Interpretimi i Armend Xhaferit me bend sjell natyrshëm muzikën jazz të kombinuar me elementet e folklorit. Ambienti i “7 Arte” ka qenë kombinimi harmonik me tingujt. Me të, qendra kulturore në Mitrovicë edhe e ka mbyllur programin për sivjet. Kurorëzimi i një viti aktivitetesh me tingujt e jazzit, sipas organizatorëve, i paraprin edhe hapjes së një serie të re.
“Armend Xhaferi Quartet” me Armend Xhaferin në kitarë, Trajçe Velkov në trumbetë, Ilir Bajrin në piano dhe Enes Beun në bateri, harmonizuan të premten mbrëma kompozicionet e komplikuara e serinë e interpretimit që ka zgjatur deri në mesnatë.
Seritë ripërtërihen në versione më të avancuara në disa kompozime që ka interpretuar kuarteti.
Udhëheqësi i bendit, Armend Xhaferi, ka qenë tejet i afërt me publikut. Me shumë prej atyre në publik njihet kaherë, e kjo e ka bërë të duket si koncert më shumë miqësor. Duke qenë fjalëpak, ka folur nëpërmjet veprave të interpretuara.
“Vështirë është të realizohen krejt idetë që të vijnë, por kryesisht jemi ndier mirë dhe lidhja mes neve muzikantëve ka qenë e mire, kemi qenë të lidhur mirë”.
Me program spontan që gërsheton tingujt e muzikës jazz e asaj etno, e kanë mbajtur publikun të lidhur me ritmin e tij. Si përjetime personale i kanë përcjellë instrumentalet.
Bajri energjinë e artistit unik e ka pasqyruar edhe në lojën me tastet e pianos.
“Jazzi është pak a shumë i ngjashëm me bisedën. Kur je duke pyetur diçka dhe improvizuese është edhe biseda, nuk flasim me skenar, varet si zhvillohet biseda. Aso natyre ka edhe kjo si muzikë. Për atë arsye, ndoshta si muzikë është interesante edhe të luhet, sepse gjithmonë diçka e re ndodh, nuk është e përcaktuar paraprakisht”.
Lulzim Hoti, drejtor i “7 Arte” ka thënë se me koncertin e kuartetit kanë vendosur të festojnë aktivitetet e vitit.
“Kemi arritur të sjellim artistë që ne i kemi konsideruar ndër më të mirët në fusha të ndryshme me fokus në jazz, rock. Në këtë formë sonte po e mbyllim një seri të madhe të aktiviteteve që i kemi realizuar në 7 Arte, me Armend Xhaferin dhe kuartetin, me të cilët po kalojmë shumë mirë dhe shpresojmë se audienca është duke u kënaqur”.
Organizata kulturore “7 Arte” u themelua në vitin 2006 si nevojë për zhvillimin kulturor dhe aktivizmin e të rinjve. Në atë vit organizata u anëtarësua në Rrjetin e Kinemasë së Re Evropiane.