Shtojca për Kulturë

“Armend Xhaferi Quartet” në lojë me të papriturat e jazzit

Kuarteti i Armend Xhaferit në kitarë, Trajçe Velkov në trumbetë, Ilir Bajrit në piano dhe Enes Beunt në bateri ka zbarkuar në Mitrovicë për ta kurorëzuar vitin e “7 Arte”, por mbi të gjitha për ta shpalosur pakufishmërinë e jazzit. “Gjithmonë diçka e re ndodh, nuk është e përcaktuar paraprakisht”, është “definicioni” që maestro Ilir Bajri ia jep jazzit dhe koncerti ka qenë pikërisht në këtë frymë

Interpretimi i Armend Xhaferit me bend sjell natyrshëm muzikën jazz të kombinuar me elementet e folklorit. Ambienti i “7 Arte” ka qenë kombinimi harmonik me tingujt. Me të, qendra kulturore në Mitrovicë edhe e ka mbyllur programin për sivjet. Kurorëzimi i një viti aktivitetesh me tingujt e jazzit, sipas organizatorëve, i paraprin edhe hapjes së një serie të re.

“Armend Xhaferi Quartet” me Armend Xhaferin në kitarë, Trajçe Velkov në trumbetë, Ilir Bajrin në piano dhe Enes Beun në bateri, harmonizuan të premten mbrëma kompozicionet e komplikuara e serinë e interpretimit që ka zgjatur deri në mesnatë.

Ritmi e toni i kitarës së Xhaferit shpesh ka pasur rol kyç. Ka qenë nismëtare e gati çdo pjese të interpretimit. Pianoja e perkusionet kanë hapur shtigjet e lojës në solo. Loja Velkovit në trumbetë jo rrallë e ka marrë primatin. Xhaferi është elegant në tingull e në ritëm.

Në përgjithësi seritë ripërtërihen në versione më të avancuara në disa kompozime që ka interpretuar kuarteti. Secila pjesë që është interpretuar ka marrë miratim me duartrokitjet në ambientin e ngrohtë e të dekoruar me kujdes.

Udhëheqësi i bendit, Armend Xhaferi, ka qenë tejet i afërt me publikut. Me shumë prej atyre në publik njihet kaherë, e kjo e ka bërë të duket si koncert më shumë miqësor. Duke qenë fjalëpak, ka folur nëpërmjet veprave të interpretuara.

“Kryesisht kanë qenë kompozimet e mia, të cilat i kam shkruar. Ka prej atyre që janë shkruar për ansamble më të mëdha, më të vogla”, ka thënë ai. Në ‘7Arte’ ka qenë hera e parë që ka interpretuar.

“Vështirë është të realizohen krejt idetë që të vijnë, por kryesisht jemi ndier mirë dhe lidhja mes neve muzikantëve ka qenë e mirë”, ka thënë kitaristi Xhaferi.

Ai është i specializuar në kitarë elektrike dhe akustike sikurse edhe në bas në zhanret jazz, pop, world, blues, rock, reggae dhe në muzikë ambienti. Kritika e veçon si kompozitor të pasionuar dhe me aftësi në kompozim, orkestrim dhe aranzhim të muzikës për film dhe media të tjera vizuale, duke përdorur teknologjinë e fundit.

Në koncert ai ka shpalosur kreativitetin e tij përmes kompozimeve origjinale të, por edhe të tjerave në format interesant bashkë me miqtë e tij. Shpesh pjesë improvizuese, siç është edhe jazzi. Por duke qenë mjeshtër të tingujve secili prej tyre, veçmas në muzikën jazz, janë kombinuar mrekullueshëm.

Me program spontan që gërsheton tingujt e muzikës jazz e asaj etno, e kanë mbajtur publikun të lidhur me ritmin e tij. Si përjetime personale i kanë përcjellë instrumentalet.

Bajri energjinë e artistit unik e ka pasqyruar edhe në lojën me tastet e pianos.

“Jazzi është pak a shumë i ngjashëm me bisedën. Kur je duke pyetur diçka dhe improvizuese është edhe biseda, nuk flasim me skenar, varet si zhvillohet biseda. Aso natyre ka edhe kjo si muzikë. Për atë arsye, ndoshta si muzikë është interesante edhe të luhet, sepse gjithmonë diçka e re ndodh, nuk është e përcaktuar paraprakisht”, ka thënë muzikanti e kompozitori Ilir Bajri.

Dashamirët e artit janë mbledhur në hapësirën e “7 Arte” në qendër të qytetit të Mitrovicës për të festuar aktivitetet e vitit bashkë me stafin e organizatës.

Për jazz dhe jo vetëm, Mitrovica e ka të sigurt publikun. Dëshmi për këtë sivjet qe i pari edicion i “Mitrovica Internacional Jazz Days”, organizuar në fund të verës nga Rona Nishliu. Solli edhe bas-kitaristin e shquar botëror, Richard Bona, fitues i çmimit “Grammy”.

Lulzim Hoti, drejtor i “7 Arte” ka thënë se me koncertin e kuartetit kanë vendosur të festojnë aktivitetet e vitit.

“Kemi arritur të sjellim artistë që ne i kemi konsideruar ndër më të mirët në fusha të ndryshme me fokus në jazz, rock. Në këtë formë sonte po e mbyllim një seri të madhe të aktiviteteve që i kemi realizuar në 7 Arte, me Armend Xhaferin dhe kuartetin, me të cilët po kalojmë shumë mirë dhe shpresojmë se audienca është duke u kënaqur”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti kanë mbajtur më shumë se njëqind aktivitete derisa ka veçuar “7 Arte Academy” që sivjet ka mbajtur edicionin e parë.

“Çdo vit ne i tejkalojmë mbi njëqind aktivitete gjatë vitit. Këtë vit gjithashtu kemi pasur numër të madh aktivitetesh. Këtë vit do ta konsideroja pozitive që kemi arritur të hapim një lloj programi edukativ që e kemi quajtur ‘7Arte Academy’, e cila është një risi për ne si organizatë dhe në të njëjtën kohë nevojë për komunitetin dhe të rinjtë të cilët kanë mundësi të edukohen në fusha të ndryshme të industrisë kreative në mënyrë që të gjejnë punë më lehtë”, ka thënë Lulzim Hoti, sipas të cilit sivjet kanë qenë 25 nxënës të regjistruar në këtë program edukativ.

Vitin e ardhshëm synojnë që aktivitetet e tyre të kenë “shtrirje më të madhe, të kenë impakt më të madh në shoqëri dhe të sjellin program të vazhdueshëm kulturor për të rinjtë e Mitrovicës dhe për artdashësit”.

Organizata kulturore “7 Arte” u themelua në vitin 2006 si nevojë për zhvillimin kulturor dhe aktivizmin e të rinjve. Në këtë vit organizata u anëtarësua në Rrjetin e Kinemasë së Re Evropiane.