Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Irani luan me Zelandën e Re në ndeshjen me “ngarkesë politike”

Iran

Foto: Associated Press

Irani e hap garën në Grupin G të Kupës së Botës në futboll me ndeshjen ndaj Zelandës së Re në Los Angeles. Ndeshja zhvillohet të martën në orën 03:00 të mëngjesit, sipas kohës në Kosovë.
Ndeshja e Iranit pritet me interes të shtuar për shkak të zhvillimeve politike rreth kësaj përfaqësuese.
Në fakt ndeshja luhet mes zhvillimeve të luftës së SHBA-së me Iranin dhe në rajonin ku ndodhet komuniteti më i madh iranian jashtë vendit. Kjo i jep ngarkesë shtesë atmosferës së ndeshjes mes dy përfaqësueseve që për herë të parë përballen në Botëror.

Për shkak të luftës, pjesëmarrja e Iranit në Botëror ishte e pasigurt deri pak kohë më parë. Iranianët e zhvendosën kampin e tyre nga Arizona në Tijuana të Meksikës. Kjo nënkupton që Irani do të bëjë udhëtime nga një vend në tjetrin për tri ndeshjet e fazës grupore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shumë zyrtarë të përfaqësueses iraniane nuk janë pajisur me viza për hyrje në SHBA dhe kjo ka bërë që tensioni të jetë i lartë. 

Por vetëm pasi iranianët të dalin në fushë do të dihet cili do të jetë reagimi i shikuesve në stadium.
Për Iranin dhe Zelandën e Re ndeshja paraqet shans për të ndryshuar rrëfimet në Kupën e Botës. Irani luan në Botëror për herë të katërt rresht dhe për herë të shtatë gjithsej. Por asnjëherë nuk ka arritur në fazën nokaut.

Zelanda e Re po luan në Botëror për herë të parë që nga viti 2010. Zelandezët luajnë për herë të tretë në ngjarjen globale, ndërsa e kërkojnë fitoren e parë.
Në Grupin G janë edhe Belgjika e Egjipti.