Mesfushori Sergio Busquets ka thënë se Spanjës i është dashur një fitore e thellë.
Spanja fitoi thellë të mërkurën ndaj Sllovakisë me rezultatin 5:0, në ndeshjen që u zhvillua në Sevilla.
Kapiteni Busquets ka theksuar se vetëm të bashkuar mund të dalin fitues.
“Ka qenë një fitore për të gjithë, për ne, për publikun. Kam kaluar një kohë të vështirë, dhjetë ditë në shtëpi dhe nuk e dija nëse mund të kthehesha apo jo. Unë mendoj se ishte ajo që na duhej, ne kemi dalë të bashkuar që nga fillimi dhe kur jemi kështu jemi të fortë”, ka thënë Busquets.
Për Busquetsin ishte ndeshja e parë në “Euro 2020”. Ai mungoi në dy ndeshjet e para, pasi ishte i izoluar shkaku i infektimit me koronavirus.
Ai ka folur edhe për kundërshtarin e ardhshëm në një të tetën e finales të Evropianit. Spanja përballë do ta ketë Kroacinë, ndeshje që do të luhet të hënën në Kopenhagë nga ora 18:00. “Ne jemi të sigurt, shpresojmë se do të bëjmë mirë, do të përgatitemi për ta”, është shprehur Busquets, që u shpall edhe lojtari më i mirë i takimit të fundit të Grupit E. Spanja përfundoi e dyta në grup me pesë pikë, ndërsa Suedia zuri vendin e parë me shtatë pikë.