Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga viti 2003, 19 prej 23 të akuzuarve shqiptarë për krime lufte janë liruar nga akuzat me vendim të plotfuqishëm. Dy janë të dënuar me gjithsej 14 vjet e gjatë muaj burgim. Një është duke u gjykuar, për njërin është pezulluar procesi, dhe dy të tjerë po mbahen si të dyshuar. Arrestimet e tyre janë bërë gjatë udhëtimeve nëpër Serbi
Jo vetëm para vitit 1999, por edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia ka arrestuar shqiptarë me akuza të fabrikuara. Ata që përfunduan në burgjet e Serbisë, pas luftës u ngarkuan për krime lufte në Kosovë. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 19 prej 23 të akuzuarve shqiptarë në mungesë të dëshmive janë liruar nga akuzat. Dy janë të dënuar me gjithsej 14 vjet e gjatë muaj burgim. Një është duke u gjykuar, për njërin është pezulluar procesi, dhe dy të tjerë po mbahen si të dyshuar. Arrestimet e tyre janë bërë gjatë udhëtimeve nëpër Serbi, duke mos e ditur që ky shtet kishte një listë dhe ata ishin pjesë e saj.
Udhëtimet e shqiptarëve të Kosovës nëpër Serbi janë keqpërdorur nga ky shtet jo veç për këso rastesh. Së fundmi, më 17 prill të këtij viti, në shenjë proteste ndaj rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim të Kosovës, autoritetet serbe mbajtën të bllokuar qindra udhëtarë që po shkonin në drejtim të Kosovës. Shumë nga ta u morën në pyetje për ngjarjet e luftës. Ata u çliruan pas presionit ndërkombëtar.
Policia e Serbisë atë ditë e arrestoi Sadik Durakun, shtetas kosovar dhe britanik, si të dyshuar për krime lufte. Aktualisht Duraku, si dhe Hasan Dakaj e Nezir Mehmetaj të arrestuar më herët po mbahen në paraburgim nën këto akuza.
Familjet e të arrestuarve nuk marrin kurrfarë përkrahje nga institucionet e Kosovës për angazhim të avokatëve apo çfarëdo ndihme juridike në Serbi, ndërkohë që vazhdimisht ka pasur raportime për ushtrim dhune dhe trajtim të padinjitetshëm të tyre. Kosova nuk e ngriti asnjëherë në nivelin politik këtë çështje për ta përfshirë faktorin ndërkombëtar e për të siguruar presionin ndaj Serbisë.
Shqetësimet e familjeve
Familja e Hasan Dakajt shpreh shqetësime për trajtimin e tij. Gëzim Dakaj thotë se te vëllai i tij, që po mbahet në paraburgim në Burgun Qendror të Beogradit, ka pasur shenja të dhunës kur e kanë vizituar për herë të parë. Për dhunën, sipas familjarëve, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka guxuar të flasë.
“E kanë pyetur qysh po të trajtojnë, e ky s’ka folur hiç, domethënë... A ki me hangër e me pi? Ka thënë heja është shumë e dobët edhe trajtimi jo i mirë. A po kupton? E ka pasur shenjën në anën e majtë në vetull, të nxirë anën e majtë të vetullës, sikur t’i kishin rënë grusht apo shuplakë a nuk e di si të them”, ka thënë Dakaj.
Familjarët kanë thënë se vetë rënia në peshë e tij, nga 100 në 65 kilogramë, gjatë paraburgimit është tregues për trajtimin që i është bërë, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe atij i janë shfaqur disa sëmundje.
“Në fillim ka qenë në vetmi në burg në një dhomë. Tash është vetë i pesti apo i gjashti, siç i ka thënë gruas së tij, me një të Maqedonisë, me një të Malit të Zi dhe me katër serbë. E kur ka qenë në vetmi nuk e di se çfarë ka mundur të ndodhë me të në atë fillim. Se ka humbur edhe peshë shumë të madhe në fillim e as mjek s’i kanë çuar, e tash ka nisur nga pak ta marrë veten dhe tash e një muaj po na thërret në telefon, çdo javë thërret, të paktën pesë deri në shtatë minuta flasim me të. Gjendja e tij shëndetësore deri më tani ka qenë jo e mirë. S’e kanë trajtuar mirë as s’i kanë çuar mjek, as medikamente, as kurgjo hiç, por tash e një muaj që na flet çdo javë në telefon thotë se pak diçka më mirë është. S’e di ndoshta kanë reaguar shoqatat për liritë dhe të drejtat e njeriut (Kryqi i Kuq Ndërkombëtar v.j.) apo çka është në pyetje nuk e di, i kanë çuar mjek, i kanë dhënë medikamente pak më mirë. Domethënë qysh po na thotë; se me sy s’e kam pa, po sipas fjalëve të tij pak diçka më mirë është”, ka deklaruar Dakaj.
