Kur Pep Guardiola arriti te Manchester City në vitin 2016, kishte shumë njerëz të bindur se stili i tij i lojës nuk do të funksiononte në Premier League. Shpejtësia, forca dhe trajtimi u konsideruan mënyrat e vetme për të fituar në natën e ftohtë dhe të lagur në Stoke – jo pasimet, presioni dhe marrja e rrezikut. Ishte gjithmonë një argument i çuditshëm, duke qenë se Barcelona dhe Bayern Munichu i Guardiolas kishin ardhur rregullisht në Angli dhe kishin dominuar ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër kundërshtarëve të Premier Leagues dhe filozofia e tij e futbollit në fund të fundit është shfajësuar nga suksesi i mëvonshëm i Cityt. Në të vërtetë, është e qartë tani që trajneri katalunas nuk e ka shndërruar vetëm Cityn në një forcë të madhe evropiane; ai gjithashtu ka luajtur një pjesë të rëndësishme në paraqitjen e Anglisë në finalen e “Euro 2020” – performanca më e mirë e ekipit kombëtar në një turne të madh për 55 vjet. Shembulli më i mirë është fitorja e Anglisë në ndeshjen gjysmëfinale kundër Danimarkës. Duke mbajtur epërsinë 2:1 në minutat e fundit, nuk kishte fare panik që karakterizonte paraqitjen e Anglisë në të kaluarën. Në vend të kësaj, skuadra e Gareth Southgatet e pa ndeshjen duke përfunduar 53 pasime në dy minuta e gjysmë, ndërsa turma e “Wembley” brohoriste pas çdo pasimi. Tre lojtarë të Cityt ishin titullarë të Anglisë në finalen e “Euro 2020” kundër Italisë, e cila mbase nuk është për t'u habitur, duke marrë parasysh se ata janë kurorëzuar kampionë të Premier Leagues në tre nga katër vjetët e fundit. Sidoqoftë, Raheem Sterling, John Stones dhe Kyle Walker ishin mbresëlënës si të gjithë të tjerët në turne, pasi kishin kaluar katër vjetët e fundit duke punuar nën Guardiolan dhe duke mësuar stilin e tij të futbollit të presionit të madh, të orientuar drejt posedimit të topit. Dhe të mos harrojmë se Phil Foden e humbi finalen për shkak të dëmtimit, ndërsa ish-ylli i ekipit të rinjve të Cityt, Jadon Sancho, u fut në lojë nga banka e rezervistëve. Marka e futbollit të Guardiolas ishte integrale për zhvillimin e të dy të rinjve. Është një stil që mësohet nga grupmoshat e reja në akademinë e Cityt, që po sjell futbollistë shumë teknikë, inteligjentë, të cilët janë të pajisur mirë për t’u depërtuar në ekipin e parë në “Etihad Stadium” ose diku tjetër.
“Ne kemi një përzierje midis stilit anglez dhe stilit spanjoll, por në fund të fundit pikëpamja e Pepit për lojën, e cila vjen nga Johan Cruyff, ka ndikuar në futbollin anglez”, thotë menaxheri i Akademisë së Cityt, Jason Wilcox. “Ka adaptime, por ka shumë skuadra tani që me të vërtetë e vlerësojnë këtë mënyrë të lojës dhe që vlerësojnë rëndësinë e sekondës së parë të një goli. Mënyra e shënimit, mënyra e ndërtimit nga mbrojtja dhe e përfundimit si ekip, padyshim që kanë ardhur nga Pepi dhe ky sistem po zhvillohet gjatë gjithë kohës dhe ne duhet të përpiqemi të vazhdojmë me të”.
Ndërsa disa mund të pretendojnë se është një rastësi, ka pasur një korrelacion të jashtëzakonshëm midis suksesit të një ekipi kombëtar dhe Guardiolas që punon çdo ditë me lojtarët më të mirë të vendit.
Fitoret e Spanjës në Botërorin e vitit 2010 dhe “Euro 2012” u ndërtuan rreth lojtarëve të tij te Barcelona, ndërsa ai ishte në Bayern kur Gjermania fitoi Kupën e Botës në vitin 2014. Dhe tani Anglia, padyshim, po shijon rezultatin e saj më të mirë në turne të mëdha që nga epoka e Sir Alf Ramseyt, Bobby Mooret dhe Geoff Hurstit. Wilcox nuk ka dyshim se Guardiola meriton t'i tregojë botës se filozofia e tij, e cila përqafohet nga çdo ekip i të rinjve të Cityt nga U18 dhe U23, mund të jetë e suksesshme.
“Ne kurrë nuk do të komprometonim stilin tonë dhe unë mendoj se ajo që bëri Pepi ka vërtetuar se ky stil i lojës mund të fitojë në çdo ligë të lartë në të gjithë Evropën”, insiston Wilcox. “Kishte shumë pikëpyetje në fillim. Për mua, megjithatë, ai është trajneri më i mirë në botë dhe sigurisht që ka pasur një ndikim në akademinë tonë. Duhet guxim dhe shumë punë e vështirë për të luajtur në mënyrën e tij”.
Wilcox është shumë krenar për etikën e punës së klubit, duke theksuar se të gjithë, që nga pastruesit, shefat e kuzhinës e deri te trajnerët e “Elite Development”, të gjithë japin një kontribut jetik në zhvillimin e një lojtari dhe individi të talentuar.
“Puna jonë në akademi është paksa e ndryshme, sepse duhet të sigurohemi që t’i zhvillojmë lojtarët në çdo mënyrë. Nuk ka të bëjë vetëm me kujdesin për rritjen e tyre fizike. Duhet të sigurohemi që ta kemi mjedisin tonë të duhur, në mënyrë që t'ua lejojë atyre të jenë shpërthyes dhe krijues”, shtoi Wilcox. “Gjëja më e mirë është se kur shikoni një ekip të ri të Cityt, ju nuk do të shihni vetëm aftësi të shkëlqyeshme individuale, por edhe një mirëkuptim midis lojtarëve që ata duhet të luajnë për ekipin. Kjo është diçka që është vërtet e rëndësishme”.
Lojtarët e rinj të Anglisë kanë rrëmbyer zemrat e shumë tifozëve. Foden është pjesë e këtij grupi emocionues. Ai ishte lojtari më i dalluar në akademinë e Cityt përpara se të bënte hapin e madh për të dalë në ekipin e parë, ku tashmë është titullar i padiskutueshëm. Mirëpo, paraqitjet e tij në skenën ndërkombëtare e kanë bërë stafin edhe më krenar për historinë e tyre më të madhe të suksesit.
“Ajo që ka bërë ekipi i Anglisë, mënyra se si ata e kanë kuptuar rolin e tyre në shoqëri, po ndikon te fëmijët e vegjël që duan të jenë si ata”, shton Wilcox. "Gjëja më e rëndësishme me Fodenin nuk është mënyra me të cilën ai ka përparuar si lojtar, por mënyra se si ai sillet, mënyra se si ai flet për mediat dhe mënyra se si e trajton veten. Ai është rritur në çdo zonë, megjithatë mbetet ende ky fëmijë me këmbë në tokë nga Stockporti. Ai nuk ka ndryshuar aspak. Ky është komplimenti më i madh që mund t’ia bëj. Ne jemi po aq krenarë për sjelljen e tij, sikurse për lojën që shfaq”.