Euro 2020

Phillips, ylli i ri i mesfushës angleze

I gjithë potenciali i Kalvin Phillipsit është shfaqur në skenën e madhe, në Kampionat Evropian: presioni këmbëngulës, teknika mbresëlënëse dhe vizioni për pasime.

Llogaria e “Euro 2020” në Twitter u mbush me komente ku ai quhej “Pirlo i Yorkshire”.

Duke luajtur në mesfushën e Anglisë ndaj Kroacisë, Phillips dukej si një lojtar i kompletuar dhe me përvojë ndërkombëtare. Jo si një që një vit më parë po luante në kategorinë e dytë dhe që nuk ishte ftuar asnjëherë në përfaqësuesen e vendit të tij. Madje as në grupmoshat e reja.

Edhe nëse “Euro 2020” do të luhej në kohën kur ishte paraparë, selektori i Anglisë, Gareth Southgate, do të konsideronte për të ftuar mesfushorin e Leedsit në skuadër për herë të parë.

Shtyrja e Evropianit për shkak të pandemisë i ofroi Phillipsit rastin të promovohet në Premier League me Leedsin, ekipin me bazë në Yorkshire. Po ashtu ai fitoi debutimin ndërkombëtar para se ta luante ndeshjen e parë në Premier League.

Nëntë muaj më vonë ishte zgjidhje logjike që Phillips të startonte përkrah Declan Rice në mesfushën e Anglisë për ndeshjen hapëse në “Euro 2020” ndaj Kroacisë. Në vetëm paraqitjen e nëntë për Anglinë, Phillips ka luajtur 90 minuta. Madje asistoi në golin e vetëm të shënuar në minutën e 57-të.

“Sa herë që kam rastin ta kem topin, unë thjesht mendoj që mos ta humb atë”, ka thënë Phillips të hënën. “Nëse është mundësia të bëj pasim përpara, atëherë mundohem ta pasoj topin te dikush që është në pozitë më të mirë”.

Nga një pozicion i thellë, duke mos lënë pas dore detyrat defansive, Phillips u hodh përpara në hapësirë për të marrë topin në krahun e djathtë. Duke kaluar një kundërshtar që shkoi zvarrë, Phillips e dërgoi topin te Raheem Sterling, që nuk fali.

“Ai ishte brilant”, ka thënë kapiteni Harry Kane. “Ai vetëm sa është kthyer nga një lëndim, ishte i mirë në stërvitje dhe ka punuar shumë që të jetë gati për ndeshjen e parë. Qartë se është përzgjedhur dhe ka bërë punë fantastike. Ishin disa lojtarë që luajtën ndeshjen e parë për Anglinë në turne të madh dhe e kanë bërë vendin e tyre krenar”.

Atleticizmi që ka impresionuar Southgaten erdhi në kushte lagështie në “Wembley”.

“Kalvini është një djalosh i shkëlqyer për të punuar me të, shumë modest”, ka thënë Southgate. “Mendoj se paraqitja e tij ishte e jashtëzakonshme. Dy pasime në pjesën e parë, pas mbrojtjes, ishin të nivelit të lartë. Ai kompletoi paraqitjen e madhe me asistimin”.

Të kontrollohej mesfusha ishte veçanërisht e nevojshme për Anglinë, pasi anglezët ishin dominuar nga Kroacia në gjysmëfinale të Botërorit 2018. Nuk ka pasur ndjenjë dominimi këtë herë, ndonëse në ekipin kundërshtar ishin Luka Modriq e Mateo Kovaçiq.

Jose Mourinho ka vlerësuar se Phillips është përballur me plot sukses me mesfushorët me përvojë të Kroacisë. “Nuk më kujtohet që ai të ketë humbur një pasim në hapësirën e rrezikshme, ku krijohen aksionet”, ka thënë Mourinho. “Mendoj se ai është shumë, shumë i mirë. Dhe kur sheh një nga këta djemtë e rinj që paraqiten në këtë skenë të madhe dhe performojnë ashtu si perfomoi ai, atëherë është fantastike”.

Saktësia e pasimeve të tij prej 94 për qind ishte më e lartë se e lojtarëve të tjerë anglezë, duke siguruar këto krahasime me Pirlon e famshëm të Italisë.

“Ne e dimë që i kemi kërkuar të luajë pak më i avancuar se që luan në skuadrën e tij. Por ai e di se e ka teknikën e duhur për ta bërë këtë. Na ka ofruar më shumë qëndrueshmëri në mesfushë dhe na ka lejuar që në mënyrë efektive të luajmë me katër lojtarë në sulm, duke përfshirë edhe Mason Mountin në mesfushë po ashtu”, ka theksuar Southgate.

Sipas selektorit anglez, puna me Marcelo Bielsan i ka ndihmuar 25-vjeçarit nga Akademia e Leedsit që të zhvillohet edhe më shumë gjatë tre vjetëve të fundit.

“Të jesh në gjendje të punosh me trajnerin me të cilin ai punon dhe të kesh një edicion të luajtur në Premier League, i ka dhënë atij vetëbesim. Por ai i ka të gjitha atributet. Për ne është futbollist shumë i mirë”, ka thënë Southgate.