Piktorja Pranvera Sylejmani në atelienë e saj në Ferizaj ua mëson artin mysafirëve. Janë anëtarët e “Down Syndrome Kosova”, të cilët një herë në javë bëjnë art-terapi e në të njëjtën kohë e shprehin talentin e tyre në art figurativ. Me një projekt si ky, ajo thotë se ka për qëllim t’i shtyjë këta fëmijë drejt zhvillimit emocional dhe artistik
Lulet, kafshët shtëpiake, frutat dhe figurat abstrakte gjeometrike janë vetëm disa prej elementeve në vizatimet dhe pikturat e realizuara nga nxënësit e piktores. Nuk janë këta nxënës të cilët i ndjekin kurset e rregullta të Pranvera Sylejmanit.
Flertoni 14-vjeçar, me anë të një vizatimi ka paraqitur rrugën për në atelie bashkë me mësuesen, e cila në dorë mban një luledielli. Në shikim të parë vizatimi mund të duket fare i thjeshtë, ani pse është i mbushur me zemra, lule e diell. Aty paraqitet një vend i cili brenda pak kohësh është shndërruar në hapësirë ku ndihet i sigurt dhe ku mund ta shpalosë imagjinatën e tij plot me ngjyra e forma të bukura.
Art-terapia “Krijime të shëndetshme dhe njohje me trashëgiminë kulturore” është projekti i nisur nga vetë Sylejmani e që i bën bashkë fëmijët me sindromën Down dhe me autizëm, në kurse të artit figurativ dhe atij muzikor. Sylejmani thotë se mënyra më e mirë dhe efikase për ta gjetur qetësinë e brendshme është arti. Me këtë qëllim ajo e nisi projektin.
“Projekti është art-terapi, ka për qëllim t’i shtyjë këta fëmijë drejt zhvillimit emocional dhe artistik. Sidomos ata fëmijë të cilët kanë ngecje në të folur, përmes pikturës dhe vizatimit e kanë një mundësi që të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre. Terapia nëpërmjet artit është një fushë shumë e gjerë dhe te ne është ende e re”, ka thënë Sylejmani.
Përveç artit, ata marrin mësime edhe për muzikë e trajnime të tjera psiko-sociale, në të cilat gjejnë inspirimin për veprën e radhës, të cilën do ta realizojnë. Talentin secili nga ta e shpreh në mënyra të ndryshme.
Learti më me qejf realizon portrete, e për model shpeshherë e ka mësuesen, derisa Leoida sjell natyrën me ngjyrat që rëndom nuk hasen në botën përreth, por që mirë e tregojnë imagjinatën e pasur të fëmijëve.
Sylejmani mezi pret të enjtet të takohet me mysafirët e veçantë të ateliesë së saj. Një përqafim, një pikturë a vizatim si ai i Flertonit, Leartit e Eloidës ia përmbushin ditët.
“Për këtë aktivitet kanë ardhur vetëm fëmijët të cilët kanë talent dhe e duan artin. Kanë pasur një gëzim të madh, sidomos fëmijët e qendrës ‘Down Syndrome’, me të cilët kam punuar edhe më parë. Mund të them se e sjellin një energji shumë pozitive sa herë që këta fëmijë vijnë këtu. Edhe prindërit tregojnë që çdo ditë pyesin se kur e kanë orarin të shkojnë në atelie”, ka thënë ajo.
Ky projekt është një koncept bashkëkohor, i cili u dedikohet grupeve në nevojë. Sylejmani u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga organizata “Down Syndrome Kosova” për këtë ide të cilën po e jetëson tash e dy javë.
“Ideja për ta filluar këtë projekt erdhi nga puna ime vullnetare që e kam bërë në vitin 2020 dhe 2021 në qendrën ‘Down Syndrome’ këtu në Ferizaj. Mandej e përpilova kështu si ide, si koncept që këta fëmijë dhe fëmijët nga qendrat e tjera të bëjnë art-terapi. Me këtë projekt aplikova në thirrjen nga Ministria e Kulturës, ku për fat të mirë u përkrah kjo ide. Projekti ka filluar dy javë më parë në bashkëpunim me qendrën ‘Down Syndrome’ këtu në Ferizaj”, ka thënë ajo.
Me ardhjen e pranverës, në kuadër të këtij projekti do të realizohen vizita në monumentet e trashëgimisë kulturore, ku më pas fëmijët do t’i paraqesin ato në piktura e vizatime nga perspektiva individuale. Art-terapia do të vazhdojë deri në muajin maj.