Kulturë

“Shtegtime” nëpër arkeologjinë e artit të Valbona Zherkës

“Në një mënyrë puna e saj është meditative. Ajo vetë e quan nganjëherë edhe arkeologjike, në kërkim të diçkaje të cilën nganjëherë e gjen e nganjëherë jo”, është përshkrimi që Vesa Sahatçiu, kuratore e ekspozitës “Shtegtime”, ia bën artit të Valbona Zherkës. Një përkufizim si ky nuk ka të bëjë vetëm me veprat konkrete, por me procesin e krijimit të tyre. Zherka, pioniere e artit të tekstilit në këto anë, është pikërisht ashtu: arkeologe në art që punon në heshtje e kësaj radhe “flet” nëpërmjet artit të saj

“Shtegtime” nga pionierja e teknikës së tekstilit në skenën e artit pamor në Kosovë, Valbona Zherka, është ndërthurje e krijimtarisë së saj ndër vite. Ka një harmoni midis tekstilit dhe pikturave të saj, por me përzgjedhjen prej katërmbëdhjetë veprash zbërthehet edhe procesi e punës. Arti i saj shfaqet si një udhëtim i lirë, i cili tërheq copëza nga jeta e artistes që e ndërtojnë rrëfimin e saj artistik. Veprimtaria e saj del si një shpalosje problemesh të ndryshme, fijet lidhin elementet identitare veçmas tek ato vepra që në fokus kanë gruan shqiptare. Ky gërshetim gjendet edhe në vetë përzgjedhjen që artistja ka bërë që të ndërtojë opusin e saj artistik mbi mediumin e tekstilit, nisur nga fakti se endja dhe punimi i leshit janë praktika të vjetra të veprimtarisë artizanale të gruas shqiptare.

Artdashësit e Prishtinës në hapje të ekspozitës të mërkurën mbrëma kanë pasur mundësinë rrallëherë ta përjetojnë artin e saj me prezencën e vetë artistes, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Është e dyta ekspozitë e sivjetme në këtë institucion.

Image
Të varura nga lart, tapiceritë e Zherkës kapin vëmendjen e vizitorëve me të hyrë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës si shfaqje motivesh unike (Foto: Shpend Maliqi)

Të varura nga lart tapiceritë e Zherkës kapin vëmendjen e vizitorëve me të hyrë në Galeri si shfaqje motivesh unike. Bashkë me kuratoren e ekspozitës, Vesa Sahatçiu, ekspozita ndërtohet nga disa cikle të ndryshme, siç vendos vetë autorja ta ndajë veprimtarinë e saj. Cikli i parë është “Shpresa”, që përfshin “Kullat” dhe “Kullat e qëndresës”, i përmbledhur prej vitit 1978 deri më 1980. Cikli i dytë “Ato” shpalos veprat prej vitit 1980 e tutje për ta përmbyllur me ciklin e tretë “Rrugëtim” i nisur në vitin 1999 e që vazhdon deri në veprat më të reja të artistes. Por, krahas tapicerive në ekspozitë zënë vend dhe pikturat të cilat komunikojnë miqësisht nëpërmjet ngjyrave dhe motiveve, të cilat pavarësisht përçarjes për nga koha kur janë jetësuar, ndjekin një linjë estetike. Karakterizohen nga nuancat që ngjasojnë me ngjyrat e dheut dhe abstraksioni si formë shprehjeje.

Opusi i gjerë i Zherkës, për kuratoren e ekspozitës duket të ketë qenë një sfidë më vete gjatë përzgjedhjes së veprave për ekspozitë.

“Procesi i punës ka qenë proces pak më i gjatë, sepse Zherka e ka një opus të gjerë me shumë punime, rrjedhimisht procesi selektiv ka qenë më i vështirë. Fokusi im ka qenë te cikli i saj i quajtur ‘Rrugëtim’ pastaj dhe te ciklet e tjera. Sfiduese ka qenë dhe zgjedhja e tapicerive meqenëse tapiceritë i ka të jashtëzakonshme. Bashkëpunimi ka qenë i mrekullueshëm. Është nder dhe privilegj të bashkëpunosh me të, t’ia kurosh dhe trajtosh punimet dhe veprat”, është shprehur Sahatçiu.

