Federico Chiesa mund të lihet në bankën rezervë nga përzgjedhësi Luciano Spalletti, për duelin vendimtar të Italisë në “Euro 2024” ndaj Kroacisë.
Kështu ka njoftuar të shtunën mediumi italian “Corriere dello Sport”.
26-vjeçari i Juventusit nuk ka arritur ta shfaqë më të mirën në Kampionatin Evropian në Gjermani, pavarësisht se u shpall më i miri i ndeshjes ndaj Shqipërisë.
Në humbjen ndaj Spanjës, ai nuk shfaqi thuajse asgjë dhe ishte larguar nga loja në minutën e 64-t.
Ndeshja ndërmjet Kroacisë dhe Italisë luhet të hënën nga ora 21:00 dhe i takon Grupit B.
Spanja është e para me gjashtë pikë nga dy ndeshje. Italia i ka tri pikë, ndërsa Shqipëria e Kroacia kanë nga një pikë.