Me familjarin e tyre flasin çdo javë, dhe e vizitojnë çdo muaj, por sikurse te ky rast edhe te të tjerët familjarët hezitojnë të japin hollësi nga frika që raportimi për gjendjen e tyre mund t’u kthehet si ndëshkim. Këtë e konfirmon vëllai i Hasan Dakajt, dhe fakti që disa familjarë të të arrestuarve të tjerë nuk kanë pranuar fare të prononcohen.
“Ja kanë çuar domethënë, kush je ti që kaq shumë po bëjnë gazetat për ty e gazetarët po flasin, kryeministri, e ja kanë lëshuar me Youtube dhe aty ka pasur maltretime më shumë. Më keq t’u flisni gazetarëve, atij po i kërcënohet gjendja më shumë atje... Gardianët, 100% se të burgosurit nuk kanë telefona atje. Tash kjo që po e xhirojmë po del në Youtube menjëherë dhe Youtube-in po e sheh krejt bota...Edhe ata s’kanë pasur faj se ndoshta edhe atyre u ka ndodhur njëjtë si vëllait tim”, ka thënë Gëzim Dakaj.
Dyshimet e prokurorisë në Serbi nuk po i mbështet asnjë dëshmitar
Dyshimet e Prokurorisë në Serbi për Dakajn janë për vrasje në rajonin e Prizrenit. E Gëzim Dakaj thotë se i vëllai është mbrojtur në heshtje deri më tani dhe u ka thënë organeve të Serbisë se e kanë kapur personin e gabuar. Siç ka thënë ai, asnjë dëshmitar nuk e ka identifikuar Hasan Dakajn si kryerës i veprës penale, pavarësisht se kallëzimi penal i policisë së Serbisë ka qenë aktiv që nga viti 2000.
Ndërkohë që Kosova mbështet mbrojtjen e të dyshuarve dhe të akuzuarve për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë, e Serbia përkrahë financiarisht mbrojtjen e pjesëtarëve të forcave serbe që akuzohen në Kosovë, shtetasit kosovarë që gjykohen në Serbi nuk gëzojnë të drejta të këtilla.
“Në aspektin juridik, Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Udhëzimi për mbështetje financiare të cilat i ka nxjerrë Ministria e Drejtësisë iu referohen vetëm procedurave të cilat iniciohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Aty mungon domethënë baza ligjore për sa i përket ndjekjes nga ana e Serbisë, mirëpo do të duhej si analogji të nxirret qoftë një projektligj, qoftë një udhëzim administrativ, një plotësim-ndryshim, të krijohet një fond edhe për mbështetjen e mbrojtjes së këtyre personave dhe është e domosdoshme dhe plotësisht pajtohem që janë të diskriminuar”, ka thënë avokati Xhevdet Smakiqi.
Ai thotë se në rastin e familjes së Hasan Dakajt kjo do të ishte e nevojshme, meqë familja nuk është në gjendje të mirë ekonomike.
“Do të duhej që Qeveria e Kosovës për këto rastet që ndodhën në Beograd ta krijojë një fond, ta ndajë një mbështetje financiare për familjet e të arrestuarve në Serbi, e pse jo edhe përmes mënyrës qysh e bën Serbia, që edhe ne ta krijojmë një fond që të paguajmë avokatë në Serbi për t’i mbrojtur, sepse fundi i fundit qëllimi është t’i nxjerrim të pafajshëm nga ajo procedurë. Sado që duket e kundërligjshme, nuk e konsideroj që është njohje e ndjekjes penale ndaj tyre, por si detyrim, sepse Republika e Serbisë i trajton ata si shtetas të vet, të akuzuarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe rrjedhimisht ua paguan avokatët, do të duhej që edhe Republika e Kosovës t’ua paguajë avokatët ose t’i ndihmojë familjet në çfarëdo forme që të angazhojnë avokatë, sepse është detyrim shtetëror që ndaj shtetasit tënd sidomos në një shtet armik pse jo, ta ndihmosh”, ka theksuar Smakiqi.
Nevoja për mbështetje
Nga ana tjetër, ai e konfirmon se nuk është e formalizuar nga ana ligjore mbështetja për avokatët e të pandehurve që dyshohen apo akuzohen për krime lufte në Serbi. Sidoqoftë, sipas Smakiqit, ka edhe forma të tjera si mund të mbështeten familjet në rast të mungesës së rregullimit ligjor.
“Qeveria në emër të mbrojtjes së familjeve të shtetasve të saj dhe kur kemi përballë Serbinë, ka kompetenca të tjera të mjaftueshme të aspektit humanitar që ta ndajë një fond për familjen e Hasan Dakajt dhe t’i referohet për mbrojtjen e Hasan Dakajt, për Sadik Durakun dhe Nezir Mehmetajn”, është shprehru Smakiqi.