Image
Krahas tapicerive, në ekspozitë zënë vend edhe pikturat të cilat komunikojnë miqësisht nëpërmjet ngjyrave dhe motiveve

Zherka përfundoi studimet për pikturë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1977, për të vazhduar studimet pasuniversitare në Beograd, në klasën e Millosh Bajiqit, të cilat i kreu në vitet 1980. Ishte pikërisht shkollimi akademik që përcaktoi gjuhën e saj artistike dhe zgjedhjen e tapicerisë si medium artistik, pavarësisht se besnikërinë me pikturën nuk e theu asnjëherë.

Fokusi i Zherkës i orientuar drejt procesit ka të bëjë kryesisht me aktin fizik të thurjes së tapicerisë, duke e vënë në konsideratë edhe mundin e madh të krijimit të secilës pjesë nga fillimi në fund, bashkë me natyralitetin e procesit, i cili në vepër arti ngjizet përmes pasionit dhe lirisë së shprehjes artistike.

“Mënyra se si ajo e trajton këtë medium është një trajtim i pazakontë i tapicerisë, si për shembull punimi në bazë të skicave, Valbona vetë është e përfshirë në proces, në punën e saj as ajo vetë nuk e di se çka ka me dalë. Në një mënyrë puna e saj është meditative. Ajo veten e quan nganjëherë edhe arkeologjike, në kërkim të diçkaje të cilën nganjëherë e gjen e nganjëherë jo”, ka shtuar kuratorja e ekspozitës.

Për Galerinë e Ministrisë së Kulturës, kjo ekspozitë cilësohet si shumë e rëndësishme dhe mundësi e mirë për të gjithë artdashësit që ta shohin punën e Valbona Zherkës nga afër.

“Për mua është shumë e rëndësishme që artistja Valbona Zherka ka pranuar të jetë pjesë e programit tonë. Është shumë e rëndësishme për gjeneratën e re dhe ne si Galeri me pa figura si Valbona të cilat kanë punuar në heshtje më shumë sesa që janë ekspozuar. Është e rëndësishme për të gjithë artdashësit, studiuesit, për me pa Valbonën edhe një herë në kontekst më të gjerë të ekspozitës”, ka thënë Dhurata Ramosaj, koordinatore e Galerisë. E heshtur Zherka ka qenë edhe në hapjen e ekspozitës. Nuk ka pranuar të prononcohet.

Image
Artistja Valbona Zherka (majtas) dhe kuratorja Vesa Sahatçiu në hapjen e ekspozitës “Shtegtime”, të mërkurën mbrëma, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (Foto: Majlinda Hoxha)

Veprimtaria e kalibrit të saj për opusin krijues kolektiv artistik të Kosovës ka edhe vlera të trashëgimisë artistike. Puna e saj dhe e bashkëkohësve të saj në mediumet e ndryshme artistike konsiderohet si shkollë më vete, e cila për artistët e rinj shërben si pikë referimi e inspirimi.

Artistja Vlora Hajdini, e cila veprimtarinë e saj artistike e mbështet kryesisht në figurën e gruas, rolin e Valbona Zherkës në skenën e artit pamor në vend e sheh si thyese barrierash.

“Është kënaqësi për krejt Kosovën që Valbona Zherka po e reprezanton punën e saj. Ajo është pioniere e tapicerisë, ne e quajmë edhe si suvenir i qytetërimit dhe kulturës sonë. Përveç prezantimit të punës së saj dhe mburrjes me të, është mirë për gjeneratat e reja për ta parë se çfarë trashëgimie kemi dhe me e kuptu se ka ekzistu një kohë ku pioniere të artit si Valbona dhe shumë bashkëkohëse të saj kanë qenë gra, të cilat i kanë thyer barrierat dhe kanë dalë në dritë me artin dhe idetë e tyre”, është shprehur Hajdini.