Pas të gjitha gjërave që shkuan keq për Danimarkën në Kampionatin Evropian, fitorja kundër Rusisë, të hënën, do t’i rregullonte shumë gjëra për danezët.
Pavarësisht dy humbjeve dhe një traume emocionale pas kolapsimit të Christian Eriksenit, Danimarka ende mund të përfundojë e dyta në Grupin B me fitore përballë rusëve në “Parken Stadium” të Kopenhagës, të hënën nga ora 21:00.
“Mendoj se do të hyjmë në ndeshje me mentalitetin që mund të shkojmë tutje”, ka thënë kapiteni i Danimarkës, Simon Kjaer. “Pas të gjithave që i kemi kaluar, mendoj se e meritojmë”.
Danezëve po ashtu u duhet fitorja e përfaqësueses së vendit të parë në renditje të FIFA-s, Belgjikës, kundër Finlandës, në ndeshjen e cila zhvillohet në të njëjtën kohë. Në atë rast, Danimarka, Rusia dhe Finlanda do të përfundonin me nga tri pikë dhe vendi i dytë do të vendosej nga godallimi në ndeshje të ndërsjella ndërmjet të tri ekipeve. Belgjika i ka fituar dy ndeshjet e para.
Dy skuadrat e para të gjashtë grupeve avancojnë automatikisht në fazën nokaut, bashkë me katër skuadrat më të mira të vendit të tretë.
“Duket sikur Evropiani për ne ka nisur tani”, është shprehur përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand.
Hjulmand mori shembull edhe Portugalinë, që e përfundoi fazën e grupeve me tri pikë në vitin 2016, falë tri barazimeve, e më pas e fitoi tërë turneun.
“Pas tri ndeshjeve portugezët kishin tri pikë. Dhe ata u bënë kampionë të Evropës. Kështu që besojmë”, tha Hjulmand.
Rusia ka nevojë vetëm për një pikë për të avancuar dhe ka shënuar përmirësime në fitoren ndaj Finlandës, pas humbjes që e pësoi nga Belgjika, 3:0.
Portieri Matvei Safonov, i cili e zëvendësoi Anton Shunin për ndeshjen ndaj Finlandës, pret që ta mbajë pozitën e titullarit, ndërsa është bërë baba këtë javë.
Rusia është dukur jostabile në fazën e mbrojtjes, teksa është duke e pritur sulmuesin Artem Dzyuba ta lërë shenjën në këtë garë. Por, edhe pse Rusia mund të jetë rehat me një barazim, Hjulmand nuk pret që vizitorët të jenë pasivë.
“Ata mund të luajnë futboll me të vërtetë të mirë”, tha Hjulmand. “Nuk do të jetë një ndeshje ku vetëm vendosesh prapa dhe pret. Ata mund të bëjnë gjëra të mira me topin dhe janë shumë të mirë kur e arrijnë nivelin e tyre”.
Danimarka shpreson që atmosfera në “Parken Stadium” t’i japë avantazh. Animi i 25 mijë tifozëve ishte i zjarrtë dhe i zhurmshëm kundër Belgjikës. I ndihmoi danezët të marrin avantazh të shpejtë para se të ndalej loja pas dhjetë minutash, kur i gjithë stadiumi e nderoi Eriksenin për një minutë me duartrokitje.
Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez, tha se atmosfera në “Parken” e la ekipin e tij të “shokuar” në pjesën e parë.
Erikseni u largua nga spitali të premten, pas sulmit kardiak në ndeshjen kundër Finlandës. Dhe përderisa në ndeshjen kundër Rusisë nuk pritet të ketë nderime të ngjashme për Eriksenin, danezët po shpresojnë të kenë përkrahjen e madhe nga tifozët për t’i ngritur moralisht.
“Përkrahja që e kemi pasur herën e fundit ka qenë gjëja më e ‘çmendur’ që e kam përjetuar”, tha Kjaer. “Ishte ndeshje e veçantë dhe asnjëherë nuk kam përjetuar diçka të tillë në ‘Parken’. Shpresoj se do ta kemi të njëjtën përkrahje të hënën”.
Rusia, ndërkohë, është e pakënaqur që shumë nga tifozët e saj nuk do të mund të jenë në ndeshje sepse duhet të vetizolohen kur të arrijnë në Danimarkë. Ambasada e Rusisë në Kopenhagë ka akuzuar danezët për “standarde të dyfishta dhe rusofobi”, pasi shumë tifozë finlandezë dhe belgë ishin të pranishëm në dy ndeshjet e para.
Në fushë, Danimarka e di se duhet të përfitojë më shumë nga shanset që do t’i jepen. Danezët kishin 23 shanse kundër finlandezëve që kishin vetëm një në ndeshjen e parë dhe patën 22 tentime kundër Belgjikës, por realizuan vetëm një gol.
“Kemi krijuar kaq shumë shanse. Të gjitha statistikat tregojnë se duhej t’i kishim gjashtë pikë dhe kemi zero. Kështu që, besoj e meritojmë kualifikimin”, nënvizoi Hjulmand. “Nëse e shtypim gazin në të njëjtën mënyrë edhe kësaj radhe, rusët do të duhet të jenë shumë të mirë për të na ndalur”.