Ekonomi

Në dhjetor eksporti mbuloi importin me vetëm 12.5%

Eksport-Import

Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2025 sipas të cilave eksporti në muajin e kaluar e mbuloi importin me vetëm 12,5 %. 

Sipas ASK-së të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej -0,7 % në muajin dhjetor 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024. Në dhjetorin e kaluar vlera e deficitit ishte 557,4 milionë euro, kurse në dhjetorin e vitit 2024 deficiti kishte vlerë prej 561,5 milionë eurosh. 

Sipas ASK-së eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2025 kishte vlerën 79,4 milionë euro, ndërsa importi 636,9 milionë euro, që sipas ASK-së është një rritje prej 14,1 % për eksport, si dhe një rritje prej 0,9 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 18,1 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15,1 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 14,4 % e përbëjnë produktet minerale; 10,7 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,2 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 6,9 % e tekstil dhe artikuj tekstili; etj”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 13,6 % e përbëjnë mjetet e transportit; 13,3 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,9 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,3 % e përbëjnë produktet minerale; 8,9 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

ASK-ja ka paraqitur edhe vlerën e eksporteve dhe importeve të Kosovës me vendet e BE-së. 

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 23,5 milionë euro, ose rreth 29,5 % e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 0,81 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,6 %), Italia (2,5 %), Holanda (1,9 %), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 283,2 milionë euro, ose 44,5 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5,0 %. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (16,4 %), Italia (4,7 %), Polonia (4,0 %), etj”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu janë paraqitur edhe vlerat e eksporteve dhe importeve të Kosovës me vendet e CEFTA-s.
“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 39,0 milionë euro, ose 49,1 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 17,4 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (17,2 %), Shqipëria (16,6 %), Mali i Zi (7,7 %), Serbia (6,2 %), etj. Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 75,8 milionë euro, ose 11,9 % të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-23,8 %). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin:

Maqedonia e Veriut (3,9 %), Shqipëria (3,3 %) dhe Serbia (3,3 %)”, thuhet në njoftim.

Ndërsa eksportet me vendet e tjera arritën në 17,0 milionë euro, ose 21,3 %.

“Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (9,7 %) dhe Turqia (3,4 %). Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 277,8 milion Euro, ose 43,6 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,1 %) dhe Kina (12,4 %)”, thuhet në njoftim.