Për Danimarkën është koha që disi të fokusohet në futboll sërish, në Kampionatin Evropian.
Pesë ditë pas kolapsimit të Christian Eriksenit kundër Finlandës, danezët do të rikthehen në “Parken Stadium”, të enjten (18:00) për të luajtur kundër përfaqësueses në vendin e parë në renditje të FIFA-s, Belgjikës, në ndeshjen e dytë të Grupit B.
Pa dyshim se do të jetë ndeshje emocionale për skuadrën që ende e ka në kujtim incidentin e së shtunës dhe i ka kaluar ditët vetëm duke u munduar të ndihet mirë për të luajtur një tjetër ndeshje.
Me Eriksenin që po shërohet dhe që u ka thënë shokëve të skuadrës se duhet të fokusohen në “Euro 2020”, trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, ka thënë se lojtarët janë të gatshëm të shikojnë para “me ndërgjegje të pastër”.
“Jemi gati të tregojmë edhe një herë tjetër se kush jemi”, ka thënë Hjulmand. “E kemi treguar në fushë dhe jashtë fushës të shtunën. Dhe sërish, të enjten, do të tregojmë se kush jemi në të vërtetë, se si luajmë dhe se si luftojmë”.
Danezët po ashtu janë gati për një atmosferë të veçantë në “Parken Stadium”. Rreth 25 mijë tifozë do të lejohen të hyjnë në stadium pas lehtësimit të masave ndaj pandemisë. 15 mijë shikues ishin në ndeshjen me Finlandën. Tifozët janë të bindur se do të tregojnë vlerat e skuadrës, me futbollistët të cilët u vlerësuan heronj nga i gjithë shteti pas kolapsimit të Eriksenit.
Lojtarët e rrethuan Eriksenin që ta ruajnë privatësinë e tij, derisa stafi mjekësor po e kryente detyrën emergjente. Erikseni pësoi arrest kardiak, por u shpëtua me defibrilator.
Tifozët po planifikojnë që ta nderojnë Eriksenin duke u ngritur të gjithë në këmbë në minutën e dhjetë të ndeshjes – në nder të numrit 10 që mbahet nga ai – dhe me shumë gjasë do të thirret emri i tij.
“Do të mundohemi të përgatitemi për këtë eksperiencë”, ka thënë Hjulmand. “Por do të jetë emocionale padyshim. Ne duhet t’i përdorim këto emocione për ndeshje dhe të bëhemi gati të luftojmë, të bëhemi gati të luajmë mirë. Dhe t’i lejojmë vetes të japim gjithçka që kemi. Shpresoj që këtë ta përdorim për diçka pozitive e të jemi të fortë”.
Problemi te Danimarka është se pas humbjes nga Finlanda, 1:0, tani do të ballafaqohet me një prej skuadrave më të forta të turneut. Belgjika mposhti Rusinë me rezultatin 3:0 në ndeshjen e parë dhe pritet që ta ketë të gatshëm organizatorin e lojës, Kevin De Bruyne, pasi ka kompletuar stërvitjet këtë javë pas frakturës që e pati në fytyrë.
Mesfushori i Belgjikës, Axel Witsel, po ashtu mund të rikthehet pas gjashtë muajsh. Ai kishte një lëndim.
Do të jetë eksperiencë e çuditshme edhe për sulmuesin e Belgjikës, Romelu Lukaku. Lukaku është bashkëlojtar me Eriksenin te Interi dhe ka thënë se “ka qarë shumë” para ndeshjes me Rusinë, kur dëgjoi për kolapsimin e tij. Lukaku shënoi dy herë në atë ndeshje dhe shkoi te kamera televizive pas golit të parë duke bërtitur “Chris, Chris, forca djalosh, të dua”, në gjuhë të përzier holandeze e angleze.
Tani synim i tij është që t’i prish plane Danimarkës.
Për Hjulmandin, mungesa e Eriksenit shfaq problem të pastër praktik: Si ta zëvendësojë lojtarin më të mirë të ekipit?
“Ai është ritmi i ekipit, ritmi i zemrës së ekipit”, tha Hjulmand. “Është e pamundur ta zëvendësosh atë. Por së bashku do të bëjmë diçka tjetër, diçka ndryshe. Sepse nuk mund ta zëvendësosh Christian Eriksenin. Por ne pa dyshim se do të kemi ekip të fortë me shumë kualitet. Dhe ne kemi shumë, shumë skuadër të fortë e të bashkuar, jemi gati për të luftuar”.
Mesfushori i Belgjikës, Nacer Chadli, ish-bashkëlojtar i Eriksenit te Tottenhami, ka thënë se është e vështirë të dish se çfarë mund të presësh nga ekipi i Danimarkës në këto rrethana.
“Për danezët është një situatë e jashtëzakonshme”, tha Chadli. “Ata kanë shumë lojtarë të mirë, duhet të jemi në formën më të mirë. Por mbetet të shihet nga ana e tyre se me çfarë gjendje mendore do të hyjnë në ndeshje”.
“Euro 2020”, Grupi B: Danimarka – Belgjika, e enjte 18:00