EXPRESS

Arti i pikturimit në tekstil

Për Jeta Jasharin, dizajni i modës nisë me modifikimin e tekstileve, të cilat në duart e saj, shndërrohen në copëza arti.

Duke kombinuar teknika të artit e të qepjes, ajo krijon ilustrime të ndryshme në rroba, e këtë e ka nisur që në shkollë fillore.

Tani, disenjatorja e re, ndjekë studimet në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, në degën që i lidhet më së miri me pasionin e saj, dizajnimin e tekstilit.

“Gjithçka ka filluar nga loja me rrobat e mia. Xhinset i përpunoja me copa të ndryshme ose u shtoja diçka. Këtë e bëj që në shkollë fillore dhe asnjëherë nuk e kam menduar si biznes, por me kalimin e kohës kam filluar ta gjej vetën në këtë pasion edhe më shumë. Unë merrem me ripërpunimin dhe personalizimin e rrobave të gatshme, pikturoj në maica, bluza e xhaketa, shtoj qëndisje, pulla e rruaza të ndryshme në to”, thotë Jeta.

Edhe pse shumicën e krijimeve të saj i realizon sipas porosive të klientëve, në rrobat e ripërpuanuara nga Jeta, ekziston një botë e tërë ngjyrash e karakteresh imagjinare. Kreativiteti dhe inspirimi i saj nisë nga personazhet e filmave vizatimor e shkon deri te proceset natyrore, siç është cikli menstrual.

Një nga dizajnet më të veçanta të Jeta Jasharit janë xhinset “e përgjakura” që duken sikur kanë qenë të veshura në ndonjë fushëbetejë. Përmes artit të saj, artistja po synon që ciklin menstrual ta paraqesë ashtu siç është, diçka normale dhe jo e turpshme.

“Inspirimin për ti krijuar këto xhinse e kam gjetur te cikli menstrual, që te ne ende konsiderohet si tabu apo diçka e turpshme. Vendosa ta bëj një dizajn të tillë sepse këto gjëra duhet të normalizohen, janë plotësisht natyrale”, thotë disenjatorja e re e cila dalëngadalë, pasionin për modë, po e shndërron në profesion.

Jashari shpreson që rrjetet sociale të mos mbesin hapësira e vetme ku ajo ekspozon krijimet e saj dhe shpreson që shumë shpejtë do të ketë edhe një atelie ku do të mund të ekspozoj punën e saj.

Deri atëherë, punën e artistes multidimensionale mund ta ndiqni në rrjete sociale nën emrin “MixUnik”.