndjekur për të krijuar një skenë prej disa sekondash. Përtej ekspozitës ka qenë rrëfimi për punën e kolektivit “Pinki-I” në realizimin e animacioneve dhe mbijetesën e profesionit të tyre.

Talenti e dashuria për artin e animacionit mund të vërehen qartë sapo tre animatorët e gjeneratës së re nisin të flasin.

“Është e çuditshme kur e mendon se ka pasur animatorë të tjerë që kanë qenë në të njëjtën fazë sikurse ne. Tash nëse i kërkon, nuk i gjen më”, ka qenë njëri prej tregimeve të Fatlum Nezirit në nisje të bisedës. Zvarritjet dhe procedurat e gjata të cilave Flaka Kokolli u referohet si “letrat në tavolinë”, në institucione si Ministria e Kulturës e Qendra Kinematografike dhe pritjet e gjata për përkrahje, kanë qenë disa prej atyre që tërthorazi kanë folur për këmbënguljen e tyre për t’u marrë me animacion.

Ekspozita “Animated Worlds”, që ishte hapur më 26 qershor në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, ka qenë një lloj galerie që zbërthente prapaskenat e filmit të animuar e animacionit në përgjithësi. Aty janë ende të ekspozuara stripa e video muzikore si një lloj dosje pune për secilin projekt. Sipas animatores Kokolli, “shumica e njerëzve që kanë qenë në ekspozitë, e kanë ditur sa e vështirë ka qenë të bërit animacion”.

Filmi i saj i shkurtër “Shpija” ka qenë njëri prej projekteve që është zbërthyer për publikun. Të enjten mbrëma e ka shpalosur edhe tregimin se si kishte nisur të realizohej krejt ideja. Ishte vendosur në Prishtinë dhe ndjesia për shtëpinë po e ndiqte kudo.

“Kam qenë duke folur për shtëpinë në përgjithësi dhe thashë se nga po shkoj, po më duket se po më vjen pas. Nuk po më lejon të dalë nga shtëpia. Thashë se kjo është ajo tema. Skriptë nuk ka pasur, ajo ka qenë problem. Tash jam duke punuar për herë të parë në një skriptë. E kam bërë ‘storyboard-in’, sepse atë kohë kam qenë duke e menduar edhe vizualisht, mandej kam shkruar çfarë po shihet”, ka treguar Kokolli, njëra prej animatoreve më të shquara të gjeneratës së vet, e shkolluar në Budapest. Në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar”, me “Ninulla F”, fitoi në garën e videoanimacionit muzikor. Po në këtë garë qe konkurrente edhe me “Këtu – Different Dreams”, i cili mban vulën e saj e të Nora Jusufit.

Animatori Fatlum Neziri ka thënë se u është dashur të përshtatnin praktikën e tyre për t’iu përafruar stilit të secilit.

“Nëse do të zgjidhnim një stil, do të thoshte të sakrifikonim të gjithë nga pak prej asaj çfarë kemi dashur të bëjmë e që nuk ka pasur nevojë ta bëjmë. Për projekte më komerciale a më specifike, që nuk kanë qenë filma, e kemi bërë një stil për të që ka qenë mesatar për të gjithë, ka qenë më lehtë”, ka thënë Neziri.

Për Kokollin, puna e përbashkët ka qenë më e lehtë përderisa kishin vendosur kriteret se me çfarë projekte do të merreshin.

“Ka pasur një lloj ndarjeje. E kemi ditur se çfarë do të bëjmë e çfarë jo. Kemi qenë të hapur të eksperimentojmë, por kanë qenë disa gjëra që definitivisht nuk kemi dashur të merremi me to. Ajo ka qenë shumë më e lehtë. Shumicën e punëve i kemi pasur me klienti, atë e kryen në fillim. E kemi pasur gjithashtu disa tema me të cilat nuk kemi dashur të merremi, kanë qenë temat politike, temat që ndërlidhen me mospajtimet, kryesisht çështje politike”, ka thënë Kokolli.

Ari Zharku ka shpalosur një pjesë tjetër në realizimin e një animacioni. “Edhe kur nuk ka animacioni zë duhet ta shkruash, si skript legjitim, pasi duhet të jetë një dokument ekzistues. Ne nuk është se pasur rastin të shkruajmë një dialog për diçka të animuar”, ka thënë Zharku. Kolektivin “Pink-I” e ka vlerësuar si gërshetim të tri stileve në një.

Në fakt ekspozita “Animated Worlds” ka qenë e fundit ngjarje që i ka bashkuar pasi tash e tutje do të veprojnë si animatorë individualë.

Shkamb Jaka, i cili e kishte kuruar ekspozitën bashkë me Laureta Hajrullahun, ka thënë se nëpërmjet saj kanë dashur të sjellë një frymë të re arti.

“Krejt ekspozitat që i kemi në plan janë piktura, instalacione, por kemi insistuar shumë të kemi edhe një frymë tjetër të artit ta paraqesim si ekspozitë. Siç e kemi parë edhe animacionin si animacion dhe gjithçka që shkon prapa një animacioni. Për këtë kemi qenë të pajtimit edhe me Arin, Fatlumin dhe Flakën”, ka thënë Jaka.

Ekspozita kurorëzon edhe dy vjet bashkëpunimi midis artistëve në kolektivin e specializuar në video dhe filma të animuar “Pink-I”. “Kemi dashur të paraqesim krejt sfondin e punës së tyre, fije për pe, për një animacion që ka qenë ndoshta 5-sekondësh, por prapa ka pasur ndoshta një punë pesëmujore. Nuk është se dihet aq shumë si funksionon dhe si vihet deri tek produkti final që t’i mësosh njerëzit për atë pjesë”, ka thënë më tej Shkamb Jaka, njëri prej kuratorëve të ekspozitës që do të qëndrojë e hapur deri më 11 gusht në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.

“Shpija” e “Ninulla F” janë disa prej projekteve në të cilën përfshihen elemente ndryshme të punës së animacionit si ngjyrat, sfondi, skicat fillestare e ato finale dhe jo vetëm. Krejt këto materiale bashkë me disa projekte të tjera komerciale e ndërtojnë klipin përmbledhës që vjen si një video instalacion i ekspozitës “Animated Worlds” dhe e kompleton atë më tej. Materialet në tavolinë mund të luhen edhe vetë nëpërmjet atyre që njihen si “flip books”. Aty është edhe më e qartë sa duhet punë për një lëvizje krejt të thjeshtë që shfaqet në pamjet e projektuara aty pranë.

Në projektin e Fatlum Nezirit, sfondi i njërës prej pamjeve të animuara zbërthehet për t’u shpalosur krejt pjesët përbërëse të saj. Është ngjyra e gjelbër me nuancat e saj të errëta, qëndrimet e personazhit dhe adaptimi i tyre kur në film paraqitet mot i ftohtë. Mes tyre janë edhe skicat e lëvizjes së gjallesave. Në anën tjetër, në projektin e Ari Zharkut janë lëvizjet e një fëmije në luhatëse që e ilustron qartë procesin e paraqitjes së lëvizjes. Ekspozita ishte hapur në kuadër të programit “Vala e Re” të Shtëpisë së Evropës në Prishtinë, e cila deri në janar të vitit të ardhshëm do të hapë pesë ekspozita dhe u kushtohet artistëve të rinj. Ekspozita “Animated Worlds” ishte e dyta me radhë.