Pa aktakuzë e në paraburgim është edhe Sadik Duraku. Mbesa e tij, Qëndresa Duraku, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se Duraku nuk ka thënë se është keqtrajtuar.
“Gjendja shëndetësore e tij është serioze, meqë vuan nga sëmundje të zemrës dhe i ka të vendosura dy stenta”, ka shkruar Duraku në përgjigjen e saj. Ajo ka thënë, po ashtu, se Durakut i duhet disiplinë gjatë orarit ditor sa i përket terapisë, ushqimit, gjumit e stresit, dhe se Duraku “është deklaruar që nuk po i jepet me rregull si në fillim”.
Më gjatë në paraburgim se Dakaj dhe Duraku është Nezir Mehmetaj - që nga fillimviti 2020. Asnjë dëshmitar deri tash nuk e ka identifikuar atë si kryerës të krimeve e vrasjes për çka po akuzohet. Gjykimi, ndër të tjera, është stërzgjatur, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, edhe shkaku që Prokuroria nuk ka arritur ta sigurojë dëshmitarin kryesor të saj për këtë rast, që ka qenë fëmijë në kohën e kryerjes së veprës penale.
Sipas ekspertes së Fondit për të Drejtën Humanitare, Marina Klajiq, për proceset ndaj Dakajt dhe Durakut është herët të flitet, meqë janë në fazën fillestare. Megjithatë, shprehet e zhgënjyer me Prokurorinë në Serbi, që, sipas saj, me këto raste del në shërbim të agjendave politike ditore të pushtetit në Serbi.
“Mendoj që është simptomatike se si të tre përfunduan në paraburgim e për çfarë akuzash bëhet fjalë, më shumë është tregues i arrestimeve e veprimeve politike sesa ndonjë qëllim i njëmendtë për ta hetuar krimin. Fondi për të Drejtën Humanitare i ka dërguar nëntë lëndë me prova të mira, por që nuk i kanë marrë për bazë. Pra, më shumë është arrestim i njerëzve, shqiptarëve, për nevoja politike ditore sesa për krime të rënda”, ka thënë Klajiq.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, që nga viti 2003, 19 prej 23 të akuzuarve shqiptarë për krime lufte janë liruar nga akuzat me vendim të plotfuqishëm. Sipas avokates Klajiq, mosbashkëpunimi penal për rastet e krimeve të luftës mes Serbisë dhe Kosovës është problemi më i madh në proceset ligjore për krime lufte.
“Pikërisht mungesa e bashkëpunimit është problemi më i madh, sepse në të vërtetë Serbia për kohë të gjatë nuk ka pasur aktakuza për Kosovën, për shqiptarët e vrarë. Prokuroria për Krime Lufte e arsyeton veten se nuk mund të bazohet në raporte për krime lufte, sepse nuk ka qasje te dëshmitarët shqiptarë, e nga ana tjetër nuk krijon kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës dhe nuk gjen çare për këtë problem; në fakt mosbashkëpunimi është problemi më i madh”, ka shtuar ajo.
MPJD-ja i quan arrestime politike
Pavarësisht deklaratave nga familjarët, sipas Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, asnjë i paraburgosur shtetas i Kosovës që është në Serbi nuk ka raportuar për dhunë në burg. Sidoqoftë, vizitat e ambasadorit Jetish Jashari, që e udhëheq misionin e Kosovës në Serbi, nëpër burgje shihen si të rëndësishme nga familjarët.
Të dënuar me vendim të plotfuqishëm aktualisht janë Albert Lekaj me 13 vjet burgim dhe Ramadan Maloku me një vit e gjashtë muaj burgim. Ndërsa i akuzuari i fundit që u lirua nga burgjet serbe ka qenë Petrit Dula. Ai u dënua më 2022 nga shkalla e parë dhe u lirua më 7 prill 2023 nga e dyta, meqenëse dëshmitarët nuk e identifikuan atë si personin përgjegjës për keqtrajtim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një përgjigje me shkrim ka thënë se i konsideron si shkelje këto procese, meqë rastet nuk kanë lidhje ligjore me Serbinë, nuk kanë të bëjnë me të akuzuar nga Serbia e as me viktima nga Serbia dhe nuk lidhen me territorin e saj. Sipas MPJD-së, këto arrestime janë plotësisht politike dhe pa asnjë bazë ligjore, gjë për të cilën, sipas Ministrisë, Zyra Ndërlidhëse në Beograd i ka njoftuar ambasadat e shteteve mike në Beograd. Siç ka shkruhet në një përgjigje me shkrim të Ministrisë “në takimet diplomatike të ambasadorit Jashari me përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Beograd” ai ka “ngritur shqetësimet e shtetit të Kosovës lidhur me këto arrestime arbitrare dhe pa asnjë bazë ligjore”.