Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Trajnerët e huaj synojnë historinë në Botëror

trajnere

Në 22 edicionet e kaluara të Kupës së Botës duket se i kemi parë të gjitha. Një lojtar ka shënuar për të dy ekipet në finale, një tjetër shënoi gol në Botëror në moshën 40-vjeçare, vëllezërit janë përballur mes tyre dhe një lojtar luajti për dy vende të ndryshme në finalet e Botërorit.

Ka edhe shumë e shumë gjëra interesante që ka ofruar Botërori. Por asnjëherë deri më tani një trajner i huaj nuk e ka fituar Kupën e Botës në futboll.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo nuk do të thotë që disa prej tyre nuk kanë shkuar larg në Botëror. Holandezi Guus Hiddink e dërgoi Korenë e Jugut deri në gjysmëfinale në vitin 2002. Braziliani Luiz Felipe Scolari dhe spanjolli Roberto Martinez e bënë të njëjtën gjë me Portugalinë në vitin 2006, respektivisht me Belgjikën në vitin 2018.

Anglezi George Raynor e udhëhoqi Suedinë drejt ndeshjes finale në Botërorin që u mbajt po në Suedi në vitin 1958. Por Raynor dhe suedezët e tij nuk ia dolën ta ndalin Brazilin e inspiruar nga Pele drejt titullit të parë të botës.

Austriaku Ernst Happel e udhëhoqi Holandën deri në finale në vitin 19778. Por u mposhtën nga Argjentina.

Megjithatë, Botërori që fillon të enjten ka gjasa të mëdha t’i jap fund ecurisë 96-vjeçare. 26 prej 48 përfaqësueseve në Kupën e Botës do të drejtohen nga trajnerë të huaj. Shifra është pak mbi 54 për qind dhe shënon rritje prej 26 për qind nga Botërori i zhvilluar katër vjet më parë.

Në mesin e këtyre 26 përfaqësueseve, dhjetë janë në Top-25 të ranglistës së FIFA-s.

Dy prej organizatoreve, Kanadaja dhe SHBA-ja kanë trajnerë të huaj. Amerikani Jesse Marsch mori drejtimin e Kanadasë në vitin 2024 dhe do të kërkojë të bëjë histori duke ia siguruar kanadezëve fitoren e parë në Botëror. Argjentinasi Mauricio Pochettino iu bashkua amerikanëve në të njëjtin vit dhe beson se skuadra e tij ka talentin për të garuar denjësisht në Botëror.

Ekuadori po ashtu ka selektor argjentinas – Sebastian Beccacece. Austrinë e drejton gjermani Ralf Rangnick. Italiani Vincenzo Montella është në krye të Turqisë.

Kampioni i dyfishtë, Uruguaji, i beson strategur argjentinas, Marcelo Bielsa, që është në Botëror për herë të tretë. Se sa vlerësohen teknikët argjentinas, dëshmon fakti që edhe Kolumbia ka trajner nga ky vend – Nestor Lorenzon.

Belgjikën do ta drejtojë francezi Rudi Garcia.

Për Brazilin aktualisht shumë gjëra kanë të bëjnë me numrin gjashtë. Aktualisht në vendin e gjashtë në ranglistë, Brazili ka vendosur për herë të parë në histori për trajner të huaj. Ka zgjedhur italianin Carlo Ancelotti, që është fitues serik në Evropë në nivel klubesh. Dhe shumë presin që Ancelotti ta udhëheqë Brazilin drejt titullit të gjashtë të botës. Dhe atë në tentimin e gjashtë.

Portugalia është prej përfaqësueseve më të mëdha që nuk e ka fituar ende Botërorin. A do të përfundojë pritja e Cristiano Ronaldos dhe portugezëve me trajnerin spanjoll, Roberto Martinez? Portugalia është e pesta në ranglistë, ndërsa e katërta është Anglia.

Gjermani Thomas Tuchel është në krye të anglezëve. Ai është vetëm trajneri i tretë i huaj në krye të Anglisë. Anglia është afruar pranë së fundi dhe besimi është i madh se me Tuchelin do të dal në krye.

Tri përfaqësueset e para në renditjen e FIFA-s, Franca, Spanja dhe Argjentina kanë trajnerë vendorë.

Mbetet të shihet nëse historia do të përsëritet, apo për herë të parë kampionët e botës do të jenë me trajner të huaj.