Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Vetëm 125 italianë për duelin ndaj Spanjës në “Wembley”

Vetëm 125 italianë pritet të jenë në stadiumin “Wembley” javën tjetër kur Italia do të luajë përballë Spanjës në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian.

Në rast të kalimit në finale, numri i përkrahësve të Përfaqësueses së Italisë do të jetë 1000 ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina.

“A do të mbetet Final-Four në ‘Wembley’? Besoj se po. Kemi pasur disa biseda me disa federata dhe kemi ngritur çështje delikate, përfshirë edhe problemin që ende nuk ka dalë në pah – dërgimin e tifozëve tanë në ‘Wembley’. Kemi mundësi për vetëm 125 bileta në gjysmëfinale dhe 1000 për finale. Duhet ta kuptoni se kemi masa, ka pandemi dhe masat e vendosura nga Qeveria e Britanisë janë shumë të rrepta. Do të mundohemi ta përmirësojmë këtë numër sa më shumë që është e mundur, por duhet të jemi të kujdesshëm, pa ndërmarrë rreziqe. Këto kushte e penalizojnë edhe pjesën e bukur të këtij sporti”, ka thënë Gravina në një konferencë.