“Nga Loja në Galeri” është punëtoria e Galerisë Kombëtare të Kosovës e cila përtej trajnimit vjen si dëshmi se s’ka kufij midis artit dhe teknologjisë, se edhe një videolojë është vepër arti. “Qëllimi i punëtorisë ka qenë të flasim edhe teorikisht për lojërat, sidomos për lojërat në kontekst artistik. Sesi mund të jetë loja si medium që merret seriozisht krahas anës artistike si librat, filmat e të tjerë”, ka thënë Petrit Hoxha, zhvillues dhe dizajner i lojërave
Bota virtuale është e përbashkëta midis ekspozitës “Të zhbësh, të shpërbëhesh, të zhdukesh” dhe punëtorisë me “Nga Loja në Galeri” të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Për dy ditë, zhvillimi i një videoloje ka qenë qëllimi kryesor i punëtorisë me qasje në trajtimin e saj si medium arti për tema serioze.
Ngjarja ka qenë një lloj dëshmie se kufijtë midis artit tradicional e atij digjital po bëhen më të padukshëm. Art digjital është edhe ekspozita e Hajrullahut që vazhdon të jetë e hapur dhe punëtoria ka zënë fill prej saj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE udhëhequr nga zhvilluesi i videolojërave, Petrit Hoxha, punëtoria ka krijuar një hapësirë eksperimentimi në GKK për të rinjtë e interesuar në ndërthurjen e teknologjisë me artin.
Koordinatorja për edukim, hulumtim dhe publikim në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Vlora Hajdini-Hajrullahu, ka thënë se programi i edukimit në GKK zakonisht dizajnohet duke u bazuar në një ekspozitë aktuale.
“Tani kemi ekspozitën aktuale ‘Të zhbësh, të shpërbëhesh, të zhdukesh’ të Laureta Hajrullahut. E tërë ekspozita është e konceptuar duke u bazuar në lojërat digjitale. Ashtu e ka praktikën e punës artistja, andaj i tërë programi i edukimit është i bazuar pak a shumë në lojërat digjitale. Tani jemi duke e zhvilluar punëtorinë dyditore në kuadër të programit të edukimit. Është programi për të rritur 16+”, ka thënë ajo.
Sipas Hajdini-Hajrullahut, brenda dy ditësh janë mësuar bazat e krijimit të një loje digjitale.
“Pjesëmarrësit në këtë punëtori mësojnë bazat sesi krijohet një lojë digjitale, por në këtë rast e kemi lidhur me lojërat digjitale në muze ose në galeri, se si do të mundnin ata të krijonin një lojë që do t’u hynte në shërbim galerive ose muzeve si një platformë me anë të së cilës hulumtuesit ose ata që vizitojnë uebfaqet e muzeve ose galerive të artit do të mund ta luanin një lojë paraprakisht dhe pastaj ta vizitojnë atë në formë virtuale”, ka treguar ajo.
Nga diskutimet teorike mbi potencialin artistik të videolojërave, deri te eksplorimi praktik, të shtatë pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të kuptojnë procesin krijues për ndërtimin e një videoloje. Duke qenë mosha e kufizuar, sikurse edhe praktika e pjesëmarrësve, ka theksuar se punëtoria ka qenë specifike.
“Dihet se është një numër shumë i vogël i individëve ose krijuesve të lojërave, andaj edhe interesimi i pjesëmarrësve është më specifik, më i vogël. Ka qenë me aplikim për ata që veçse janë duke zhvilluar një lojë në mënyrë që mandej Petriti t’u ndihmojë ta zhvillojnë më tutje lojën në të cilën veçse kanë filluar të punojnë”, ka thënë koordinatorja për edukim, hulumtim dhe publikim në GKK.
Më 16 prill është trajnuar grupi i parë për dy orë ku kanë qenë pjesëmarrës pesë të rinj ndërsa një ditë më pas dy të tjerë. Ngjarja vlerësohet të jetë më shumë një lloj forme për t’i vendosur kontaktet midis pjesëmarrësve me mentorin e tyre në mënyrë që projektet që mund të jenë në proces të çohen përpara.
Mentor në këtë rast ka qenë Petrit Hoxha, zhvillues dhe dizajner i lojërave.
Ai ka thënë se qëllimi i punëtorisë ka qenë të kuptohet sesi videolojërat mund të marrin kontekst artistik.
“Qëllimi i punëtorisë ka qenë të flasim edhe teorikisht për lojërat, sidomos për lojërat në kontekst artistik. Sesi mund të jetë loja si medium që merret seriozisht krahas anës artistike si librat, filmat e të tjerë. Po ashtu është praktika, si një hyrje bazike në programet e lojërave, sesi niset prej fillimit, cilat janë gjërat kryesore deri në një produkt të përfunduar”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe krijimi i një loje mund të trajtohet si një lloj arti më vete.
“Gjithçka varet nga përmbajtja e lojës, por qëllimi i punëtorisë ka qenë që të tregohet se lojërat e kanë mundësinë të jenë produkte artistike, serioze, ose të trajtojnë tema që nuk janë veç argëtim, por edhe kritikë, tema të ndryshme që trajtojnë edhe mediumet e tjera”, ka thënë Hoxha.
Ka theksuar se dy ditë janë periudhë e shkurtër për procesin e zhvillimit të një loje, por se është një lloj intro për ta krijuar atë.
“Procesi i prodhimit të një loje është shumë më i gjatë, më i komplikuar dhe ka shumë fusha të ndryshme si pjesa vizuale, tema, interaktiviteti, audio e gjithçka. Ne jemi duke folur në pika të shkurta. Më shumë përmbajtja dhe se çfarë veglash jep mediumi për ta trajtuar një përmbajtje krahasuar me mediumet tjera. Si intro për nisjen e bërjes së një loje. Po mundohemi ta krijojmë një kontakt të vazhdueshëm që pastaj të ndihmojmë herë pas here në projekte që nisen”, ka bërë me dije Petrit Hoxha, zhvillues dhe dizajner i lojërave, puna e të cilit eksploron përvoja virtuale eksperimentale. Ai ka përfunduar studimet master në Media Digjitale në Universitetin e Arteve në Bremen të Gjermanisë. Ka qenë i nominuar në “A MAZE” në Berlin dhe “IDFA” në Amsterdam me projektin e tij “Yugo: the non-game”.
Anyla Kabashi ka qenë një nga dy pjesëmarrësit e punëtorisë, të premten. Ka thënë se në kuadër të punëtorisë kanë mësuar gjëra të ndryshme për videolojërat si formë e artit.
“Kemi mësuar videolojëra të ndryshme sesi janë bërë, çfarë llojesh të ndryshme të videolojërave që nuk janë të dhunshme, që nuk kanë konkurrencë në përmbajtje. Sot jemi duke mësuar sesi ta zhvillojmë videolojën me një program. Po shkon shumë mirë, është dy ditë, nuk është se pres se do të mësoj ta bëj komplet një lojë, por veç sa të ma zgjojë kureshtjen që pastaj të bëj diçka kreative”, ka thënë ajo.
Përtej punëtorisë dyditore me Petrit Hoxhën, programi edukativ vazhdon të zhvillohet vikendeve. Për muajin prill ka nisur prej së shtunës programi i dizajnuar për të vegjlit të shoqëruar nga prindërit e tyre ose kujdestarët në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës te “Qafa”. Programi udhëhiqet nga edukatorja e artit, Rina Gosalci.
“Nga Loja në Galeri” ka qenë një lloj ftese për të hyrë në artin e epokës digjitale.