Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Art-terapia shpalos botën e fëmijëve

Lulet, kafshët shtëpiake, frutat dhe figurat abstrakte gjeometrike janë vetëm disa prej elementeve në vizatimet dhe pikturat e realizuara nga nxënësit e piktores.

Nuk janë këta nxënës të cilët i ndjekin kurset e rregullta të saj.

Art-terapi “Krijime të shëndetshme dhe njohje me trashëgiminë kulturore” është projekti i nisur nga vetë Sylejmani e që i bën bashkë fëmijët me sindromën Down dhe autizëm, në kurse të artit figurativ dhe atij muzikor.

Sylejmani thotë se mënyra më e mirë dhe efikase për ta gjetur qetësinë e brendshme është arti. Me këtë qëllim ajo e nisi projektin.

“Projekti është ‘Art-terapi’, ku për qëllim ka t’i shtyjë këta fëmijë drejt zhvillimit emocional dhe artistik. Sidomos ata fëmijë të cilët kanë ngecje në të folur, përmes pikturës dhe vizatimit e kanë një mundësi që të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre. Terapia nëpërmjet artit është një fushë shumë e gjerë dhe te ne është ende e re”.

Përveç artit, ata marrin mësime edhe për muzikë e trajnime të tjera psiko-sociale në të cilat gjejnë inspirimin për veprën e radhës, të cilën do ta realizojnë.

Talentin, secili nga ta e shpreh në mënyra të ndryshme. Sylejmani mezi pret të enjtet të takohet me mysafirët e veçantë të ateliesë së saj.

“Për këtë aktivitet kanë ardhur vetëm fëmijët të cilët kanë talent dhe e duan artin. Kanë pasur një gëzim të madh, sidomos fëmijët e qendrës “Down Syndrome”, me të cilët kam punuar edhe më parë. Mund të them se e sjellin një energji shumë pozitive sa herë që këta fëmijë vijnë këtu. Edhe prindërit tregojnë që çdo ditë pyesin se kur e kanë orarin të shkojnë në atelie”.

Ky projekt është një koncept bashkëkohor, i cili u dedikohet grupeve në nevojë.

Sylejmani u përkrah edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe organizata “Down Syndrome Kosova” për këtë ide të cilën po e jetëson tash e dy javë.

“Ideja për ta filluar këtë projekt erdhi nga puna ime vullnetare që e kam bërë në vitin 2020 dhe 2021 në qendrën ‘Down Syndrome’ këtu në Ferizaj. Mandej e përpilova kështu si ide, si koncept që këta fëmijë dhe fëmijët nga qendrat e tjera të bëjnë art-terapi. Me këtë projekt aplikova në thirrjen nga Ministria e Kulturës, ku për fat të mirë u përkrah kjo ide. Projekti ka filluar 2 javë më parë në bashkëpunim me qendrën “Down Syndrome” këtu në Ferizaj”.

Nëpërmjet këtij projekti do të zhvillohen të tilla aktivitete për pesë muaj.

Artikuj të ngjashëm