Barazimi mund të jetë i mjaftueshëm për të dy ekipet, ndërsa fitorja do të ishte garancë për secilën.
Ukraina dhe Austria kanë kanë nga një fitore e një humbje deri më tani në Euro 2020, ndërsa do të takohen mes vete të hënën (18:00) në Bukuresht, me synimin për të avancuar nga grupi për herë të parë.
Për të dy përfaqësueset, sulmuesit kanë qenë në qendër të vëmendjes në këtë Evropian.
Andriy Yarmolenko dhe Roman Yaremchuk kanë shënuar gola për Ukrainën në ndeshjen hapëse, e më pas shënuan nga një edhe në ndeshjen e dytë. Por, ndeshjet e zhvilluara i takojnë së kaluarës.
“Ndeshja më e vështirë është para nesh, në raundin e fundit në grup”, ka thënë Yarmolenko.
Edhe
Ukraina dhe Maqedonia e Veriut kanë nevojë për pikë pas humbjeve në ndeshjet e para
Me gjithë efikasitetin e dy lojtarëve, brengat e selektorit të Ukrainës, Andriy Shevchenko, kanë qenë për numrin e golave të shënuar, në krahasim me numrin e rasteve të krijuara.
Ruslan Malinovskyi, për shembull, ka pasur rast ta mbyllë ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut në minutën e 84-t, kur gjuajti penallti. Por, gjuajtjen e tij e ndali portieri kundërshtar.
“Nëse do të barazonim do të isha shumë i mërzitur”, kishte thënë Malinoskyi pas fitores 2:1.
Shevchenko ka thënë se mbrojtësi Denys Popov ka një lëndim dhe mund të mungojë në ndeshjen “shumë, shumë të rëndësishme”.
Austria ka shënuar tre gola në fitoren fillestare ndaj Maqedonisë së Veriut, por më pas u paraqit zbehtë ndaj Holandës. Ekipi austriak është dashur ta luajë ndeshjen e dytë pa të suspenduarin Marko Arnautoviq, që ka shënuar 27 gola për përfaqësuese.
Arnautoviq do të kthehet ndaj Ukrainës. Ukraina e Austria kanë luajtur dy herë para Evropianit, ndërsa të dyja ishin bashkorganizatore të ngjarjes më herët. Austria e kishte organizuar Evropianin 2008 së bashku me Zvicrën, por prapë u ndal në fazën grupore. Ukraina kaloi njëjtë pasi e organizoi Evropianin 2012 së bashku me Poloninë.
Por, ishte kohë kur turneu kontinental i kishte 16 përfaqësuese, me vetëm dy të parët në grup që avanconin në çerekfinale.
Tani janë 24 përfaqësuese në turne dhe katër më të mirat e vendit të tretë avancojnë në një të tetën e finales. Pra, në raundin nokaut avancojnë dyfish më tepër përfaqësuese se në të kaluarën.
Edhe
#Profili - Euro 2020: Pas debaklit në vitin 2016, Ukraina synon kalimin e grupit
Në vitin 2016, kur formati me 24 skuadra u prezantua, katër pikë ishin të mjaftueshme për përfaqësueset e vendit të tretë për të avancuar tutje. Madje, kampionia Portugalia dhe Irlanda e Veriut avancuan edhe me tri pikë. Por, Shqipëria dhe Turqia u eliminuan me numër të njëjtë pikësh.
Kështu që, derisa fitorja do ta garantonte avancimin si për Austrinë, ashtu edhe për Ukrainën, barazimi mund të jetë i mjaftueshëm për të dyja përfaqësueset.