Ecuria e Kepit të Gjelbër në Kupë të Botës do të hyjë në histori. Dhe tani kjo përfaqësuese është në prag të një tjetër hapi të pabesueshëm.
Kepi i Gjelbër ka ofruar një nga befasitë më të mëdha të të gjitha kohërave, duke barazuar me Spanjën në debutimin në ngjarjen globale.
“Peshkaqenët blu” treguan përsëri klasin e tyre në skenën më të madhe të lojës, në orët e para të së hënës, duke barazuar me dy herë kampionin e botës, Uruguain. Dhe tani Kepi i Gjelbër është seriozisht në garë për avancim në fazën nokaut.
Lojtarët e Kepit ishin kreativë, argëtues dhe të sigurt në barazimin emociones 2:2. Ofruan po ashtu një dozë të vendosmërisë së çeliktë që i udhëhoqi drejt rezultatit befasues ndaj Spanjës.
Kepi i Gjelbër është grup i dhjetë ishujve në Oqeanin Atlantik. Ky vend ka rreth 525 mijë banorë dhe tashmë ka ndalur dy prej fuqive të Kupës së Botës.
Edhe
Kepi i Gjelbër, përfaqësuesja që nuk u mposht gjatë 90 minutave nga dy finalistet
Nuk kishte nevojë për heroizëm nga portieri Vozinha, i cili nga 40 mijë ndjekës në “Instagram” i bëri mbi 15 milionë pas ndeshjes me Spanjën. Uruguai u kufizua në vetëm dy gjuajtje në portë dhe heronjtë ishin në anën tjetër të fushës.
Nëna e Vozinhas nuk ishte në stadium për ndeshjen me Spanjën për shkak të kostos së lartë për vizë hyrëse në SHBA. Por ishte e pranishme në Miami dhe u prit me një shfaqje magjepsëse.
Kepi i Gjelbër bëri lojë sulmuese që nga minuta e parë. Përfaqësuesja e madhe nga Amerika e Jugut, Uruguai, hasi në vështirësi përballë gjallërisë së Kepit.
Pastaj erdhi momenti historik. Kevin Pina gjuajti mjeshtërisht nga goditja e dënimit për 1:0.
Në kryeqytetin e ishujve, Praia, goli i parë në Botëror u prit me gëzim.
Uruguai reagoi me dy gola, por Helio Varela shënoi golin tjetër për pikën e dytë të Kepit të Gjelbër në Botëror. Paraqitja e përfaqësueses së vogël afrikane u cilësua sensacionale.
Edhe
Pritje heroike për Kepin e Gjelbër
Kepi i Gjelbër po ofron një prej historive më të bukura në Kupën e Botës. Kjo përfaqësuese është në garë për kalim të grupit. Do të përballet me Arabinë Saudite në ndeshjen e fundit dhe vendimtare në grup.
Tetë ekipet më të mira prej 12 grupeve sa janë gjithsej, avancojnë në fazën nokaut.