Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Ekonomi

Eksporti mbulon importin me vetëm 17%

eksport

Foto: Ilustrim

Eksporti në muajin shtator të këtij viti e ka mbuluar importin me vetëm 17%. 

Të dhënat për rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin e kaluar, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë për një deficit tregtar prej 2,6 % në muajin shtator 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025. 

Vlera e deficitit këtë shtator ishte 534 milionë euro, kurse shtatorin e vitit paraprak ishte 520,5 milion euro. 

“Eksporti i mallrave në muajin shtator 2026 kishte vlerën 109,4 milionë euro, ndërsa importi 643,4 milionë euro, që është një rritje prej 27,5 % për eksport, si dhe një rritje prej 6,1 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24,3 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 17,1% e përbëjnë produktet minerale; 10,3 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,1 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,9 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 19,8% e përbëjnë produktet minerale; 11,8 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,2 % e përbëjnë mjetet e transportit; 11,1 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,1 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së sipas ASK-së arritën në 34,2 milionë euro, ose rreth 31,3 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 22,1 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,8 %), Holanda (2,7 %) e Bullgaria (2,3 %).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së sipas ASK-së ishin rreth 281 milionë euro, ose 43,7 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12,7 %. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,5 %), Greqia (6,5 %), Italia (4,4 %), etj.

Në njoftimin e ASK-së thuhet se eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 55,6 milionë euro, ose 50,8 % të eksporteve  të përgjithshme, me një rritje prej 36,8 %. 

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (25,3 %), Maqedonia e Veriut (13,9 %), Mali i Zi (5,0 %) e Serbia (4,5 %). 

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 86,7 milionë euro, ose 13,5 % të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 1,2 %.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (6,2 %), Shqipëria (3,0 %) e Serbia (3,0 %). 

Janë publikuar edhe të dhënët për eksportin e importin me vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 19,6 milion Euro, ose 17,9 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (8,0 %) dhe Turqia (3,6 %).  Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 275,7 milion Euro, ose 42,8 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (15,2 %) dhe Turqia (10,5 %)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.