Euro 2020

Përvoja e Kosovës me dhjetë përfaqësueset e “Euro 2020”

Para se ta niste ciklin e parë kualifikues për Kampionatin Evropian, atë “Euro 2020”, Kosova më 21 mars 2019 në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvilloi një ndeshje miqësore. “Dardanët” përballë kishin Danimarkën.

Ndeshja pati përfunduar baras, 2:2, ndërsa te Kosova e vlerësuan rezultat të madh të marrë ndaj danezëve që në Prishtinë erdhën të kompletuar.

Danimarka u kualifikua në Evropian si e dyta e Grupit D, kurse Kosova mblodhi 11 pikë, por që nuk ishin të mjaftueshme për ta fituar biletën për në “Euro 2020”. Përfundoi në vendin e tretë në Grupin A, pjesë e së cilit ishin edhe Anglia, Çekia Bullgaria dhe Mali i Zi. Pra në kualifikime Kosova u përball edhe me Anglinë e Çekinë, dy përfaqësuese tjera që luajnë në “Euro 2020”.

Por Danimarka, Anglia dhe Çekia, nuk janë përfaqësueset e vetme që Kosova i kishte kundërshtare e që nga e premtja nisin garën në Evropian.

Kundërshtare i ka pasur edhe plot shtatë përfaqësuese tjera që janë në ngjarjen e madhe. Në historinë e saj jo shumë të gjatë si pjesë e futbollit ndërkombëtar, Kosova ka luajtur edhe me Turqinë, Finlandën, Maqedoninë e Veriut, Ukrainën, Kroacinë, Spanjën dhe Suedinë.

“Përvoja e fituar nga këto ndeshje të mëdha është e mirëseardhur për lojtarët”, ka thënë ish-ndihmësi i Albert Bunjakit dhe Bernard Challandesit, Muharrem Sahiti për KOHËN.

Sahiti tani ka një rol tjetër. Ai mban postin e drejtorit të Përfaqësueses. Por, ka qenë i përfshirë në gjithë rrugëtimin e Kosovës para dhe pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Edhe ish-përzgjedhësi Albert Bunjaki insiston se ndeshjet me përfaqësuese të forta kanë ndikim pozitiv tek ekipet e vogla. Ai thotë se lojtarët mësojnë në shumë aspekte nga ndeshje të mëdha.

“Intensiteti i lojës mund të jetë edhe eksperienca, kualiteti i lartë i lojtarëve. E sheh nivelin ku t’i synon, ndoshta nuk e arrin, por e shikon mundësinë të luash kundër lojtarëve të nivelit botëror. Paraqitja përballë këtyre përfaqësueseve ndikon për zhvillimin e lojtarëve për të ardhmen”, ka thënë Bunjaki nëpërmjet telefonit.

Ai aktualisht ndodhet në Suedi, shtet që po ashtu do ta ketë përfaqësuesen e futbollit në Evropian.

Kosova luajti me Suedinë dhe Spanjën së fundi. Humbi nga të dyja thellë në ciklin kualifikues për kampionatin botëror “Katari 2022”. Është cikli i dytë kualifikues për Kosovën në Botëror, në të parin e drejtoi Bunjaki. Arriti vetëm një barazim në hapje të kampanjës kualifikuese kundër Finlandës (1:1), ndërsa ndeshjet tjera i humbi. Por, Bunjaki insiston se ka qenë përvojë e rëndësishme për lojtarët.

“Ka qenë përvojë e rëndësishme dhe e mirë, po flasim për periudhën 2016, ku pjesa dërrmuese e lojtarëve as që kanë pasur lojë me ekipin A e lëre më ekipe që kanë qenë në finale Evropiane apo Botërore. Kroacia nënkampione e botës. Kishim në grup edhe Turqinë dhe Ukrainën. Këta kundërshtarë për të ardhmen e lojtarëve kanë qenë të mirë, por ka qenë sfidë më vete, sepse niveli ka qenë shumë i lartë”, është shprehur Bunjaki.

Kosova nuk i ka nisur mirë kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm. Është në vendin e fundit pa pikë të fituar në dy ndeshjet e para, kundër Suedisë dhe Spanjës. Në Grupin B e ka edhe Greqinë dhe Gjeorgjinë. Me këto dy përfaqësuese do të përballet në shtator, ndërsa po në këtë muaj e pret edhe Spanjën në Prishtinë.

Bunjaki e kujton si ndeshjen më të vështirë atë kundër Turqisë, përfaqësuese që po ashtu është në “Euro 2020”.

“Ndeshja kundër Turqisë në Antalia para 36 mijë shikuesve ka qenë e vështirë goxha. Më kujtohet momenti kur kërkon komunikimin me lojtarin në dhjetë metra dhe nuk ia del të merresh vesh. Kam provuar të kontaktoj me Milot Rashicën, por nuk ia dola. Presioni në arenë ka qenë sfidë më vete, ndërsa loja me Kroacinë ka qenë po ashtu një sfidë e vështirë, ku e luajmë për dy ditë ndeshjen e njëjtë”, ka deklaruar Bunjaki.

Asnjërin prej kundërshtarëve që Kosova i ka pasur gjatë rrugëtimit të saj pas pranimit në UEFA dhe FIFA, Bunjaki nuk i sheh favorit për ta fituar “Euro 2020”.

“Franca është nivel tjetër, por nëse dikush i bën konkurrencë mund të jetë Anglia që ka një futboll që mund t’u sjellë telashe francezëve. Këto tjerat mund të jenë në çerekfinale dhe gjysmëfinale, por nuk e shoh dikë prej tyre që mund ta fitojë titullin e Evropës”, ka thënë Bunjaki.