Trajneri Gani Sejdiu ka thënë se kombëtarja e Spanjës është më e frikshmja në këtë kampionat, por sipas tij, fat për Shqipërinë do të jetë që spanjollët s’do të paraqiten me tërë ekipin e parë.
Sipas trajnerit, Shqipëria nuk e ka të pamundur fitoren, por “duhet llogaritur që kombëtaret që kanë siguruar kalimin, tashmë mendojnë kundërshtarin e ardhshëm”.
“Spanja është kombëtarja që ka qenë më stabilja, në të gjitha aspektet dhe më e frikshmja sepse kanë qenë dy kombëtare përpara (Italia dhe Kroacia) ku e ka treguar fuqinë. Nuk diskutohet që kjo është dhuratë për Shqipërinë, sepse pavarësisht që edhe ata janë përzgjedhur, kjo tregon cilësinë që e kanë. Edhe ajo pjesë e kombëtares spanjolle do të jetë cilësore. Mirëpo, nuk është njëjtë të kesh këtë Spanjë, me këto ndryshime të mëdha”, ka thënë Sejdiu të dielën në “Sporti Total” në KTV.
Ai ka theksuar se Shqipëria duhet të fokusohet vetëm në fitore pasi kjo është mënyra e vetme për të shpresuar në kalimin tutje.
Duke folur për kombëtaren e Zvicrës që luajti baras me Gjermaninë, trajneri Gani Sejdiu ka thënë se Xherdan Shaqiri është opsion i mirë për përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin, “në rastet kur duhet të bëhet ndryshimi”, ndonëse Shaqiri nuk luajti të dielën ndaj Gjermanisë.
Sejdiu ka thënë se Yakin e di se në cilat momente duhet të përzgjidhet Shaqiri, duke shtuar se futbollisti 32-vjeçar i ka meritat e tij.
“Shaqiri nuk është ai nivel që kërkohet, e zgjedhja e trajnerit është e mirë, sepse sot pamë një lojë të mirë të Embolos, e Shaqiri me këtë ritëm, këtë luftë, këtë lojë duelesh, nuk besoj se do të mund. Nuk i dihet, ndoshta edhe po të ishte Shaqiri do t’i vinte ndonjë pozicion për t’i treguar vlerat”, ka thënë Sejdiu.
Sipas trajnerit, Shaqiri mund të konsiderohet si alternativë në ndeshjet e ardhshme të Zvicrës në Euro 2024.
“Ne duhet të pajtohemi që Shaqiri vetëm në formë i duhet Zvicrës”, shtoi ai.
Hashani për Dakun: Individët harrohen, Shqipëria shkon përpara
Trajneri Erdin Hashani ka thënë se me gjestin në Euro 2024, futbollisti shqiptar, Mirlind Daku, e ka dëmtuar më së shumti veten.
Ai ka thënë se mund të ketë qenë çështje euforie, por që sipas Hashanit, Daku e ka humbur një mundësi të madhe për karrierën e tij.
“Daku ka bërë gabim, tha se ka qenë eufori, por mbi Shqipërinë asnjë s’mund të dalë. Ti s’mund t’i dalësh përmbi ekipit. Mund të ketë qenë në njëfarë mënyre euforia, por Daku duhet të mendojë me qetësi”, ka thënë Hashani në “Sporti Total” në KTV.
Sipas trajnerit, nëpërmjet paraqitjes ndaj Kroacisë, futbollisti 26-vjeçar “dha mesazhe të mira”, por ai theksoi se dënimi nga UEFA do ta pezullojë.
“Më së shumti e ka dëmtuar veten, individët harrohen, e Shqipëria shkon përpara”, theksoi Hashani.