Përfaqësuesja e Suedisë ka marrë vendim që në prag të “Euro 2020” do t'u nënshtrohet masave më të rrepta anti- COVID pasi dy lojtarë, sulmuesi Dejan Kulusevski dhe mesfushori Mattias Svanberg dolën pozitivë me koronavirus, ka bërë të ditur Federata Suedeze të mërkurën.
“Meqenëse dy lojtarë kanë rezultuar pozitiv, menjëherë është mbajtur një takim urgjent me ekipin mjekësor dhe trajnerët e ekipit, ku u diskutuan masa të ndryshme për të kufizuar rrezikun e përhapjes së infeksionit”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Suedisë.
Një sërë masash u miratuan, përfshirë testet antigjen të përditshme dhe një numër të shtuar të testeve PCR, derisa takimet në ambiente të mbyllura do të mbahen në grupe më të vogla dhe atë në dhomat me hapësirë më të madhe në dispozicion. Afatet kohore do të përcaktohen edhe për lojtarët që u nënshtrohen trajtimeve me seanca, të cilat do të mbahen në ambient të jashtëm.
Suedia, e cila tashmë ka humbur sulmuesin kryesor, Zlatan Ibrahimoviq, pak javë para fillimit të Kampionatit Evropian shkaku i lëndimit, po shpreson të shmangë një përhapje të mëtejshme të virusit kur ka mbetur më pak se një javë deri te ndeshja e parë në “Euro 2020”, të cilën e luan të hënën ndaj Spanjës. Sulmuesi i Juventusit, Kulusevski, i cili ishte lojtari i parë që rezultoi pozitiv, do të duhet të qëndrojë në izolim dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë ndaj Spanjës, ndërsa një rezultat i dytë i testit ende është në pritje për të konfirmuar infeksionin e Svanbergut. Përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, tha se shpreson që Kulusevski të rikuperohet në kohë për të qenë i gatshëm për ndeshjen e dytë, atë më 18 qershor kundër Sllovakisë.
“Ishim të detyruar të ndërmarrim masa të rrepta, pasi në të kundërtën do të rrezikonim shumë”, insistoi Andersson. “Ne nuk duam që shkaku i rasteve me koronavirus t’i humbasim ndeshjet në Evropian. Besoj se me respektimin e këtyre masave, do të jemi shumë më të qetë”.
Sipas rregullave të UEFA-s, nëse një përfaqësuese futet pjesërisht në karantinë ose izolim, ndeshja mund të zhvillohet për aq kohë sa ekipi ka të paktën 13 lojtarë, përfshirë një portier. UEFA, gjithashtu, ka mundësinë të planifikojë një ndeshje brenda 48 orëve, ose ta zhvendosë atë. Nëse asnjë nga këto opsione nuk është i mundur, atëherë ekipi përgjegjës për anulimin e ndeshjes do ta humbë atë me rezultatin zyrtar (3:0). Te Suedia nuk kanë në plan të vaksinojë lojtarët për Kampionatin Evropian dhe këtë e ka konfirmuar edhe përzgjedhësi Andersson.
“Nuk është e drejtë që ne të vaksinohemi para të gjithë të tjerëve”, insistoi Andersson, duke iu referuar strategjisë së vazhdueshme të Suedisë për vaksinimin e njerëzve duke zbritur kategoritë e moshës.
E me këtë u pajtua edhe mjeku i Përfaqësueses së Suedisë, Anders Valentin.
“Unë mendoj se është mirë që njerëzit e moshuar dhe të sëmurët të vaksinohen të parët, dhe jo futbollistët. Ne do t’i mbrojmë lojtarët me masat që tashmë i kemi ndërmarrë”, shtoi Valentin.
Deri më tani, te Suedia vetëm dy lojtarë janë vaksinuar plotësisht, njëri ka marrë dozën e parë dhe disa të tjerë kanë antitrupa.