Euro 2020

Ukraina dhe Maqedonia e Veriut kanë nevojë për pikë pas humbjeve në ndeshjet e para

Si Ukraina ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë pësuar gola në fund të ndeshjeve hapëse në Kampionatin Evropian dhe kanë humbur shkaku i tyre.

Ukraina dhe Maqedonia e Veriut do të luajnë kundër njëra-tjetrës të enjten nga ora 15:00 në Bukuresht, duke e ditur se një tjetër humbje ua zbeh shanset për të avancuar tutje.

Dy të parët e gjashtë grupeve avancojnë në një të tetën e finales, bashkë me katër skuadrat e treta më të mira.

Ukraina arriti që të rikthehet në lojë pas disavantazhit prej dy golave kundër Holandës në Amsterdam të dielën, por Denzel Dumfries e shënoi me kokë golin e fitores në minutën e 85-të.

“U kthyem pasi ishim duke humbur 2:0 dhe është jo e këndshme ta humbësh ndeshjen në minutat e fundit”, ka thënë kapiteni i Ukrainës, Andriy Yarmolenko, i cili e shënoi njërin nga golat.

“I kemi edhe dy ndeshje të tjera dhe sërish do të luajmë me të njëjtën energji”, tha ai. “Nëse avancojmë, atëherë do të ishte shumë mirë”.

Maqedonia e Veriut, njëra nga dy debutueset në “Euro 2020” bashkë me Finlandën, ishte duke barazuar me Austrinë, 1:1, para se zëvendësuesit Michael Gregoritsch dhe Marko Arnautoviq të shënonin nga një gol në minutat e fundit të ndeshjes në “National Arena” në Bukuresht, të dielën. Kjo ia dha Austrisë fitoren e parë në kampionatin kontinental.

Kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev, i cili e realizoi golin e 38-të me përfaqësuesen e tij, ka thënë se edhe humbja në një ngjarje të madhe mund të bëjë që ekipi të rritet.

“Ka qenë eksperiencë e mirë për ne, si ndeshje e parë në një turne të tillë. Mendoj se kemi luajtur 80 minuta të shkëlqyer”, ka thënë Pandev. “Duhej t’i shfrytëzonim disa kundërsulme dhe ne nuk e bëmë këtë. Në fund të fundit, ky është futbolli”.

As Ukraina dhe as Maqedonia e Veriut nuk u konsideruan favorite në ndeshjet hapëse, por që të dyja ishin në formë të mirë para garës.

Humbja të dielën ishte e para për Ukrainën në shtatë ndeshje këtë vit, ndërsa Maqedonia e Veriut i regjistroi tetë fitore e tri humbje në 15 ballafaqimet e fundit – përfshirë këtu edhe fitoren befasuese si mysafire e Gjermanisë në kualifikime të Kupës së Botës, në muajin mars.

Ukraina po paraqitet në kampionatin e tretë të Evropës, teksa ishte bashkënikoqire e kësaj ngjarjeje në vitin 2012. Por e ka fituar vetëm një ndeshje dhe asnjëherë nuk e ka kaluar fazën e grupeve.

Ndërkohë, të dyja përfaqësueset duhet t’i limitojnë shpërqendrimet e shkaktuara nga çështjet shtetërore.

Fanella “verdhë e blu” e Ukrainës për “Euro 2020” nxiti reagime në Rusi për shkak se aty shfaqej territori i Krimesë, të cilin rusët e aneksuan në vitin 2014.

UEFA lejoi që harta të qëndronte, meqë aneksimi i Rusisë shihet i paligjshëm. Por slogani “Lavdi heronjve” u largua për shkak se shihej si “natyrë e qartë politike, me rëndësi historike dhe ushtarake”.

Federata e Futbollit e Ukrainës ka thënë se ende vazhdojnë bisedimet me UEFA-n për këtë çështje.

Nga ana tjetër, Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut kërkoi të merren masa kundër Marko Arnautoviqit për incidentin e ndeshjes së parë, duke thënë se sulmuesi bëri fyerje nacionaliste në drejtim të lojtarit shqiptar Ezgjan Alioski. UEFA e dënoi me një ndeshje moslojë sulmuesin e Austrisë, Arnautoviq.

“Euro 2020”, Grupi C: Ukraina – Maqedonia e Veriut, e enjte 15:00