Ronaldo pas barazimit me RD Kongon: S’ishte fillimi që deshëm, nuk ka mbaruar asgjë
Superylli portugez Cristiano Ronaldo ka reaguar pasi Portugalia ka barazuar 1:1 me Republikën Demokratike të Kongos të mërkurën në ndeshjen e parë të fazës grupore.
Ronaldo luajti tërë ndeshjen.
“Nuk ishte fillimi që deshëm, por është ende larg nga mbarimi. Kokën lartë dhe të fokusohemi në ndeshjen tjetër”, ka shkruar Ronaldo në Facebook.
Kongo shokon Portugalinë e Ronaldon
Përfaqësuesja e Kongos ka dhuruar paraqitje impresive të mërkurën mbrëma në Houston të Teksasit dhe e ka shokuar superfuqinë evropiane të futbollit, Portugalinë.
Portugalia dhe Kongo barazuan 1:1 në ndeshjen e parë të Grupit K.
Cristiano Ronaldo, njësoj si Lionel Messi, pati paraqitje në Botërorin e gjashtë, por nuk la gjurmë.
Joao Neves shënoi për Portugalinë në minutën e gjashtë, ndërsa Yoane Wissa shënoi për Kongon në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë munguan golat dhe të dyja përfaqësueset morën nga një pikë.
Në këtë grup janë edhe Kolumbia dhe Uzbekistani.
Rast i mirë për Ronaldon
Cristiano Ronaldo ka pasur rast shumë të mirë për të shënuar në minutën e 68-të.
Ai nuk e ktheu në gol pasimin e mirë të Francisco Conceicaos dhe gjuajti jashtë.
Ronaldo është duke e luajtur ndeshjen e 23-të në Kupë të Botës. Ka numër të njëjtë të ndeshjeve në vendin e katërt me ish-yllin e Italisë, qendërmbrojtësin Paolo Maldini.
Në Kupën e Botës, të shpeshtë golat me kokë
Golat me kokë në Kupën e Botës janë bërë të shpeshtë.
Ai i realizuar nga Yoane Wissa i Kongos ndaj Portugalisë, ishte i 12-ti me kokë në Botërorin që organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
Portugalia e nis me sulme pjesën e dytë
Portugalia e ka nisur me sulme pjesën e dytë ndaj Kongos.
Madje iu anulua një gol i shënuar nga mbrojtësi Joao Cancelo.
Cancelo shënoi në mënyrë akrobatike, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Rezultati pas 60 minutave është 1:1.
Kongo befason Portugalinë
Kongo e ka befasuar Portugalinë.
Ka shënuar për 1:1 në fundin e minutave shtesë të pjesës së parë.
Yoane Wissa, sulmuesi i Newcastlet, shënoi për 1:1 në minutën e pestë të kohës shtesë. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Portugalia shënon menjëherë
Portugalia ka shënuar gol menjëherë ndaj Kongos.
Ndeshja po luhet në Houston të Teksasit.
Joao Neves realizoi për 1:0 në minutën e gjashtë, me asistim të Pedro Netos.
Ronaldo udhëheq Portugalinë në Botërorin e tij të gjashtë
Superylli Cristiano Ronaldo do ta udhëheq sulmin e Portugalisë në Botërorin e tij të gjashtë në karrierë.
Ronaldo do të paraqitet nga minuta e parë për Portugalinë në ndeshjen kundër Kongos në Hjuston.
Ndeshja nis nga ora 19:00 dhe i takon Grupit K.
Paraqitja e Ronaldos për herë të gjashtë në Botëror është rekord. Në fakt, barazohet me Lionel Messin e Argjentinës.
