Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Portieri Pickford hesht kritikët pas shkëlqimit në Evropian

Portieri i Anglisë, Jordan Pickford, ka heshtur kritikët e tij në “Euro 2020”, duke u dëshmuar si pika më e fortë e një ekipi që ende nuk ka pësuar gol në këtë turne, derisa po përgatitet për ndeshjen çerekfinale kundër Ukrainës.

Suksesi i parë i Anglisë kundër Gjermanisë në një ndeshje të fazës së nokautit pas 55 vjetësh, u sigurua me golat e vonshëm të Raheem Sterlingut dhe Harry Kanet në “Wembley” të martën. Mirëpo, ishte portieri Pickford, ai që hodhi themelin për fitoren 2:0 në 1/8 e finales për të siguruar kualifikimin në çerekfinale, ndeshje kjo që do të luhet të shtunën në stadiumin “Olimpico” në Romë. Pickford 27-vjeçar e ndali tentimin e Timo Wernerit në pjesën e parë duke e bllokuar gjuajtjen e tij nga afërsia, ndërsa më vonë reagoi në mënyrë akrobatike për të evituar rrezikun nga përpjekja e mesfushorit Kai Havertz. Dhe, me Anglinë që ishte në epërsi prej një goli (1:0), Pickford në minutën e 81-të doli nga porta dhe ngushtoi këndin mjaftueshëm sa për të shpërqendruar Thomas Muellerin, i cili shpërdoroi mundësinë e artë për të barazuar rezultatin kur gjuajti jashtë.

“Unë stërvitem shumë gjatë gjithë javës për të qenë më i miri që mund të jem kur të thirrem nga trajneri për të qenë titullar. Mendoj se ndaj Anglisë bëra dy pritje të mira. Ndjeva se ishin momentet e mia”, pranoi Pickford. “Atmosfera në atë takim ishte e mahnitshme. Kjo, thjesht na jep dëshirën për të fituar edhe të shtunën. Është një mundësi tjetër. Ne do të jemi të përgatitur për Ukrainën”.

Heroizmat e Pickfordit ishin një moment i rëndësishëm për portierin, i cili ka qenë nën presion gjatë vitit të kaluar për shkak të një serie gabimesh që i kushtuan skuadrës së Evertonit në Premier League.

Carlo Ancelotti, që ishte trajner i Evertonit, e paralajmëroi Pickfordin se duhet të përmirësohet shumë për ta bindur dhe e la jashtë ekipit për ndeshjen kampionale kundër Newcastles në nëntor të vitit të shkuar. Gjykimi për Pickfordin u vu në dyshim edhe jashtë fushës, pasi ai ishte përfshirë në një sherr në rrugë kur e fejuara e tij u abuzua gjatë një nate në qytetin e tij të lindjes në Sunderland në vitin 2019.

Edhe Pickfordi po shkruan histori Euro 2024 Pickfordi po shkruan histori

Kur Nick Pope i Burnleyt filloi si titullar në tri ndeshjet kualifikuese të Anglisë për Kampionatin Botëror “Katari 2022” në muajin mars, dukej se Pickford do të kishte telashe për të rimarrë vendin e tij të portierit të parë në ekip derisa përballej edhe me një lëndim të muskujve të barkut.

Por, ai e përfundoi sezonin 2019/20 në formë më të mirë dhe Pope u la jashtë listës së Anglisë për Kampionatin Evropian për shkak të lëndimit. Me përzgjedhësin e Anglisë, Gareth Southgate, që shprehte vazhdimisht besimin në Pickfordin si numri një i tij, ylli i Evertonit ka fshirë tashmë gabimet e tij të pakujdesshme.

“Pozita e portierit të parë në ekipin e Anglisë është pozicioni më i kontrolluar në futbollin botëror”, tha qendërmbrojtësi i Anglisë, Harry Maguire. “Ne kemi një portier madhështor pas nesh. Sa herë që Pickford e ka veshur fanellën e Anglisë dhe ishte portieri i parë, ai ka qenë madhështor”.

Portieri Pickford nuk ka pasur asnjë të metë deri më tani në “Euro 2020”, duke e mbajtur portën e tij të pastër në katër ndeshjet e luajtura të Anglisë për të arsyetuar besimin e Southgatet dhe për të nënvizuar reputacionin e tij si një portier i madh. Ai ishte heroi i Anglisë në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, pasi e ndihmoi ekipin të kualifikohet në çerekfinale pas pritjes së penalltisë që i bëri sulmuesit të Kolumbisë, Carlos Bacca, në ndeshjen e 1/8 së finales. Jo vetëm që Pickfordi luajti një rol kyç tek Angli duke i dhënë fund pasigurisë në pritjen e penalltive, por ai gjithashtu ishte më i merituari kur anglezët e mposhtën Zvicrën pas penalltive në plejofin për vendin e tretë të Ligës së Kombeve në vitin 2019. Në fakt, Pickfordi fillimisht shënoi nga pika e bardhë përballë Yann Sommerit përpara se të priste penalltinë e Josip Drmiqit. Forma e tij e çrregullt në klub nuk e ka dëmtuar aspak besimin dhe personalitetin e tij, duke e shndërruar Pickfordin në njërin prej liderëve të Anglisë në “Euro 2020”.

“Më pëlqen Pickfordi për shkak të qetësisë së tij”, tha ish-mbrojtësi i Anglisë, Rio Ferdinand. “Ai është kritikuar vazhdimisht me fanellën e Evertonit, por me fanellën e Anglisë, Pickfordi po e dëshmon veten si një portier që po rritet. Ai është shumë më i sigurt, dhe po i kontrollon të gjitha situatat. Pickfordi është një prej lojtarëve kryesorë në Evropian”.

Duke iu bërtitur me zë të lartë mbrojtësve të Anglisë kur ata nuk i përmbushin pritjet e tij, Pickfordi vendos standardet e tij të larta prej një portieri të kalibrit botëror.

Edhe Pickford favorit për t'u shpallur portieri i “Euro 2020” Euro 2020 Pickford favorit për t'u shpallur portieri i “Euro 2020”

“Nëse vazhdoni të punoni shumë, atëherë e gjithë kjo punë në fund do t’iu shpërblehet me paraqitje të mira. Ky është sekreti im. Unë punoj shumë në stërvitje, kurse në ditën e ndeshjes jam tejet i përgatitur dhe plotësisht i përqendruar. Kjo për mua ka shumë rëndësi”, tha Pickfordi. “Unë vetëm dua të jem Jordan Pickfordi më i mirë i mundshëm. Kjo është e gjitha që mund ta bëj në një ndeshje, gjë për të cilën përpiqem maksimalisht”.

Gordon Banks vlerësohet si portieri më i mirë i Anglisë pas rolit të tij në triumfin e tyre në Kampionatin Botëror të vitit 1966. Megjithatë, Pickfordi mund ta gjejë veten të përmendur në të njëjtën frymë nëse Anglia e shfrytëzon rastin e saj për të triumfuar në “Euro 2020”, që do të ishte trofeu i parë në një turne të madh pas vitit 1966. Në fakt, me këtë sukses, Pickfordi mund ta përfundojë ngritjen e tij nga përgjegjësia në legjendë.