Neymari nuk i ka fituar tri Kupa të Botës në karrierë siç kishte bërë Pele, por i është afruar në një statistikë.
Neymari është vetëm nëntë gola larg golashënuesit më të mirë te Përfaqësuesja e Brazilit. Ky rekord mbahet nga njëri prej futbollistëve më të mirë të historisë së futbollit, Pele.
Statistikat zyrtare të FIFA-s, thonë se Pele i ka shënuar me Brazilin 77 gola. Neymari i ka 68 gjithsej, pasi shënoi në fitoren kundër Perusë.
Brazili të enjten e fitoi takimin me rezultatin 4:0, që është e rëndësishme për Kupën e Amerikës. Neymari e realizoi golin e dytë, ndërsa tri golat tjerë u shënuan nga Alex Sandro, Ribeiro dhe Richarlison.
Sipas FIFA-s, Pele e ka arritur këtë statistikë pas 92 ndeshjeve të luajtura, ndërsa Neymari i ka luajtur 107.
Ndërkohë, konfederata e futbollit brazilian ndryshe nga statistikat e FIFA-s, e vë Neymarin me 28 gola prapa njeriut, të cilin në Brazil e quajnë “Mbreti i Futbollit”. Brazilianët i kanë numëruar edhe disa ndeshje jo ndërkombëtarë kundër klubeve.