EXPRESS

Arkitektja që e rikthen grimin e nuses tradicionale

Pikturimi i nuseve është traditë e trashëguar deri në ditët e sotme në fshatin Lubinjë e Poshtme të Rajonit të Zhupës. Mirëpo kjo traditë është në pak të zhdukjes pasi jo shumë gra sot e praktikojnë atë. Por arkitektes së re Fjolla Gashi i ka mjaftuar personazhi i Victorias në filmin e njohur “Corpse Bride” për t’ia kthyer vëmendjen tek tradita e lashtë. Fjolla Gashi e cila jeton në Prishtinë deri më sot akoma nuk e ka pasur mundësinë të takoj ndonjë grua që e bën këtë lloj grimi a nuse të pikturuar. Por talentine e saj prej arkitekteje e ka parë si lehtë të zbatueshëm në karakteristikat e pamjes që merr nusja tradicionale e Zhupës në ditën e martesës. Por insprimi nga filmi me regji të Tim Burton dhe Mike Johnson ka bërë që artistja e të pikturuarit në fytyrë në këtë lloj të grimit të bashkoj tradicionalen me modernene. bashkuar tradicionalen me modernen në rikthimin e këtij grimi.

“Gjithmonë jam tërhequr prej mënyrës tradicionale dhe mënyrës si i kanë grimosur nuset tona. Për herë të parë e kam bërë në kohën e "Halloëeenit" dhe ka qenë kombinim i tradicionales dhe modernes. Atë e kam arritur duke gërshetuar disa detaje të nuseve moderne dhe nga filmi "Corpse Bride". ka shpjeguar Gashi.

Procesi i këtij grimi kërkon që fytyra fillimisht të lyhet me krem të bardhë, ndërsa më pas bëhen vija me pluhur ngjyrë ari duke u finalizuar me vizatimin e rrathëve. Këta të fundit simbolizojnë ciklet e jetës që janë të lidhura me njëra-tjetrën. Rrathët e kuq, sipas legjendës, janë tregues i pjellorisë, derisa pikat në fytyrë përçojnë urimin që nusja të ketë një familje të shëndetshme. Gashi, e cila merret qe katër vjet me pikturim në fytyrë, përdor mjete të tjera nga gratë që e kanë bërë tradicionalisht këtë grim.

“Më herët është përdorur teli për t'i bërë këto vija, ndërsa në këtë kohë unë e përdori brushën, mirëpo rezultati mundet me dalë thuajse i ngjashëm”, ka theksuar artistja e re.

Përvoja e saj si arkitekte po i hyn shumë në punë Fjollës, e cila të pikturuarit në fytyrë e cilëson si proces tejet të veçantë. Por për të ndryshe nga pëlhura e pikturimit dhe fletët ku projekton planet e arkitekturës, çdo fytyrë kërkon një koncept të ri të pikturimit nga ajo. “Gjithmonë ia vlen të veçohet se fytyra prej fytyrës dallon dhe nuk është njëjtë, për dallim prej letrës ku i ke vijat e drejta dhe të pastra. Në fytyrë varet prej formave të fytyrës dhe pikturimi gjithmonë ndryshon”, ka thënë tutje ajo.

Artistja e re do të vazhdojë të hulumtojë edhe më tutje për format tradicionale të grimit në mënyrë që të sjellë një version të sajin të veçantë. Mesazhi i Gashit është që nuset në ditën më të veçantë të tyre t’ia përshtatin grimin veçantive të fytyrës.

“Mendoj që më duhet të hulumtoj më shumë dhe të zbuloj llojet e grimeve që janë bërë në të kaluarën dhe mendoj që përmes grimit t'i realizoj disa karakteristika të secilës nuse. Duke u inspiruar nga të gjitha këto lloje ta bëj një grim të veçantë që e simbolizon artin e Fjollës”, ka thënë tutje ajo.

Arkitektja e re që katër vjet merret me pikturim në ftyrë me dhe artin e saj e aplikon kryesisht tek fëmijët. “Për çdo festë fëmijëve ju krijohet një atraksion më i madh nëse ka edhe facepaint”, ka thënë Gashi.

Të pikturuarit në fytyrë si traditë e Zhupës në vitin 2012 kishte bërë bujë në gjithë botën. Një video e xhiruar nga regjisori Yll Çitaku dhe Nita Deda në kuadër të ngjarjes “One Day on Earth” (Një Ditë në Botë) kishte hyrë në një video me tregimet nga i gjithë globi. Madje nusja e pikturuar nga Kosova kishte marrë vëmendjen e shumë mediave të njohura si CNN duke e transmetuar këtë traditë si një nga më uniket në botë.