Njëzet e shtatë piktura të fëmijëve me autizëm zbërthejnë botën e tyre në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës. “Bërthamë” është titulli i ekspozitës me të cilën organizata “Zë” - Qendra Logopedike për Trajtim dhe Hulumtim, ka shënuar vitin e personave me aftësi të kufizuara.
Jo pak njerëz janë mbledhur në hapjen e kësaj ekspozite, të martën mbrëma. Megjithatë, më e rëndësishmja ka qenë fakti se brenda Lapidariumit janë bashkuar edhe vetë fëmijët artistë, autorët e veprave. Nëpër mure janë shpalosur piktura shumëngjyrëshe të punuara të akrilik.
Pesë tema – periudha e fundvitit, familja, kafsha, ushqimi dhe vendi i preferuar – kanë qenë konceptet mbi të cilat janë ndërtuar veprat. Gjashtë fëmijët nëpërmjet tyre i kanë lejuar vizitorët të futen në botën e brendshme, unike.
“Pikturat janë bërë nga gjashtë fëmijë të cilët kanë pikturuar në tema të ndryshme. Janë pesë tema që i kemi zgjedhur me qëllim që publiku të arrijë t’i kuptojë këta fëmijë edhe pa i njohur. Tema e parë ka qenë familja ose rrethi i ngushtë, pastaj ka qenë kafsha, vendi dhe ushqimi që u pëlqen më së shumti dhe në fund ka qenë pjesa e fundvitit ku ata e kanë shfaqur, ose dimrin ose këtë periudhën e festave”, ka bërë të ditur themeluesi i “Zë”, Lekë Gjurgjiali.
Megjithatë, për të ardhur deri në hapjen e ekspozitës “Bërthamë” ishin dashur gjashtë muaj. Këtë vit organizata “Zë” kishte nisur një projekt i cili kishte në cak fëmijët me autizëm. E veçanta e këtij projekti ka qenë trajtimi i tyre me muzikë dhe art-terapi.
“Ideja për terapi muzikore ka ardhur për faktin se terapia tradicionale, ortopedike ka qenë, të mos them joefektive, por ka marrë më shumë kohë sesa është dashur të marrë. Muziko-terapia dhe art-terapia në këtë kontekst kanë qenë si forma alternative të terapisë me anë të të cilave e kemi parë që fëmijët kanë dhënë rezultate më shpejt sesa do t’i kishin arritur me anë të metodave të tjera”, ka shpjeguar Gjurgjiali.
Ka dhënë disa detaje edhe për mënyrën se si janë aplikuar këto dy metoda teksa ka bërë të ditur edhe për nevojën dhe praninë e një sërë profesionistësh fushash të ndryshme.
“Të gjitha këto seanca janë ofruar nga profesionistë të licencuar dhe të certifikuar për këto lloje të terapisë ku fëmijët kanë qenë të mbikëqyrur tërë kohën prej një profesionisti të shërbimeve sociale, por në të njëjtën kohë edhe prej një artisteje që e ka kryer punën e saj artistike”, ka bërë të ditur Gjurgjiali, drejtor ekzekutiv i organizatës “Zë”.
Por, me gjithë efektet e saj pozitive, Gjurgjiali ka bërë të ditur se, sikurse te njerëzit e zakonshëm, këto forma të trajtimit nganjëherë dinë të jenë të papranueshme për disa individë. “Kjo ndoshta është edhe e veçanta e muziko-terapisë dhe art-terapisë. Është një lloj i terapisë që kisha thënë që nuk është për çdo fëmijë, sikurse nuk është muzika dhe arti për çdo njeri. Dikush ndoshta ka prirje, ka interes, ka talent. Te këta fëmijë të cilët janë përzgjedhur që kanë më shumë prirje apo interes ne e kemi planifikuar këtë lloj të terapisë dhe mandej ka dalë të jetë edhe më efektive”, ka treguar ai për KOHËN.
