PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Fëmijët e “art kursi” të pasionuar pas artit

Arti gjithmonë u ofron fëmijëve mundësinë dhe hapësirën që të shfaqin imagjinatën dhe kreativitetin e tyre. Me lëvizjen e lehtë të brushave apo lapsave në sipërfaqe, ata krijojnë vepra të ndryshme arti.

Një mënyrë shumë e mirë për të mësuar akoma më shumë rreth artit dhe për të praktikuar sa më shumë atë janë kurset e ndryshme, si “Art kursi”, që u ofrojnë fëmijëve njohuri për vizatim dhe pikturë. Mësimi në këtë kurs mbahet një herë në javë, me dy grupe të ndryshme ditën e martë dhe të enjte.

Gjatë vijimit të këtij kursi fëmijët kanë mundësi të mësojnë shumë nga përvoja e piktoreve, Yllka Koshi Valla dhe Diella Valla, nënë dhe bijë, të cilat e bëjnë këtë punë me shumë dashuri dhe përkushtim. Këto ndjenja ato kanë arritur t’i përçojnë edhe tek fëmijët. Ata me shumë dëshirë realizonin në heshtje pikturat dhe vizatimet e tyre.

Duke krijuar përzierje të veçanta të ngjyrave dhe duke i vendosur ato në letër, secila nga vajzat pikturonte duke u frymëzuar nga shembulli që kishin para vetës. Disa pikturonin me tempera, disa me ngjyra të ujit e disa vetëm vizatonin duke krijuar hije përmes lapsit. Mirëpo, të gjitha realizonin artin e tyre me shumë pasion.

“Art kursi” u ofron fëmijëve të grupmoshave të ndryshme mundësinë që të zhvillojnë akoma më shumë talentin e tyre në sferën e artit. E më shumë rreth dëshirës që kanë ata për pikturën dhe vizatimin na treguan vetë fëmijët që gati ishin në përfundim të veprave të tyre.

Arti është gjithandej, por është shumë e rëndësishme që fëmijët t’i ekspozohen akoma më shumë atij. Madje edhe të përfshihen në aktivitete të shumta interesante që kanë të bëjnë me të. Më shumë rreth rëndësisë që ka arti, na tregoi piktorja Diella Valla, e cila që nga fëmijëria ka bërë artin pjesë të jetës së saj.

Pra, arti sjell përfitime të panumërta, e më e rëndësishmja është që sjell shumë lumturi dhe kënaqësi tek të gjithë. Mjafton ta duash atë e më pas ta praktikosh sa më shumë, në mënyrë që ëndrrat, të cilat keni si artistë të vegjël të bëhen realitet.