Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Enrique shpreson që të ketë më shumë tifozë spanjollë e italianë sesa anglezë në gjysmëfinale

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique shpreson që stadiumi “Wembley” do të mbushet nga emigrantët spanjollë dhe italianë për gjysmëfinalen e sotme të “Euro 2020”, pasi tifozëve që udhëtonin në Angli nuk iu ofrua asnjë përjashtim nga rregullat e rrepta të karantinës. Një turmë prej 60 mijë shikuesve do të lejohet si për gjysmëfinalet, ashtu edhe për finalen në Londër, pasi kufizimet e koronavirusit janë lehtësuar.

Sidoqoftë, Anglia duhet të ketë një avantazh të madh për gjysmëfinalen e saj kundër Danimarkës të mërkurën dhe potencialisht në finale për shkak se tifozëve udhëtues do t’iu kërkohet karantinimi. Një përjashtim është bërë për deri në 2500 persona VIP, pasi u arrit një marrëveshje midis UEFA-s dhe qeverisë britanike.

“Është një situatë e çuditshme. Shpresoj që në tribuna të ketë spanjollë dhe italianë më shumë sesa tifozë anglez, por këto janë gjëra që nuk mund t'i kontrollojmë”, tha Enrique.

“Unë nuk do të harxhoj energjinë në këtë. Do të dëshironim të ishte ndryshe, por ne e pranojmë këtë situatë”. Madje, Federata e Futbollit të Spanjës, u dërgoi një lutje tifozëve anglezë për të mbështetur ekipin e saj ndaj Italisë nëpërmjet një kampanje në mediat sociale, të titulluar: “Ne kemi nevojë për ju!”.