EXPRESS

“Dokufesti” si destinacion

“DokuFest” e bën Prizrenin destinacion turistësh. Është ana tjetër e tij, përtej kinemave e filmave. Duke u futur edhe në kalendarë ndërkombëtarë ngjarjesh, e ka vënë Kosovën në hartë botërore turistike.

Gjatë datave sa mbahet “DokuFesti” qytetin e vërshojnë një numër i madh turistësh, dhe bazuar në edicionet e kaluara numri i vizitorëve shpeshherë i ka kaluar edhe kufijtë e kapaciteteve të qytetit për të akomoduar një numër të madh turistësh.

Producentja e Festivalit, Alba Çakalli, ka folur më tepër rreth ndikimin që “DokuFesti” ka në zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit të Prizrenit.

“Prizreni si qytet po njihet tash e sa vite jo vetëm për shkak të ‘DokuFestit’ por edhe festivaleve tjera edhe gjatë vitit kemi fluks të turizmit. Sa i përket turizmit mund të them që një shtytje shumë të madhe edhe një promovim shumë të madh ia ka dhënë festivali jonë, ‘DokuFesti’”.

“Dokufest” në bashkëpunim me institutin “GAP” prej vitit 2015 kanë bërë hulumtime me statistikat e zhvillimit të turizmit në qytetin e Prizrenit ndër vite. Çakalli ka thënë se ndikimi i Festivalit në pjesën e ekonomisë vërehet edhe nga numri i hoteleve i cili është në rritje.

“Në fillim ka pasur shumë pak hotele, por tash ka shumë më shumë. Ne kemi informatë që mbi 100 hotele veçse janë hapur dhe funskionojnë. Janë të vogla mirëpo gjenerojnë të hyra”.

Platformat e rezervimit të hapësirave për fjetje si “AirBnB” e “Booking” në Prizren janë praktikuar qysh më herët. Në vitet kur zhvillimi i “Dokufestit” kishte marrë hov dhe të shumtë ishin ata të cilët e vizitonin Prizrenin, numri i hoteleve ishte i vogël. Kjo bëri që qytetarët t’i lëshonin dhomat e shtëpive të tyre për turistët. Në këtë mënyrë edhe atyre u ofrohej përvoja e plotë e jetës në Prizren. Kjo traditë vazhdon edhe tash.

Pas pandemisë ky është edicioni i parë me të cilin “Dokufest” është kthyer me kapacitete të plota, me program 24-orësh dhe kjo lë për të shpresuar që Prizreni do të presë mysafirë ashtu si para pandemisë.