Tetë tituj të ligave ishin fituar që kur Pep Guardiola e kishte ngritur lart herën e kaluar trofeun e Ligës së Kampionëve, tre në Gjermani dhe pesë në Angli. Nuk është çudi nëse flitet se Championsi ishte obsesion i tij. 12 vjet më vonë ai sërish festoi lavdinë evropiane.
Kanë dominuar krahasimet me Manchester Unitedin që fitoi tripletën në vitin 1999, por është Barcelona e madhe e Guardiolës në vitin 2011 që shfaqi më shumë. Trajneri me stil ka qenë në një rrugë të gjatë prej atëherë.
Nëse fitorja e Barcelonës në “Wembley” përfaqëson pikën më të lartë për të, apo për këdo në futboll, triumfi në vitin 2023 është më i këndshëm.
Nuk duhet t’i shqetësojë atë apo lojtarët. Janë 115 faktorë të tjerë që mund ta njollosin këtë triumf, por mënyra e paraqitjes në Stamboll nuk është njëra prej tyre. Finalet fitohen dhe nuk luhen dhe City ishte fitues i denjë pas një sezoni mahnitës.
Megjithatë, mënyra se si u arrit, dallimi i futbollit të lirë me atë të para disa vjetëve dhe në disa pjesë të këtij sezoni, shfaq diçka ndryshe nga qasja e Guardiolës.
Në vitin 2019, lojtarët e Cityt ishin golashënuesit më të mirë në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se u eliminuan në çerekfinale nga Tottenhami.
Në vitin 2021, kampionët anglezë kishin mbrojtjen e dytë më të mirë në garë, pavarësisht se luajtën 13 ndeshje. Chelsea kishte pranuar vetëm katër gola, kurse City pesë.
Por kishte diçka ndryshe në vitin 2023. Nuk ka qenë asnjëherë një skuadër më e fuqishme se kjo e Guardiolës. Një treshe në mbrojtje, por ajo nuk përfshinte Rodrin apo John Stonesin. Që të dy luajtën qendërmbrojtës në Kupën e Botës në dhjetor.
“Mendoj se jemi mbrojtur mirë në zonë”, ka thënë Guardiola kur është pyetur për dallimin. “Jemi katër qendërmbrojtës, plus Kyle Walker. Jemi mbrojtje e duhur. Edhe kur bëjmë gabime, e kemi ndjenjën se jemi më solid”.
Dy vjet më parë u humb finalja e Ligës së Kampionëve kur Oleksandr Zinchenkos i iku Kai Havertzi. Ukrainasi u largua më pas. Joao Cancelo, futbollist i shkëlqyer me topin në këmbë, po ashtu u largua kur Guardiola humbi besimin për të në fazën defensive.
City tashmë është shumë më vështirë të mposhtet. Nuk ka dobësi të qarta.
Herën e parë kur Guardiola luajti me pesë lojtarë prapa, Rodri, Stones, Nathan Ake, Ruben Dias dhe Manuel Akanji, ishte në pjesën e dytë të ndeshjes që përfundoi pa gola në udhëtim te Borussia Dortmundi në tetor. Cancelo u zëvendësua nga Akanji në mes pjesëve.
Kjo pesëshe startoi për herë të parë në fitoren 1:0 në Crystal Palace në muajin mars. Guardiola vazhdoi me këtë formacion menjëherë në ndeshjen e radhës që më pas u përdor edhe në finale të Ligës së Kampionëve. Mposhti Leipzigun 7:0 në “Etihad Stadium”.
Vendosi përsëri njësoj në të dyja ndeshjet çerekfinale kundër Bayern Munichut, ndërsa i vetmi ndryshim në planin e Guardiolas ishte Nathan Ake që kishte probleme fizike. Walker hyri në vend të tij për ta zëvendësuar.
Përgjatë ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, para asaj të së shtunës, ky ka qenë formacioni titullar. Guardiola futi në lojë këta dhjetë futbollistë për ndeshjen ndaj Arsenalit që ishte për titull, dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Real Madridit dhe finalen e Kupës FA kundër Unitedit, të cilën e fitoi.
Me këtë shabllon të vendosur, City nuk kishte pësuar më shumë se një gol në një ndeshje që prej disfatës 4:2 nga Spursi në janar. Ajo ishte nata kur Guardiola i qortoi lojtarët e tij, duke i krahasuar me “lule të lumtura”.
“Ishte interesante ta dëgjosh Pepin që flet për mbrojtësit e duhur sepse ai na ka kushtëzuar mendjet”, ka thënë Gary Neville për “Sky Sports”. “Ideja e ekipit me katër qendërmbrojtës në një ekip ishte shumë ndryshe nga stili i lojës së Pepit”.
Kjo teori shpjegohet në besimin për sukses, duke e aplikuar në praktikë. Në futboll kuptohet me pasime të gjata, qasje shumë larg lojës së Guardiolës.
Guardiola luan lojë pozicionale, lojë me posedim, sepse ai beson se është efektive. Ndryshimi i profilit të mbrojtësve të tij, njësoj si ndryshimi për ta akomoduar Erling Haalandin, reflekton këtë.
Është vetëm një mënyrë tjetër në të cilën Guardiola e ka bërë rrugëtimin e plotë. Njeriu që dikur donte ekip me mesfushorë, që në të kaluarën ka fituar Ligën e Kampionëve me Yaya Touren dhe Javier Mascheranon në qendër të mbrojtjes, tani ka mbrojtës në mesfushë.
Lojtarët e tij e dinin se u mungonte rrjedhshmëria në finale.
“Nuk ishim në nivelin më të mirë”, ka thënë Ilkay Guendogan. “Isha i tmerrshëm”, tha Jack Grealish.
Rodri e pati mundësinë për ta përshkruar paraqitjen e tij. U panë vetëm shtatë gjuajtje në ndeshje. Por lojtarët e Cityt gjetën mënyrën për t’i fituar ndeshjet e mëdha.
Kjo është diferenca kyçe. City për titull në Premier League mori 89 pikë këtë edicion, që është mesatarja më e ulët e fituar nga ekipi i Guardiolës në shtatë edicione. Shifra e 94 golave është më e ulët sesa mesatarja e shtatë edicioneve të Guardiolës në klub.
Trajneri që është i specializuar në fitimin e titujve të ligave, ka ardhur me mënyra për të fituar momentet e mëdha dhe kjo tani mund të vazhdojë.
Një Guardiola festiv, i cili fliste i çliruar, nuk ishte në gjendje të fliste për të ardhmen. Ndoshta largimi i presionit që kishte do të sjellë një City me shfaqje tjera. Rivalët në Evropë mund të shpresojnë në këtë.
Përderisa me Barcelonën brilante nuk e mbrojti trofeun e Ligës së Kampionëve, makineria Manchester City mund t’ia arrijë këtij suksesi.