Lekë Gjurgjiali luan edhe vetë në kitarë. Në hapjen e ekspozitës ka perfomuar shkurt dy pika muzikore, por këtë nuk e bëri i vetëm. Në duet me të, në kitarë ka luajtur edhe rioshi i prekur nga autizmi, e disa të tjerë kanë performuar vargje apo refrene këngësh.
“Puna me ta është shumë e lehtë duke marrë parasysh që në aspektin e muzikës apo artit, shumë më shumë mësoj unë prej këtyre fëmijëve sesa ata prej meje. Vetë këto piktura që janë pjesë e ekspozitës më kanë mësuar më shumë për jetën e këtyre fëmijëve dhe, po ashtu, prej tyre kam mësuar edhe për pjesën artistike, qoftë të vizatimit, qoftë muzikës. Por potenciali i këtyre fëmijëve, ajo që ata janë në gjendje të bëjnë, i kalon pritshmëritë tona”, ka thënë Gjurgjiali.
Shkurtimisht Gjurgjiali ka folur edhe për vitin që po lëmë pas dhe aktivitetet të cilat i kanë shoqëruar gjatë tërë këtij viti.
“Organizata ‘Zë’, në gjysmën e parë të këtij vitit, domethënë që nga muaji janar deri në korrik, ka ofruar seanca logopedike falas dhe seanca të muziko -terapisë. Vetëm brenda këtyre gjashtë, shtatë muajsh janë dhënë me qindra seanca falas. Pastaj nga muaji gusht kemi vazhduar me art-terapinë deri në fund të vitit. Fëmijët përfitues të këtij projekti prej nga ka dalë edhe ekspozita kanë qenë plot njëmbëdhjetë fëmijë. Prej tyre gjashtë kanë qenë të angazhuar në art-terapi dhe pesë në muziko-terapi”, ka thënë ai.
Një ngjarje shumë të rëndësishme në avancimin dhe inkuadrimin e kësaj pjese të shoqërisë e ka konsideruar ekspozitën psikologia Aida Topanica, e cila është pjesë edhe e shoqatës “Autizmi” në Prishtinë.
“Si ekspozitë është shumë e rëndësishme sidomos për përkrahjen e fëmijëve me autizëm. Ne i pamë emocionet e tyre plot gëzim kur i panë pikturat e tyre në mur, mënyrën se si na tregonin se çfarë kanë vizatuar apo cila ishte piktura e tyre dhe po besoj që ky është hapi më i rëndësishëm drejt përfshirjes së tyre në shoqëri. Kjo është edhe një mbështetje për familjarët e tyre të cilët gjatë gjithë kohës angazhohen në trajtimin e tyre, mirëpo në fund të fundit është shumë e rëndësishme të ekspozohet vetë puna e fëmijëve”, ka thënë Topanica.
Arrita Beqa, mjeke me profesion, pjesëtare e bordit të organizatës “Zë”, ka theksuar rëndësinë e ngjarjeve të tilla të cilat në fokus kanë fëmijët autikë.
“Të them të drejtën për mua kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme sepse përbën një hap shumë të madh për ekspozimin edhe të fëmijëve me autizëm ndaj botës së gjerë, por edhe njerëzve që nuk e kanë në familje dikë me autizëm që me e pa se çka mund të bëjnë dhe ofrojnë këta fëmijë”, ka thënë Beqa teka ka theksuar edhe punën e madhe të organizatës “Zë” në avancimin e kësaj kategorie.
Shumë e gëzuar për hapjen e kësaj ekspozitë ka qenë Rina Demjaha që kishte ardhur me plot kënaqësi për t’i parë pikturat.
“Kur kam dëgjuar se do të bëhet një ekspozitë e tillë jam gëzuar shumë, sepse mendoj që Kosova ka pasur nevojë për diçka të tillë. Që së pari të shohin që këta fëmijë kanë shumë potencial dhe munden ta shfaqin në mënyrë shumë speciale dhe shumë të bukur. Secila pikturë kishte një mesazh dhe unë u gëzova shumë, sepse më kthej edhe në kohën e fëmijërisë sime”, ka thënë ajo.
Ekspozita “Bërthamë” është e hapur edhe sot (e enjte) në Lapidarium.